Nishani takon homologun Pahor
"Forcim bashkëpunimit dypalësh"

Nishani takon homologun Pahor<br />
LJUBJANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nisi sot zyrtarisht vizitën në Slloveni ku u takua me homologun e tij, Borut Pahor. Gjatë takimit, dy homologët, Nishani dhe Pahor, zhvilluan një bisedë të përqendruar kryesisht në zhvillimin e marrëdhënieve, të cilësuara të  të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, si dhe marrjes si shembull të përvojës sllovene për t’u integruar në institucionet evropiane.

Gjatë konferencës për shtyp pas takimit, Presidenti Nishani, teksa falenderoi homologun Pahor për ftesën, u shpreh se qëllimi i kësaj vizite, është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve. Në këtë kontekst, Nishani theksoi se bashkëpunimi i vendit tonë me Slloveninë sa i përket aspektit ekonomik, duhet të ngrihet edhe në nivelin politik.

“Qëllimi i kësaj vizite është avancimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona në planin dy dhe shumëpalësh, forcimi i bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian, nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimi i pikëpamjeve për zhvillimet e fundit ndërkombëtare. Mund të them, se kemi patur pikëpamje të njëjta dhe mirëkuptim të plotë. Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë janë të shkëlqyera dhe me mundësi të mëdha zhvillimi, në mënyrë që bashkëpunimi ekonomik dhe në fusha të tjera të ngjitet në nivelin e bashkëpunimit politik. Shprehëm interesin për nxitjen e bashkëpunimit në fusha si: energjia bujqësia, turizmi, transporti, arsimi, kultura e shkenca, etj. Projektet madhore rajonale dhe më gjerë, si: Trans-Adriatic Pipelina, Korridori Joniano-Adriatik, Hekurudha Mynih-Stamboll, etj., ofrojnë mundësi bashkëpunimi, punësimi dhe zhvillimi për vendet tona, rajonin dhe lidhjen me Bashkimin Evropian tregje të tjera.” u shpreh Nishani

Nishani: Sllovenia, partner i rëndësishëm në procesin e integrimit
Më tej kreu i shtetit shqiptar, vlerësoi mbështetjen e Sllovenisë në procesin e integrimit të Shqipërisë, si dhe në liberalizimin e vizave. Duke e vlerësuar shtetin slloven si një parnter shumë të rëndësishëm, Nishani nënvizoi se vendi ynë mirëpret ekspertizën e Slloveinsë në procesin integrues në BE të Shqipërisë.

Sipas Nishanit, Shqipëria e ka merituar marrjen e statusit të vendit kandidat, ndërsa shtoi se ky është vetëm fillimi sa i përket integrimit në Bashkimin Europian. Për kreun e shtetit, vendi ynë ka si prioritet luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, reformën në drejtësi si dhe ndërtimin e një administrate publike të pavarur nga politika në kuadër
të aderimit në BE.

“Shpreha mirënjohjen time dhe të popullit shqiptar për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik dhe, veçanërisht, për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në Zonën Shengen. Sllovenia është për ne një partner i rëndësishëm rajonal e evropian me shumë karakteristika të përbashkëta, si: afërsia, madhësia, historia e lidhjeve, prania e një komuniteti shqiptar etj. Mirëpresim ekspertizën sllovene gjatë procesit të integrimit, një eksperiencë e vyer, pozitive dhe nga një vend mik. Shqipëria dhe populli shqiptar e kanë merituar statusin e vendit kandidat për në BE, në sajë të reformave të kryera; Ne e konsiderojmë këtë arritje si fillimin e një rruge që do të kërkojë reforma më të thella dhe më të plota, në mënyrë që të përgatitemi për hapjen e bisedimeve të pranimit. Lufta kundër krimit të organizuar, politika antikorrupsion, reformimi i drejtësisë, bazuar në parimet e gjithëpërfshirjes, transparencës, profesionalizmit dhe pavarësisë nga politika dhe grupet e interesit, si dhe ndërtimi i administratës publike profesionale jashtë ndikimeve politike, mbeten prioritet tona, kur bëhet fjale për zhvillimin e mëtejshëm të reformave.” tha më tej kreu i shtetit

Nishani: Sllovenia, në funksion të paqes dhe stabilitetit në Ballkan
Duke u ndalur edhe në zhvillimet në rajon, Nishani vlerësoi rolin e Sllovenisë, veçanërisht ndaj Kosovës, pasi siç u shpreh ai, ka qenë në funksion të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Në këtë kuadër, Nishani tha se samiti i Berlinit i zhvilluar në gusht, është një nga nismat e duhura në funksion të stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

"Sllovenia është një zë i fuqishëm në BE për rajonin tonë. Vlerësojmë angazhimin e Sllovenisë në proceset rajonale të Ballkanit, si në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe me vendet e tij, ashtu edhe në drejtim të krijimit të një kohezioni në qëndrime e në trajtimin e problematikave që shoqërojnë proceset e bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe ato integruese. Qasja pozitive e Sllovenisë ndaj Kosovës, si dhe ndaj gjithë zhvillimeve në rajon, kanë qenë në favor të paqes e stabilitetit të qëndrueshëm, prosperitetit dhe integrimeve euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kosova sot është prova e qartë se ky qëndrim ishte shumë i drejtë. Procesin e Berlinit e konsiderojmë një nismë shumë të gjetur, në momentin e duhur, për realizimin e objektivave te këtij procesi. Shpreha, gjithashtu, mirënjohjen ndaj Sllovenisë për gjithë kontributin e dhënë dhe rolin drejtues, bashkë me Kroacinë, në Procesin e Brdo-Brijunit. Vlerësoj lart këtë Proces, si paraprirës të Berlinit, për nismat e ndërmarra, për aktivitetet e organizuara dhe ekspertizën që po ofron për vendet e rajonit tonë e më gjerë." tha Presidenti Nishani

Në fund të fjalës së tij, Nishani, falënderoj sërish homologun slloven Pahor për ftesën, ndërsa shprehu gatishmërinë e tij për ta mirëpritur atë në Shqipëri.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Nga Libani lëshohen 85 raketa drejt Izraelit! Burime për ‘Washington Post’: Përgjigja ndaj Iranit ende në fazën e planifikimit

Nga Libani lëshohen 85 raketa drejt Izraelit! Burime për ‘Washington Post’: Përgjigja ndaj Iranit ende në fazën e planifikimit