Nishani takon Kaprin, i ankohet
për mosmbështetjen e qeverisë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, ku ky i fundit i është ankuar Presidentit për mosmbështetjen nga ana e qeverisë për projekte të shumta që ai ka dorëzuar por që nuk kanë marrë dritën jeshile për zbatim.
 
Gjatë takimit u bisedua rreth situatës dhe jetës së qytetarëve të Bashkisë Pogradec dhe çështjeve, me të cilat ndeshet administrata e kësaj Bashkie në përmbushje të misionit të saj, ku Presidenti u njoh me shqetësimet e Kryetarit të Bashkisë rreth mungesës së mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore të projekteve për zhvillimin e qytetit dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
 
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit i përcolli Presidentit Nishani shqetësimin e qytetarëve të kësaj Bashkie, të cilët ndihen të diskriminuar nga diferencimi i politikave që ndiqen nga qeveria qendrore në lidhje me investimet publike në vend.
 
Nishani shprehu keqardhjen për mungesën e mbështetjes së projekteve për Bashkinë e Pogradecit dhe e konsideroi të papranueshme politikën diferencuese të investimeve publike midis njësive të ndryshme vendore.
 
Qytetarët e vendit duhet të trajtohen dhe shërbehen njëlloj dhe me të njëjtat standarde.”  - theksoi Presidenti Nishani gjatë këtij takimi.
 
Presidenti i Republikës sugjeroi që administrata e kësaj Bashkie të vendosë kontakte më të drejtpërdrejta me donatorë të huaj që mund të ndihmojnë në mbështetjen e projekteve zhvilluese të Bashkisë dhe përmirësimit të shërbimeve që duhen ofruar për qytetarët.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 18 Shkurt, 07:09

    Sulmet nga Berisha, sipas jush a rrezikon SPAK të shkrihet?



×

Lajmi i fundit

Eliminimi nga Champions League, Conceiçao: Episodi i Theos vendosi ndeshjen, ky dështim edhe fytyra ime

Eliminimi nga Champions League, Conceiçao: Episodi i Theos vendosi ndeshjen, ky dështim edhe fytyra ime