Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit, e konsideruar si një prej pasurive etnografike të Kosovës, duket se ka nisur udhëtimin drejt UNESCO-s, si një prej veshjeve unike të trevave shqiptare. Shoqëria Kulturore Artistike “Malësori” në Prizren sapo ka nisur përpjekjet duke mbledhur materialet të cilat argumentojnë veçoritë e kësaj veshjeje për të qenë pjesë e UNESCO-s.

“Kjo do të ishte kulminacioni i këtij angazhimi, këtij koloriti të veshjes hasjane. Pse jo kjo veshje të mos zë vend në një kënd të UNESCO”, thotë Haziz Hodaj, Kryetar i SHKA “Malësori” Prizren.

Nismëtarët janë të vetëdijshëm se rruga e nisur nuk është e lehtë, aq më tepër që Kosova nuk është pjesë e UNESCO-s dhe duhet mbështetja e një vendi anëtar. Ish-ministri i Kulturës në Kosovë, Kujtim Gashi, thotë se edhe në këtë rast kontributi pritet nga Shqipëria, ashtu siç ka ndihmuar edhe në procesin e futjes në UNESCO të disa veglave muzikore tradicionale të trevave kosovare.
 

“Disa herë Republika e Shqipërisë ka luajtur një rol të veçantë në këtë fushë. Ne kemi pasur raste të veçanta kur kemi pasur iniciativa për të futur në UNESCO, sidomos vegla të ndryshme artistike të vendit tonë“, shprehet Kujtim Gashi ish-ministër i Kulturës Kosovë.

Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit mbahet edhe në ditët e sotme nga shumë gra të zonës. Një prej tyre është dhe 62-vjeçarja Rabije Hodaj, e cila thotë se e mban këtë veshje prej 1975 dhe ka kaluar disa etapa të saj, pasi veshja hasiane ndryshon sipas moshës e ngjarjeve jetësore.

“Veshjet tona janë në bazë të moshës, mbi bazën e ngjarjeve si rastet mortore, për punë në bujqësi, dhe sidomos kur kthehej burri nga kurbeti, që ishte veshja më e bukur”, deklaron Rabije Hodaj, anëtare e SHKA “Malësori” Prizren.

Si fillim i mbarë i veshjes hasjane drejt UNESCO-s konsiderohet dhe pjesëmarrja e kësaj veshjeje në një festival ndërkombëtar në Zvicër, ku krahas veshjeve fizike do të shpalosen dokumente dhe dëshmi të grave hasjane për mënyrën e ruajtjes, teknikat e punimit dhe simbolikën e saj.