Nga 29 marsi 2027, Shqipëria dhe Luksemburgu do të lidhen për herë të parë me fluturime të rregullta direkte. Linja e re do të operohet nga kompania ajrore Luxair dhe do të ketë dy fluturime në javë, çdo të hënë dhe të premte.

Lajmin e bëri të ditur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili e cilësoi ardhjen e Luxair në Shqipëri si një zhvillim pozitiv. Sipas tij, lidhja e re ajrore do të afrojë më shumë njerëzit, bizneset dhe komunitetet e dy vendeve.

Fluturimet do të zhvillohen gjatë gjithë vitit dhe do të krijojnë lidhjen e parë të rregullt ajrore direkte mes Luksemburgut dhe Shqipërisë.

Hapja e kësaj linje ishte diskutuar edhe më herët, gjatë vizitës që ministri Hoxha zhvilloi më 21 prill në selinë e Luxair, ku u takua me CEO-n e kompanisë, Gilles Feith. Në atë takim u diskutua mundësia e vendosjes së fluturimeve direkte mes Luksemburgut dhe Tiranës.