Një lexim teknik i
rezultateve të 23 qershorit

Një lexim teknik i<br />rezultateve të 23 qershorit
Analiza politike e zgjedhjeve të 23 qershorit ka nisur tashmë të bëhet nga parti, grupime, rrjete profesionale dhe media. Natyrisht që një analizë serioze kërkon qetësi, arsyetim profesional, largim të emocioneve të humbjes/fitores dhe argumente të provuara, - elementë të cilët në këtë fazë kohore përgjithësisht mungojnë. Sipas traditës para-demokratike shqiptare, ai që humbet, edhe kur është qeveri, - ankohet për vjedhje votash, ai që fiton, edhe kur fitorja vjen nga vota kundër palës tjetër, - e himnizon meritën e tij. Po ashtu, edhe parti që kanë fituar vota për merita informale, kryesisht pagesa dhe sistem mafioz shkëmbimi, - mbeten jashtë analizës për sa kohë që ato marrin pushtet dhe shumica pritet të shkojë me fituesin. Shprehja “Rroftë mbreti! Poshtë mbreti”, tipike për shoqëri populiste, vlen edhe për realitetin shqiptar, ku parti d.m.th, pushtet, vend pune, status social, garanci investimi, mbështetje biznesi, ose të kundërtat e tyre.
Për të gjitha këto motive, qëllimi i analizës së mëposhtme është leximi teknik i zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre. Gjë që natyrisht ka vlerë sidomos për ata që merren me fushë studimore dhe duan të lexojnë tek turmës që feston me shampanjë apo derdh lot për kryetarin që ndryshoi zyrë.
 
Vota historike kundër, - më shumë se një milion
 
Duke llogaritur faktin se koalicioni i majtë fitoi zyrtarisht 993,904 vota ose 57.6% të votave kombëtare, dhe se jashtë tij votë për rotacion politik llogariten edhe 40 mijë vota të marra nga FRD e AKZ apo disa mijëra vota të tjera nga dy parti të tjera të majta jashtë koalicioneve dhe dy kandidatë të pavarur, (të majtë) atëherë shifra e votave për rotacion tejkalon edhe formalisht shifrën prej 1 milion votash dhe mund të krahasohet vetëm me votën e rotacionit politik më 1992. Numerikisht e tejkalon edhe atë me disa qindra vota. Fakti që kjo ndodh 21 vjet më vonë, në kushtet kur zgjedhje nuk bëhet për ndryshim sistemi dhe kur fryma e ndryshimit nuk dukej e njëjtë si më 1992, lidhet me votën e ndërgjegjshme, të kalkuluar pavarësisht motiveve, dhe kështu, mbetet një votë unike në historinë e pluralizmit politik në Shqipëri. Madje demokratët morën 528 mijë vota ose 232 mijë vota më pak sesa opozita antikomuniste e drejtuar nga PD, fitoi në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991.
Në dallim nga 1991 kemi rënie të numrit të votuesve me rreth 200 mijë zgjedhës, por në dallim nga viti 1992, zgjedhje të gjithë-pranuara në standarde dhe rezultat, më 2013 morën pjesë rreth 400 mijë zgjedhës më shumë, kurse në dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare 2009, pjesëmarrja në zgjedhje këtë herë u rrit me 205 mijë vota ose rreth 150 mijë vota më shumë edhe se në zgjedhjet lokale 2011. Kjo rritje natyrshëm u shkon partive opozitare dhe partive të reja, sepse përbëhet nga votues më të motivuar për të shkruar në votime, gjë që tradicionalisht nuk ndodh me palën në qeveri.
 
PS me 175 mijë vota më shumë se PD në 4 vjet
 
Koalicioni i majtë siguroi 17.5% më shumë vota sesa koalicioni i djathtë, shifër me hendek domethënës krahasuar me 2009. Tabela përmbledhëse e zgjedhjeve nxjerr në pah diferencën e thellë midis palëve kryesore në zgjedhjet e 23 qershorit. LSI ka rritjen më të madhe matematikore me 106 mijë vota më shumë sesa më 2009, ndjekur nga PS me 92 mijë. Rritje të njëjtë kanë FRD dhe PDIU, e para jashtë koalicioneve dhe e dyta si pjesë e koalicionit të djathtë, me rreth 30 mijë vota secila. Rritje shënoi edhe PR, gjysma e të cilës erdhi nga votat që mori në Durrës nga pjesë të së majtës (kandidat i saj ishte një ish eksponent i qeverive dhe parlamenteve të majta).
Surprizë ishte rezultati i një partie të vogël dhe të re politike, PKD në qarkun Shkodër, sidomos në zonën e Pukës kur mori në total rreth 8 mijë vota, shumë me tepër sesa mbi 50 parti të tjera konkurruese në zgjedhje. 

Krahasuar me 2009 kur PS ishte 10 mijë vota përpara PD në zgjedhjet e fundit rezultati u thellua në 175 mijë vota, një rezultat dhe diferencë shumë e thellë. PR dhe PDIU siguruan rritje votash kryesisht për shkak të cilësive personale financiare të kandidatëve respektivë, shumica e tyre pa lidhje direkte ose formim politik, gjithsesi votat e tyre të përfituara në koalicionin e djathtë nuk arritën të zëvendësojnë efektin LSI tek e majta. Kjo e fundit, duke përfituar nga qëndrimi me njërën këmbë në pushtet (të vjetër) dhe me tjetrën në opozitë (pushtet të ri) maksimalizoi votat dhe mbështetjen, tej parashikimeve të saj. Interesant është fakti se megjithëse LSI mori 2.5 herë më shumë vota sesa më 2009, pesha politike e saj mbetet e njëjtë si më 2009 në koalicion me PD. Për shkak të sistemit zgjedhor dhe politik, një parti si ajo, si me 4 ashtu edhe me 16 deputetë, ka të njëjtën vlerë dhe peshë në vendimmarrjen politike, dje me të djathtën dhe sot me të majtën. Penalizmi që iu bë më 2009 u kthye në përfitim më 2013, nga i njëjti sistem zgjedhor.
 
Rënie drastike e partive historike të majta-djathta
 
Sipas tabelës, më 2009 patëm 34 subjekte zgjedhore nga 66 më 2013. Rritja e subjekteve zgjedhore nuk e rriti ndjeshëm konkurrencën e partive të vogla politike. Në këto zgjedhje pati dy subjekte të reja politike, FRD dhe AKZ, jashtë koalicioneve të mëdha, siç pati krijim në minutën e fundit të partive të reja politike si taktikë elektorale, siç ishte Aleanca Popullore tek e majta. Kjo parti tërhoqi rreth 9 mijë vota nga komuniteti çam dhe mbështetësit e saj, - një rezultat surprizë dhe i njëjtë me AKZ, e cila zhvillonte aktivitet prej një viti dhe kishte pretendime shumëfish më të mëdha. Nëse votat e AP si parti e komunitetit çam, do të bashkoheshin me PDIU, do të kishim më shumë se një mandat shtesë, pasi në të paktën tri qarqe diferencat e mandatit shtesë u përcaktuan nga një minimum votash.
Rënia drastike në zgjedhje shënuan parti të vjetra 22 vjeçare siç ishin Partia Agrare apo Aleanca Demokratike, Legaliteti, LZHK dhe Balli Kombëtar, por edhe partitë e vjetra të së majtës, sidomos socialdemokratët. PAA humbi mbi 80% të votave nga 2009, PSD humbi mbi 60% të votave, PAD mbi 75% të votave, LZHK mbi 50% të votave dhe të tjerat në nivele 40-50% të votave. Partia e vetme “e vjetër” që i mbijetoi sistemit edhe pse nuk mori mandat parlamentar është PDS e drejtuar nga P.Milo, e cila fitoi 11.8 mijë vota, shifër e pamjaftueshme për një mandat për shkak të sistemit, por de facto prodhuese për një mandat të majtë PS/LSI.
Partitë e vetme të vogla me qëndrueshmëri votash mbeten PDK me vetëm 20 vota diferencë midis katër viteve apo PS91 me një diferencë rreth 400 votash. Interesant është rasti i PBDNJ, e cila në këto zgjedhje mori 3.3 mijë vota më pak sesa më 2009, ekzaktësisht sa mori MEGA, fraksion i saj i krijuar nga e djathta. MEGA mori 3.3 mijë vota duke dështuar se vota minoritare vijon të mbetet e njëjtë, rreth 18 mijë vota kombëtare në dy zgjedhjet e fundit parlamentare.
Një shifër minimale votash mori edhe partia e drejtuar nga avokat Ngjela (2499 vota), shifër larg pritshmërive dhe pretendimeve të saj maksimaliste. Në shifra krahasuese dështim ishte edhe projekti politik G99 me 2.9 mijë vota. Vetë kandidati i pavarur Dritan Prifti ka marrë më shumë vota i vetëm sesa Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Balli Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, PAD dhe PAA dhe parti të tjera me përfaqësim politik dhe me pretendime të mëdha elektorale.
Ndërkohë ekzistojnë një numër i madh prej 25 partish politike me më pak sesa 1000 vota, ku bien në sy emrash partish si Partia e Punës, Partia Komuniste, Rruga e Lirisë e drejtuar nga ish i përndjekurit K.Kola, Uniteti Kombëtar (më 1997 parti parlamentare) drejtuar nga avokati I.Beqiri, grupimi demokristian i drejtuar nga Z.Bushati, (ish deputet më 1997) etj.
 
Një e treta e partive – me vota sa minimumi ligjor
 
Ekzistojnë disa parti politike me më pak sesa 500 vota, siç janë Bashkimi i Pensionistëve (406) tek koalicioni i djathtë, si dhe Toleranca e Re (287), lëvizja Punëtore (316), Personat me aftësi të kufizuar (459), partia e çështjeve shqiptare (476), Partia Ambientaliiste (452), Bashkimi Republikan (489) tek koalicioni i majtë. Jashtë koalicioneve rezultat modest me 416 vota arriti Partia Popullore Kristiandemokrate, e cila bëri lajm kur u bë partia e parë shqiptare që merr gjobë për shkak të numrit të madh të femrave të përfshira në listën e kandidimit.
Të gjitha këto parti, në gjuhën teknike vështirë të meritojnë mbijetesën politike, gjë që praktikisht garantohet për shkak të sistemit të patronazhit dhe mungesës së neneve ligjore që detyrojnë një parti të marrë një numër minimal votash, të paktën sa numri minimal për krijimin e një partie politike. Nëse ligji mbi partitë do detyronte partitë të merrnin më shumë se 3 mijë vota, (numri minimal i kërkuar për miratim), atëherë nga 66 parti politike konkurruese më 2013 do të mbijetonin vetëm 10 nga 37 partitë e koalicionit të djathtë si dhe 8 parti nga 24 partitë e koalicionit të majtë, si dhe dy nga katër partitë jashtë koalicioneve. Pra do të kishim vetëm 20 parti politike konkurruese, numër normal për një sistem partiak të fragmentarizuar dhe sistem zgjedhor proporcional.
 
Partitë parlamentare dhe mërkato e deputetëve
 
Sipas të dhënave, numri i partive parlamentare më 2009-2013 ishte 6 (PS, PD, LSI, PR, PBDNJ, PDIU). FRD mori një deputet gjatë mandatit, por nuk u cilësua parti parlamentare. Në rrethanat e reja zgjedhore kemi de juro rritje të numrit të partive parlamentare nga 6 në 7 parti (PKD) dhe de facto nga 6 në 9 parti (duke shtuar LZHK dhe PDK, PKD). LZHK dhe PDK nuk konsiderohen parti parlamentare për shkak se kanë siguruar mandat përmes listës emërore të PD, pra gjatë gjithë legjislaturës vijojnë të quhen deputetë të PD-së..
Gjithsesi tendenca dhe qëllimi i sistemit të ri zgjedhor për të evituar parcelizimin e parlamentit nuk funksionoi dhe nga 10 parti më 2005 u arrit në 9 parti më 2013, pra kthim në pikën zero. Kjo vjen për shkak të pafuqisë së partive të mëdha për tu bërë përfaqësuese popullore dhe nevojës së elektoratit për të gjetur zëra të rinj përfaqësues. Fakti se kemi 66 parti dhe që secila konkurron dhe tërheq vota, pavarësisht numrit të tyre apo që partitë e reja marrin mbi 40 mijë vota, tregon se tendenca e një pjese aktive të elektoratit gri është kërkimi i një alternative të re të ndryshme.
Problemi tjetër do të jetë fenomeni i mërkatos parlamentare. Në legjislaturën e kaluar ndryshuan parti disa deputetë, tre më të bujshmit ishin Islami, Kadeli dhe Dogjani, tri vota socialiste që shpëtuan për një muaj qeverinë e djathtë. Në legjislaturën e re pritet të ketë lëvizje të reja deputetësh. P.sh, është paralajmëruar bashkimi i dy deputetëve demokristianë në një parti (njëri aktualisht është me të majtën, tjetri me të djathtën), dy deputetë të majtë në PD mund të kërkojnë një pozicion të ri që i largon nga qëndrimi shumëvjeçar në opozitë, grupi i PDIU deklaroi fillimisht se është gati të kalojë në koalicionin tjetër, etj, etj.
 
LZHK dhe PDK marrin deputetë, por humbasin financimin
 
Në bazë të Kodit Zgjedhor kandidatët që zgjidhen deputetë në listat e partive të tjera politike mund të ndryshojnë parti, por përkatësia dhe emërtimi i tyre për efekt financiar dhe administrativ mbetet i njëjtë. Pra, deputetët Mediu, Ndoka, Idrizi, Shehi, Braho, Marto mund të deklarohen në emër të partive të tyre të vërteta politike, por zyrtarisht ata janë dhe mbeten deputetë të PD dhe PS, që në momentin që kanë hyrë në listat e tyre elektorale. Për pasojë, më të dëmtuarit janë LZHK dhe PDK, pasi kanë dy parti që nuk do të përfitojnë financim elektoral dhe as trajtim si parti parlamentare, edhe pse kryetarët e tyre kanë fituar mandat parlamentarë, falë përfshirjes në listat e PD-së.
Ligji elektoral parashikon financim dhe mbështetje me zyra për cdo parti që merr deputet ose mbi 1% të votave në zgjedhjet e fundit ose në tri zgjedhjet parlamentare. Në rastin aktual deputetë kanë fituar 7 parti (PS, PD, LSI, PBDNJ, PR, PDIU dhe PKD) kurse mbi 1% të votave, por pa mandat parlamentar është edhe FRD. Kur bëhet fjalë për përfitim nga fondi 10% i buxhetit shtetëror për partitë (neni 19 i ligjit mbi partitë politike) pasojat e zgjedhjeve të fundit janë të dukshme. Psh, FRD nuk ka deputet, por përfiton nga buxheti për shkak të 1.7% të votave të fituara. Dy parti të tjera që kanë fituar deputet de facto, sic janë LZHK dhe PDK, me nga 0.3% dhe 0.7% të votave në zgjedhjet 2013, pavarësisht deputetit të dhuruar nga PD, nuk përfitojnë financim nga buxheti shtetëror.
 
Falë Mega-dushkut 2005, zyra shtetërore falas për 13 parti parti politike
 
Ligji është i ndryshëm kur bëhet fjalë për pajisjen me zyra qendrore e vendore për partitë politike. Përveç partive parlamentare, përfitojnë edhe parti të tjera, të cilat kanë marrë më shumë se 1% të votave në tri zgjedhjet e fundit parlamentare. Përfituese janë PS, PD, LSI, PBDNJ, PR, PDIU, por edhe FRD, e cila përfaqëson një subjekt të ri politik, pa mundësi konkurrimi në zgjedhjet e mëparshme, konsiderohet e mirëqenë shifra prej 1.7% dhe për pasojë, përfiton nga fondi mbi partitë politike.
Nga ana tjetër përfitojnë edhe dy partitë e përmendura më lart, siç janë LZHK dhe PDK. LZHK fitoi 3.5% të votave më 2005, 0.71% të votave më 2009 dhe 0.31% më 2013. Mesatarja e tri zgjedhjeve shkon 1.5% të votave, - pra mbi kufirin prej 1% që kërkohet nga ligji i partive politike për pajisjen me zyra nga shteti (neni 22 i ligjit). PDK mori 3.26 më 2005, 0.88% më 2005 dhe 0.77% më 2013, pra me mesatare 1.63 në tri zgjedhje, shifër e mjaftueshme për detyrimin shtetëror për pajisjen e saj me zyra.  Përfitim për shkak të ligjit kanë edhe PSD (me 12.7% të votave më 2005 dhe vetëm 0.59% më 2013, PAA me 6.5% më 2005 dhe vetëm 0.15% më 2013, PAD me 4.7% më 2005 dhe vetëm 0.08% më 2013, si edhe PDS me 4.25% më 2005 dhe vetëm 0.69% më 2013. Nga të djathtët humbet mbështetjen për zyra Balli Kombëtar, e cila mori rezultat të mirë më 2005, por rezultate negative më 2009 dhe 2013.
Siç shihet, ligji i partive politike është bërë në mënyrë të tillë që të përfshijë në llogaritje për trajtim shtetëror edhe vitin 2005, vit kur zgjedhjet aplikuan sistemin e Dushkut të madh, dhe ku partitë e mëdha dhuruan vota për partitë e vogla aleate. Nëse ky ligj nuk ndryshon më 2017, bazuar në të dhënat zgjedhore të deritanishme, do ta humbin detyrimin shtetëror për pajisje me zyra edhe LZHK, PSD, PDS, PAA, PAD, etj.
 
12 mijë vota për një mandat dhe “kurthi i sistemit”

Sistemi proporcional rajonal ofron kalkulime të tjera elektorale nga ai kombëtar. Çdo votë në një qark që nuk përkthehet në mandat nuk ka vlerë kombëtare, ndaj suksesin kryesor varet nga forca lokale e partive. Në gjuhën politike raporti midis një mandati dhe mesatares së votës përcakton ndershmërinë e votimit. Le të shohim rastin aktual të zgjedhjeve 2013.
Vlera e një mandati tek PS arrin 10.9 mijë vota nga 9.5 mijë vota që ishte më 2009. Vlera e një mandati tek PD (2013) shkon në 10.5 mijë vota rreth 400 vota më pak sesa një mandat i PS, nga 8.9 mijë vota më 2009. Pra vlera e një mandati tek PD ka lëvizur plus 1.6 mijë vota nga 2009 në 2013. Vlera e një mandati tek LSI më 2009 ishte 18.4 mijë vota, më 2013 u bë 11.2 mijë vota. Siç shihet, i njëjti sistem zgjedhor e favorizoi shumë më tepër LSI në koalicion (me PS më 2013) në krahasim me daljen më vete më 2009. Mandati për LSI më 2013 shkon 700 vota më shumë sesa një mandat për PD dhe 300 vota më shumë sesa një mandat i siguruar nga PS. Për partitë e tjera politike mandatet luhaten sipas koalicioneve: për PR një mandat ka vlerën e 17.3 mijë votave, për PDIU një mandat merr mesatarisht 11.2 mijë vota, për PBDNJ 14.7 mijë vota, si dhe për PKD 7.9 mijë vota. Mesatarja kombëtare e votave për një mandat parlamentar ishte 12.319 mijë vota, e përafërt vetëm në rastin e PDIU, dukshëm më e lartë sesa mesatarja e votave për mandat të PD, PS, LSI, etj, dhe dukshëm më pak sesa në rastin e PR-së dhe PBDNJ-së.
Në një sistem të pastër proporcional kombëtar, humbësit më të mëdhenj nga mandatet e fituara aktualisht do të ishin partitë e mëdha politike PS dhe PD, secila me të paktën 4-7 deputetë më pak sesa fituan me 23 qershor. Votat e partive nën kufirin llogaritës do të shkonin përsëri për partitë më lart, duke minimizuar mandatet e humbura siç tregon tabela, numrat në kllapa. Në total do të kishim 17-25 deputetë që do të ndryshonin nga përbërja aktuale e parlamentit. Përfituese e sistemit proporcional lokal rezulton edhe LSI dhe PBDNJ, ndërkohë që më e dëmtuara rezulton FRD si dhe tri partitë e tjera, PDS, PSD, PDK të cilat do të siguronin mandat parlamentar. Duke krahasuar tabela të tilla, del më në pah arsyeja strategjike sesi partitë e mëdha mbajnë me konsensus një sistem votimi që u jep atyre më shumë mandate sesa vota popullore.
 
Vota rajonale po krijon më shumë parti lokale
 
Për shkak të sistemit rajonal ishte e pritshme rendja e partive të treta drejt garës dhe modelit lokal të konkurrimit. Mbi 90% e partive politike që konkurruan në zgjedhje nuk kanë mundësi të zhvillojnë aktivitet kombëtar elektoral, ndaj janë të pritura për zgjidhje afatshkurtër: forcim të strukturës dhe identitetit të tyre lokal. Tipik është rasti i suksesit të disa partive politike edhe në këto zgjedhje.

Konkretisht PDIU, e cila fitoi 5 deputetë në nivel kombëtar, në total mori 44 mijë vota, nga të cilat 6.7 mijë vota në Vlorë, 9.1 mijë në Tiranë, 12 mijë në Elbasan dhe 9 mijë në Fier, pra në total 36 mijë nga 44 mijë votat kombëtare në vetëm katër qarqe. Në 8 qarqet e tjera ajo mori 8 mijë vota, ku bien në sy vetëm 247 vota në qarkun Shkodër, 594 vota në qarkun Lezhë apo 541 vota në qarkun Kukës. Edhe Partia Republikane, parti me sukses përfaqësimi lokal, siguroi rreth 50% të votave kombëtare në vetëm tri qarqe: Durrës 10.5 mijë, Tiranë 10 mijë dhe Elbasan 6.2 mijë, tri qarqe ku nuk kandidoi asnjë figurë drejtuese e kësaj partie. LSI, forca e tretë dhe surprizë e zgjedhjeve, mori 21.5 mijë vota në Berat (një nga qarqet më të vogla në vend) dhe 35 mijë në Tiranë, qarkun me numër deputetësh katër herë më të lartë sesa Berati.

Referuar partive të tjera më të vogla, surprizat dhe thekset lokale marrin vlerë të veçantë. FRD mori 10 mijë vota në Tiranë dhe 4.6 në Durrës ose 50% të shifrës kombëtare të votave. AKZ mori gjithashtu në Tiranë gjysmën e votave kombëtare. Balli Kombëtar mori në Vlorë mbi 60% të votave totale kombëtare, Aleanca Arbënore mori në Krujë 1.3 mijë vota nga 3.5 mijë votat kombëtare, Partia e Gjelbër mori në Elbasan 1.5 mijë vota nga 2 mijë votat kombëtare ose rreth 80% të votave totale. Një parti tjetër me theks lokal, Mendimi i Djathtë Liberal mori 931 vota në Shkodër nga 1210 vota totale kombëtare, pra gjithashtu rreth 80% të votave kombëtare. Aleanca Maqedone nga 1.2 mijë vota kombëtare shumicën e tyre (885) i siguroi në Liqenas (Korçë) ku praktikisht u rendit forcë e dytë politike.

Rekord mbetet Partia Kristiandemokrate me 6.7 mijë vota në Shkodër nga 7.9 mijë votat totale kombëtare, si dhe PSV91 me 4.3 mijë vota në Fier nga 6.1 mijë votat totale kombëtare. PBDNJ mori vetëm 555 vota në Tiranë, qarkun me 32 deputetë, ndërkohë që fitoi 6.3 mijë vota në Vlorë, 3 mijë në Korçë dhe 1.8 mijë në Gjirokastër. Aleanca Popullore mori 8.9 mijë vota kombëtare, por 3.3 mijë i siguroi vetëm në Fier dhe 2.1 mijë në Elbasan, pra në dy qarqe mori më shumë se 60% të votave kombëtare. Një parti tjetër lokale, LZHK mori në Tiranë 2.2 mijë nga totali prej 5.4 mijë vota kombëtare. Një e treta e votave të PSD u mor vetëm në Fier, dhe bashkë me Tiranën këto dy qarqe dhanë më shumë se 55% të votave kombëtare të kësaj partie.
Në disa raste shohim lexim votash personale të kandidatëve që janë zgjedhur nga partitë për të drejtuar listat lokale, pa lidhje thelbësore me partinë dhe identitetin që ajo përfaqëson. Për shembull, në Dropull, zonë tërësisht minoritare, PBDNJ rezultoi parti e katërt politike në zgjedhje; në Lazarat zonë bastion e PD në 23 vjet, vendi i parë i takoi kandidatit republikan të qarkut; PLL mori rreth dy herë më shumë vota vetëm në rrethin e Kukësit sesa në total në qarkun e Dibrës ku konkurroi edhe kryetari i saj; në Malësinë e Madhe një parti e panjohur si Partia Social-Punëtore mori 8 herë më shumë vota se një parti me përfaqësim historik në atë zonë, sic është PDK; në zonën më të përndjekur politike, zonën e Mbishkodrës partitë e djathta të Ngjelës, Kolës dhe Shehit rezultojnë me 0 vota, ndërkohë që partitë komuniste kanë siguruar kudo vota.

Në disa zona LSI ishte forcë e parë duke lënë pas edhe PS. Nëse ky nuk është lajm surprizë për Skraparin ku LSI kryeson me 600 vota, përbën lajm kryesimi i saj me 200 vota në Buçimas (Pogradec) apo në Shishtavec (Kukës). Në një tjetër komunë, si Ndroqi (Tiranë) LSI mori rreth 200 vota më shumë sesa PD. PDK me mbështetës të dukshëm të zonave katolike mori vetëm 1.2 mijë vota në qarkun kryesor të veriut, Shkodër, ndërkohë që fitoi 1.9 mijë vota në Fier apo 1.2 në Vlorë, qytete pa komunitet katolik. Në Skrapar, zonë bastion e të majtës, Partia Komuniste mori një votë,  kurse PBDNJ e MEGA nga 3 vota secila, megjithëse për më shumë se një mandat kryetari i bashkisë kryesore ka qenë përfaqësues i kësaj partie. Në Himarë një parti si PDK mori më shumë vota sesa kandidati i pavarur Arben Malaj dhe partia MEGA e minoritetit grek. Në këtë bashki AKZ mori vetëm 1 votë, rezultat që vlen edhe për PPSH-në në Gjirokastër. Po ashtu në Vlorë, komuna Novoselë, zonë e njohur për përfaqësim shumëvjeçar të PSD, kjo e fundit mori 28 herë më pak vota sesa kandidati i pavarur Malaj.

LSI siguroi mandat në Korçë, por numri i votave të saj në gjithë bashkinë Korçë është i barabartë me numrin e votave që siguroi në komunën Buçimas të Pogradecit. Në Kavajë LZHK dhe PR kanë pasur përfaqësim dinjitoz në vite, kurse këtë herë AKZ mori 10 herë më shumë vota sesa LZHK dhe 100 vota më shumë sesa PR. PBDNJ fitoi 22 herë më shumë vota se AKZ në Tropojë, PDIU mori shumë me tepër se partitë kristiane së bashku në të njëjtin rreth, ndërkohë që në Pukë partitë ambientaliste dhe të gjelbra kanë së bashku vetëm 1 votë, kurse parti me theks ideologjike kanë siguruar qindra vota. Në Tepelenën e disa ngjarjeve me theks nacionaliste AKZ mori dy herë më pak vota sesa PBDNJ, kurse një parti krejt minore si PBL mori shumë më tepër vota sesa shumica e partive të vogla historike në qarkun e Lezhës. Në bashkinë Vlorë kandidati i Ballit Kombëtar mori katër herë më shumë vota sesa FRD dhe disa herë më shumë vota sesa partia tjetër e re, AKZ.


(v.gj/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Renditja/ Superliga mbyll vitin 2024, Teuta barazon pa gola me Bylisin! Tifozët numërohen me 'gishtat e një dore'

Renditja/ Superliga mbyll vitin 2024, Teuta barazon pa gola me Bylisin! Tifozët numërohen me 'gishtat e një dore'