Një fotografi e rrallë varrimi i Kupit

Një fotografi e rrallë varrimi i Kupit
TIRANE- Në këtë fotografi që bëhet publike për herë të parë, duken Haxhi Nimani dhe veterani i legalitetit Musli Mulosmanaj, duke i bërë roje nderi para arkivolit me trupin e Heroit Abaz Kupi, mbuluar me flamurin kombëtar. Nderim, thotë Mulosmani, Kryetarit të përjetshëm të ish Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit(OKLL) (sot Partia Lëvizja e Legalitetit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

I përjetshëm kujtimi i Tij. Abaz Kupi lindi në Krujë, më 6 gusht 1892, në një familje me origjinë nga Kurbini. Bashkëpunon me Esat pashë Toptanin në 1914-n e bashkë me parinë e Krujës dalin kundër Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme. Me formimin e qeverisë kombëtare të Lushnjës, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun ai mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik. Merr pjesë në kryengritjet e M. Merlikës, B. Currit dhe Elez Isufit në shkurt-mars 1922. Më vonë u gradua major dhe shërbeu në Durrës më 1934-n.

Në ditët e agresionit fashist Italian, më 7 prill 1939, A. Kupi udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit dhe me pushtimin e Shqipërisë u largua në Stamboll, Turqi. Në vitin 1939 familja e tij e përbërë nga tre djemtë Petriti, Rustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat u internua në Himarë. Gjatë Luftës II Botërore, familja Kupi u dërgua në Itali dhe u mbajt e burgosur në burgun e Brindizit. Më pas i dërguan në një kamp internimi deri në vitin 1942 dhe më pas u lanë të lire.

Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët kryesorë të Konferencës së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. Më 26 korrik 1943, ora 11.00 para dite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes, të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga KANÇ. Më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që synonte rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Më 24 tetor 1944 Abaz Kupi u largua nga atdheu. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat u internuan në Tepelenë e më pas në Myzeqe.

Në emigracion organizoi mërgimtarët për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me president Mit’hat bej Frashërin, që do zëvendësohej nga Hasan Dosti. Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin “Valuable” – organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri.

Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara. Vdiq në vitin 1976 në SHBA, New York, trupi i tij prehet në Kew Gardens Cemetery në Queens.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës