Nisin sot eliminatoret e Kupës së Botës “Katar 2022”. Franca kampione e Botës në fuqi e nis rrugëtimin e mbrojtjes së trofeut nga Parisi ku pret Ukrainën me të cilën ka një rekord pozitiv. Skuadra e Didier Deschamps është me grup të plotë dhe në sulm do mbështetet tek dyshja Griezmann-Mbappe. Dueli starton në 20:45 dhe premton spektakël. Ndeshja tjetër e grupit D është Finland-Bosnje Hercegovinë.
Portugalia e Cristiano Ronaldos e nis rrugëtimin për në Katar nga Torino aty ku pret Azerbajxhanin e De Biasit. Luzitanët besojnë shumë tek forma e Ronaldos dhe Bruno Fernandes për të çarë murin mbrojtës të miqve. Përveç Portugali- Azerbajxhan në grupin A luhet edhe Serbi-Irlandë.
Holanda ka udhëtuar për në Turqi ku do të përballet me vendasit në ndeshjen që starton në orën 18:00. Tulipanët janë favoritët e grupit G për të siguruar kualifikimin në Botëror në një grup ku bëjnë pjesë edhe Norvegjia e Mali i Zi.
Tjetër duel interesant është ai mes Belgjikës dhe Uellsit në grupin E. Belgët të etur për fitore kanë në dispozicion gjithë artilerinë e rëndë ndërsa Uellsi i Bale do kërkojë të bëjë surprizën. Duel tjetër që spikat në ditën e parë të eliminatoreve të Botërorit është edhe Slloveni-Kroaci për grupin H./Përgatiti Andi Kapxhiu