Ministria e Diasporës së një prej shteteve më të reja të botës, Kosovës ka filluar një projekt për regjistrimin e shqiptarëve të diasporës nëpër botë.

Këshilltari i Ministrit të Diasporës së Kosovës Ardian Bytyçi në një prononcim për Anadolu Agency (AA) ka thënë se kjo Ministri është një institucion i ri dhe një nga detyrat apo strategjitë e para të saj është puna për identifikimin dhe ruajtjen e gjuhës si dhe etnicitetit të shqiptarëve që jetojnë në gjithë botën.

Bytyçi shpjegoi që ky projekt nuk është vetëm për shqiptarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por për të gjithë shqiptarët në botë dhe vuri theksin se Ministria e Diasporës së Kosovës ka hapur fillimisht disa qendra kulturore në Australi, SHBA, Gjermani, Zvicër dhe Turqi duke ju ardhur në ndihmë shqiptarëve që jetojnë në këto vende për të mos harruar gjuhën dhe identitetin e tyre.

Ministri Bytyçi theksoi se në saj të punës së tyre kanë mundësuar ngritjen e një rrjeti për të qenë në kontakt me OJF dhe biznesmenët me origjinë shqiptare. Ai theksoi gjithashtu se prej 7-8 muajsh kanë nisur një projekt për numërimin e shqiptarëve nëpër botë. "Është e pa mundur të kryhet një numërim i plotë, por ne synojmë që të regjistrojmë maksimumin e mundshëm" ka shtuar ai.

Bytyçi ka thënë gjithashtu se sipas numrit që do të dalë do të ndikojë edhe në ngritjen e politikave të jashtme dhe se aktualisht janë duke iu dhënë rreth 40 mijë nxënësve mësime të gjuhës shqipe në vende të ndryshme të botës.

Ai në fjalën e tij ka theksuar ndihmën ekonomike që shqiptarët e diasporës ofrojnë për rritjen ekonomike në vend dhe ka shtuar: "Ne synojmë që të bashkëpunojmë dhe të kërkojmë ndihmë edhe nga shqiptarët e diasporës që kanë punime të rëndësishme në fushën e kërkimeve. Krahas kësaj dimë që ka shqiptarë të cilët janë me detyra të rëndësishme në vendet ku jetojnë si Kryetar Bashkia apo Deputet. Ne do të punojmë që ata të vijnë në vende akoma më të mira. Ne si qeveri e Kosovës kemi startuar edhe një projekt tjetër. Atë të përfaqësimit të shqiptarëve të diasporës në Parlamentin e Kosovës. Kemi dëshirë që diaspora të përfaqësohet me të paktën tre deputet në Parlamentin e Kosovës."

Ardian Bytyçi në përfundim të fjalës së tij ka thënë se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës do të mundësojnë çdokënd që dëshiron të vijë në Kosovë dhe të mësojë gjuhën shqipe. Ai shtoi gjithashtu se çdokush që mund të vërtetojë me një dokument që është me prejardhje nga ky vend janë të hapur për dhënien e nënshtetësisë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)