TIRANE- Presidenti Bujar Nishani garantoi raporterët e KiE se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet institucionale dhe infrastrukturore për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet evropiane.

Raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco ndodhen në Shqipëri në kuadër të një vizite dy ditore për të vlerësuar përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 23 qershorit.

“Në përgjigje të interesimit të raporterëve të Këshillit të Evropës, Presidenti Nishani u shpreh se Shqipëria ka të gjitha kapacitetet institucionale dhe infrastrukturore për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet evropiane. Kreu i Shtetit shprehu besimin e tij se pjekuria e opinionit publik, zhvillimet pozitive në infrastrukturën ligjore dhe teknike si dhe angazhimi i madh i faktorit ndërkombëtar në dhënien e asistencës dhe monitorimin e procesit zgjedhor janë faktorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.”- thuhet në njoftimin e presidencës.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se sfida më e rëndësishme mbetet sjellja e përgjegjshme e partive politike para, gjatë dhe pas procesit elektoral
Raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës jaën larguar sot nga Tirana dhe do të hartojnë një raport për ta paraqitur nga KiE mbi situatën paraelektorale në Shqipëri.

(sg/shqiptarja.com)