Nishani telefonon Van Rompuy:
Statusi, inkurajim për të ecur përpara

Nishani telefonon Van Rompuy:<br />Statusi, inkurajim për të ecur përpara
TIRANË - Presidenti Nishani ka zhvilluar ditën e sotme një bisedë telefonike me Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, të cilit i ka shprehur besimin se marrja e statusit do të jetë një inkurajim i fortë për të vazhduar përpara.
 
Presidenti Nishani e ka falënderuar dhe nëpërmjet tij, të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive, anëtarë të Këshillit Europian, për vendimin unanim të datës 27 qershor, duke e bërë Shqipërinë vend kandidat për anëtarësimin europian.
 
Presidenti theksoi se ky vendim i merituar dhe shumë i rëndësishëm për Shqipërinë është vlerësim për arritjet e deritanishme por edhe inkurajim i fortë për të vazhduar përpara në rrugën e reformave të mëtejshme.
 
Më tej Nishani ka garantuar Presidentin Van Rompuy se do të bëjë gjithçka për të mbështetur përparimin e reformave, kyçe për avancimin e vendit drejt BE, orientuar bindshëm drejt standardeve europiane.
 
Presidenti Van Rompuy uroi për statusin e ri që gëzon tashmë Shqipëria si vend kandidat i BE, dhe nënvizoi se ky është vlerësim i drejtpërdrejtë i arritjeve që ka shënuar vendi. Ai vuri në dukje se dhënia e statusit është gjithashtu tregues i qartë se BE nuk po vuan nga lodhja ndaj zgjerimit, dhe shprehu besimin se Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave e bashkëshoqëruar nga mbështetja dhe angazhimi i BE.
 
Presidenti Nishani përgëzoi me këtë rast, edhe nënshkrimin e Marrëveshjeve të Partneritetit dhe Asocimit me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, duke e siguruar se Shqipëria do të mbetet një aleate e ngushtë përkrah BE për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatës në Ukrainë. Presidenti Van Rompuy shprehu vlerësimin maksimal për këtë mbështetje dhe shprehu besimin për t’u takuar së shpejti në Tiranë.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë