Presidenti Bujar Nishani ka folur pas lajmeve se në ceremoninë e betimit të ministrave të rinj Xhafaj, Xhaçka, Manastirliu dhe Shalsi nuk kishte pranuar që t'u jepte dorën, teksa nuk u lejuan as kamerat.
 
Kreu i Shtetit u shpreh se ceremonia e betimit ishte dinjitoze, ndërsa lajmet në media i cilëson thashetheme të kafeneve.
 
"Ceremonia e betimit të ministrave te rinj ka qenë një ceremoni dinjitoze, serioze dhe strikte me Protokollin e Shtetit për të tilla ceremoni.
 
I dhashë dorën, si më dha dorën, doli në fotografi, nuk doli në fotografi…., janë thjesht thashetheme të kafeneve që unë nuk i lejoj të futen në punët dinjitare të Institucionit të Presidentit të Republikës.
 
Kam uruar të gjithë ministrat e rinj për suksese dhe punë të mbarë
" - thotë kreu i shtetit për 'Koha Jonë'.

Ndërsa pyetjes hipotetike, se po të ishin kandidatët për President Republike: Bujar Nishani, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe një kandidate femër, cilin (e) do votonit?
 
Presidenti u përgjigj se "Jam në konflikt interesi këtu, kështu që nuk kam përgjigje".

dy.b/shqiptarja.com