Egjipti me gjasa ka gati një plan me disa faza për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, njoftojnë disa media arabe. Sipas televizionit saudit, Ashark, në fazën e parë bëhet fjalë për të arritur një ndalim të luftimeve për të paktën dy javë. Në këtë fazë do duhet të lirohen edhe 40 pengjet e mbajtura nga Hamasi. Kurse Izraeli do duhet të lirojë 120 të burgosur palestinezë. Ky raportim i referohet "burimeve të informuara" që nuk përmenden më tej.
Në fazën e dytë bëhet fjalë për një dialog kombëtar palestinez nën patronazhin e Egjiptit. Ky pasazh i referohet rivalitetit mes dy grupeve më të mëdha të organizuara palestineze, Fatahut të presidenti Mahmoud Abaz dhe Hamasit islamist, që nga Izraeli, SHBA, BE, Gjermania e disa vende arabe kategorizohet si organizatë terroriste.
Faza e tretë parashikon një armëpushim të plotë dhe një marrëveshje të zgjeruar për këmbimin e pengjeve dhe të burgosurve. Në fund ky plan, sipas të dhënave të raportuara, parashikon tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës. Deri tani nuk ka njoftime zyrtare për këto plane. Dihet, se kreu i Hamasit islamist, Ismail Hanija ka qenë më parë me një delegacion në Egjipt për bisedime. Egjipti e sheh veten në rolin e ndërmjetësuesit në këtë konflikt.
Ushtria izraelite ka gjetur ndërkohë kufoma e pesë pengjeve në një rrjet tunelesh në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Ushtria bëri të ditur, se kufomat e tre ushtarëve dhe dy civilëve që u rrëmbyen nga Hamasi më 7 tetor janë gjetur në një sistem tunelesh shumë të gjerë dhe të thellë në zonën e refugjatëve Xhabalia.
Luftime në Khan Junis
Ndërkohë ushtria izraelite vazhdon luftimet në Rripin e Gazës pa ndalur duke u përqëndruar në jug të rajpnit. Sipas të dhënave luftimet kryesore përqëndrohen në një "bastion tjetër të Hamasit, Khan Junis", ka bërë të ditur një zëdhënës i ushtrisë izraelite, Jonanathan Conricus pvr televizionin Fox News. Në një takim të kabinetit qeveritar izraelit, kryeministri Netanjahu është shprehur se "lufta do të jetë e gjatë". Ai pranoi, se lufta kërkon "një çmim shumë të lartë". Por Izraeli do të vazhdojë "me të gjithë fuqinë, deri në fund, deri në fitore, deri sa të arrijmë të gjitha qëllimet tona", ka thënë Netanjahu. Ushtria izraelite më parë kishte bërë të ditur, se vetëm nga e premtja ishin vrarë 14 ushtarë të tjerë në Rripin e Gazës.
Ndërkohë kryeministri izraelit, Netanjahu hodhi poshtë raportimet, sipas të të cilave, Izraeli nën presionin e SHBA ka hequr dorë nga zgjerimi i luftës në Liban. "Kam parë publikime të pavërteta, që pretendojnë se SHBA na kanë penguar dhe na pengojnë në misione në rajon", tha Netanjahu. "Kjo nuk është e vërtetë. Izraeli është një shtet sovran." "Wall Street Journal" kishte raportuar, se Biden kishte bindur Netanjahun, të mos sulmojë milicët e Hizbollahut në Liban. Kurse në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, Biden në telefonatën me Netanjahu kishte biseduar për "qëllimet dhe fazat" e aksionit ushtarak izraelit. Biden kishte theksuar "nevojën kritike" që të mbrohet popullata civile dhe mbështetësit e ndihmave humanitare dhe se ka rëndësi që të lejohen civilët të largohen nga zonat e luftës./DW