Gjatë inagurimit të qendrës shëndetësore të Libofshës merrnin pjesë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu, ambasadori zvicerian në Tiranë z. Christoph Graf, drejtori i projektit Shendet per te Gjithe dr. Besim Nuri, autoritetet vendore, etj.
“Qendra e rehabilituar e Libofshës garanton sot shërbim me standarte, afër vendbanimit për 10 mijë banorët e kësaj zone. Ky është një model i qendrave shëndetësore që duam të shtrijmë në të gjithë vendin me programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në 4 vite. Model i integruar i rehabilitimit të infrastrukturës, pajisjes së mjekëve dhe infermierëve me çantat që përmbajnë pajisjet e nevojshme si dhe trajnimi i tyre”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Projekti tashmë i konsoliduar ‘Shëndet për të Gjithë’ ka bërë të mundur të kemi sot 6 qendra model në qarkun e Dibrës dhe Fierit.
Ambasadori Graf garantoi vijimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për fuqizimin e kujdesit parësor.
“Infrastruktura e mirë dhe investimi në pajisje janë të nevojshme për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, por ky është vetëm fillimi. Faktorët e tjerë për një kujdes shëndetësor cilësor janë trajnimi, njohuritë dhe motivimi i mijëra njerëzve që punojnë si profesionistë të shëndetësisë”, tha ambasadori Graf.
12 qendra të tjera shëndetësore do të rehabilitihen në qarkun e Fierit, Dibrës dhe Tiranës, në kuadër të projektit ‘Shëndet për të Gjithë’, në vijim të bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me Agjencinë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
d.b/shqiptarja.com












