‘Nisi në terrin e burgut’, ish-kryeministri i Kosovës dhe libri i tij i jetës! Kosumi: Për mua politika ishte ideal, sot mbizotëron diskursi i kundërshtimit!

Studiues, gazetar, ish-Kryeministër i Kosovës, Bajram Kosumin e sjell këtë të enjte në Akademinë e Shkencave botimi i tij më i fundit. “Enciklopedinë imagjinare/Postroman” të botuar nga “Toena” e konsideron si librin e jetës.

“Nuk është një roman klasik. Forma që unë kam zgjedhur është një qasje enciklopedike ndaj jetës, ku ka gjithçka ti mendon si thelbësore që të përfshihet për lexuesin”, shprehet Kosumi.

Kjo vepër tregon autori është e tija sa Kozmosi i Zotit, ndërsa lexuesin prej zanafillës së rrëfimit, në zbulim të brendisë së librit, e vendos në rolin e Evës dhe Adamit.

“Enciklopedia fillon me këtë fjali ‘Ju jeni koha, unë jam udhëtari’! Kjo është esenca! Letërsia është për lexuesin, me të prekur lexuesin nuk i takon më autorit”, thotë autori.

Jo vetëm në jetën e tij si autor, ‘Enciklopedia’ vjen si një ogur i mirë për letërsinë vendase në kërkim të risive. 772 faqe nisin të shkruhen prej ’85-ës, kur Kosumi gjendej në burgun e Nishës dhe përfundon vitet e fundit.

“Ku ka ishull më të madh se sa i burgosur me muaj të tërë në nëntokë, krejt i vetëm në terr”, shton më tej.

Imazhi i shkëmbit ishullor që e ilustron librin, udhëheq drejt përmbajtjes. Simbolika e izolimit përcillet dukshëm, ndërsa ishullorët thotë ai mund të jenë edhe shqiptarë.

“Ishulli nuk është thjesht një vend, mund të jetë edhe një koncept. Për qindra vjet ne jetojmë të izoluar në atë lëvoren tonë, egoizmin tonë etj. Dhe, ajo qyteza është një ironi. Kryeqyteti mitik i Ishullit quhet Gumur, që do të thotë varrezë e lashtë ilire”, shpjegon Kosumi.

‘Enciklopedia’ e Kosumit vjen me ngjarje e personazhe kyçe nga e kaluara historike, por edhe e tashmja, me politikanë aktiv protagonistë, krahas Kosovës edhe të Shqipërisë. Këto ngjarje sjellin edhe një qasje të raportit mes dy vendeve deri në ditët e sotme.

“Ne mendojmë Kosovë-Shqipëri, por para shekullit të XX-të s’kanë menduar Kosovë-Shqipëri. Shqiptarët e kanë ndjerë veten njësoj. Mbas vitit 1912, copëtimi i trojeve shqiptare për 80 vjet ka lënë gjurmë shumica negative”, thotë ai.

Studimet janë angazhimi i tij i parë, teksa shpjegon tërheqjen nga jeta politike.

“Unë i takoj brezit të politikanëve që në një pjesë të madhe politikën e kanë pasur si ideal. Kjo që është sot është tamam politikë dhe unë s’jam i gatuar për këtë politikë. Dhe unë s’do të bëja kurrgjë në këtë politikën e sotme” shprehet Kosumi.

Zhvillimet politike për Shqipërinë e Kosovën përpiqet t’i shikojë me optimizëm ndonëse nuk mungojnë kritikat për politikbërjen e dy shteteve.

“Ajo që s’më pëlqen është fakti se kanë një diskurs politik të kundërshtimit me çdo kusht. Nuk i bën kjo mirë politikës. Nuk është diskursi politik sharje. Diskursi politik është kush të gjejë zgjidhje më të mirë për popullin”, thotë studiuesi.

Kosumi është autor i disa librave, përfshirë “Letra nga burgu” dhe “Lirikën e Fishtës”. 

B.V//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit