TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë, Kryeministrin e Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidenti Nishani vlerësoi zhvillimin e kësaj vizite zyrtare si shumë të rëndësishme dhe si shprehje konkrete e vullnetit për vendosjen e urave të komunikimit mes dy vendeve, por edhe të mirëkuptimit më të mirë mes qytetarëve shqiptarë dhe atyre serbë.

Duke u ndalur tek të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Presidenti Nishani kërkoi një kujdes dhe mbështetje më të madhe nga ana e qeverisë, veçanërisht zbatimin sa më parë të angazhimeve të mara sa i përket aspektit ekonomik, shoqëror dhe shëndetësor të tyre. Presidenti nënvizoi se do të kishte qenë e udhës që nënshkrimi i Marrëveshjes për Njohjen Reciproke të Diplomave të realizohej gjatë kësaj vizite, për të dhënë një mesazh më të drejtpërdrejtë të vullnetit pozitiv për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe në respekt të premtimeve dhe angazhimeve që i japim njëri-tjetrit.