Përmes një deklarate për shtyp Policia e Shtetit jep detaje nga arrestimi i Arben Frrokut në Holandë. Në njoftimin për shtyp thuhet se Interpol Haga dhe Interpol Tirana kanë nisur procedurat e ekstradimit në Shqipëri të të dënuarit me burgim të përjetshëm.

“Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të gjykatës”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë.
 
Policia e Shtetit sqaron se “Interpol Haga njoftoi sot në orën 17:15 minuta Interpol Tiranën se kishte identifikuar dhe arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Arben Frroku, të dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm”.
 
Policia sqaron se “Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka patur disa komunikime me homologët në Holandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm sot pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare”.
 
Po sipas Policisë, verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët holandezë.
 
Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë”, thuhet më tej në deklaratën e Policisë së Shtetit.
 
Redaksia Online
Shqiptarja.com