Nishani: Të rinjtë duhet të dinë se si ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet


TIRANË, 2 Dhjetor/ATSH-Z.Tosku/- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi sot një takim me nxënës nga Korça, Kukësi, Lezha, Peshkopia dhe Puka, të përzgjedhur mes 150 pjesëmarrësve në Projektin e OSBE "Forcimi i qeverisjes demokratike nëpërmjet angazhimit dhe advokimit të shoqërisë civile në procesin vendimmarrës në nivel lokal e qendror".
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, duke falënderuar Kreun e Shtetit për mbështetjen e këtij Projekti, vuri në dukje se demokracia lulëzon me angazhimin aktiv dhe kuptimplotë të qytetarëve ku përfshihen edhe të rinjtë.
"Për t'u bërë qytetarë aktivë, ata duhet të njohin institucionet demokratike të vendit të tyre dhe të kuptojnë se si funksionojnë ato. Të rinjtë duhet të dinë se si ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet", theksoi ambasadori Raunig.
Presidenti Nishani vlerësoi nismën e OSBE-së duke e konsideruar këtë takim me të rinjtë, të cilët përfaqësojnë rrethe të ndryshme si një mundësi e mirë komunikimi dhe inkurajimi veçanërisht. "Unë dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e madhe që ka kurajo. Pa kurajë është e vështirë të frymëzojmë vetveten. Pa kurajë është e vështirë të angazhohemi për të parë larg. Pa kurajë është e vështirë që inspirimet, mendimet, kapacitetet, dëshirat dhe objektivat që kemi t'i bëjmë të pranishme", theksoi mes të tjerash Presidenti Nishani.
"Vendi ynë ka arritur shumë, por ende ka shumë punë për të bërë dhe jeni ju ata që do t'i bëni ato. Dëshiroj t'ju shoh shumë më tepër të angazhuar, edhe në komunitetin ku jetoni", nënvizoi Presidenti Nishani. /a.ke/
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?