Një libër dhuratë për
"shqiptarin" Al Bano Karrisi

Një libër dhuratë për <br />"shqiptarin" Al Bano Karrisi
Më 16 korrik, në Komunën e Celino San Marko, vendlindja e këngëtarit Italian Al Bano Karrisi, do të bëhet promovimi i librit "Dashuri shqiptare për Al Bano" i autores Zenepe Luka.
Në këtë veprimtari që ka një program të gjerë, me ftesën e kryetarit të Komunës Avv.Francesco Cascione, është ftuar dhe do të marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe zonja e Parë Teuta Topi, që kanë konfirmuar pjesmarrjen.
Veprimtaria është shtyrë disa herë për shkak të impenjimeve që ka patur këngëtari Al Bano me koncerte në disa shtete të botës, e cili e konsideronte shumë të rëndësishme pjesmarrjen e tij, pasi sikurse është shprehur ai: "Kjo është një ngjarje e shënuar në jetën time, pasi në gjuhën italiane preka dashurinë shqiptare për mua dhe këngën time". Libri është një tjetër dhuratë për këngëtarin italian që është i lidhur aq shumë me Shqipërinë dhe ka për autor kryetaren e shoqatës me emrin e tij, gazetaren Zenepe Luka, përkthyer nga Laura Kule. Në 336 faqet e këtij libri janë vendosur edhe 50 foto me ngjyra, që tregojnë aktivitet që janë zhvilluar në Shqipëri nga shoqata "Al Bano Karrisi" me pjesmarrjen e këngëtarit.

Rrëfimi i autores
Autorja Zenepe Luka është shprehur për "Shqiptarja.com", duke treguar se çfarë e frymëzoi për të bërë librin "Dashuria shqiptare për Al Bano".
"Lexuesi Italian po merr në duar librin "Dashuria shqiptare për Al Bano", i vecanti libër në llojin e tij, që u botua nën kujdesin e Shoqatës kultutore "Al Bano Karrisi", që funksionon prej 16 vjetësh në Shqipëri. Ky botim është një tjetër dhuratë për këngëtarin e famshëm Italian, që do të promovohet në prag të 69 vjterit të lindjes, në vendlindjen e tij, Celino San Marko.
Është përkthimi i librit "Al Bano dhe Albania", që u promovua në qytetin e Vlorës, në Shqipëri, me rastin e 65 vjetorit të lindjes së këngëtarit, ku mori pjesë edhe vetë Al Bano, por i plotësuar edhe me evente të tjera të rëndësishme për këngëtarin dhe fansat e tij në vendin fqinjë, deri ne ditët që libri futet në shtyp"-thotë Luka.
Autorja e këtij libri, është njëra nga mijëra fanset në Shqipëri, që e ka dashur dhe e ka idhull këngëtarin, që kur ishte studente dhe e ndiqte fshehurazi teksa këndonte në festivalin e Sanremos. Dhe në vijimësi. Ajo pati fatin e madh, të bëhet mike e familjes Karrisi, që në maj të vitit 1993, kur shkoi për vizitë në Celino me rastin e 50 vjetorit të lindjes së këngëtarit, duke plotësuar ëndërrën e rinisë. Në respekt të kësaj miqësie formoi shoqatën kulturore "Al Bano Karrisi", e vetmja në botë, në janar të vitit 1996, në qytetin e Vlorës, që gjatë gjithë kohës ka organizuar veprimtari të mëdha kulturore në Shqipëri dhe Itali, duke shtruar kështu urën e miqësisë mes fansave dhe këngëtarit të tyre të zemrës.
"Zëri magjik i Al Banos, bukuria dhe dashuria e çiftit, karakteri i fortë, triumfi mbi suksesin e dhimbjet që i solli jeta, më kanë frymëzuar, më kanë dhënë kurajo për të përballuar vështirësitë e jetës, qoftë si gazetare, që më është dashur të riskoj shumë, ashtu edhe si nënë e bashkëshorte. Kënga e tij, mbetet një hymn i jetës sime"-thotë gazetarja Zenepe Luka.
Në faqet e këtij libri lexuesi Italian do të prekë, me fakte, intervista, foto, autografe, lidhjet shpirtërore, miqësinë e sinqertë, dashurinë dhe mirënjohjen e shqiptarëve për këngëtarin dhe e anasjellta, ku gur themeli mbetet babai i tij, Don Karmelo. Duke qënë tërë jetën shpirtërisht bashkë edhe pse na ndante një det, u arrit që Al Bano Karrizi, gjeniu i këngës italiane, të simbolizohet Shqipëria, ndërsa shpirti dhe dashuria shqiptare, të mbetet frymëzimi i përhershëm I tij.
E konsideroj fat për tokën time, që miqësia, mirënjohja e Karmelo Karrisit me Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk mbeti thjeshtë tek emri i të birit, që për fatin jo vetëm të familjes puljeze, të popullit italian, por edhe të Shqipërisë, do të shndërrohej në një mit, ikonë e këngës italiane. Në prag verbimi, Karmelo, pas 40 vjetësh, do të vizitonte Shqipërinë, që e deshi shumë kur ishte ushtar dhe pas kësaj Al Bano, do të shprehej: "Ardhja në Shqipëri e shëroi tim atë dhe ne pjestarët e familjes, "harruam" infarktin që ai kish kaluar." Emocionet e kësaj vizite, Al Bano, do t'i përcillte me këngën "Saranda Okinava", një nga perlat e fondit të tij muzikor, që këndohet nga të gjithë shqiptarët.
Ishte kjo lidhje, mirënjohje e dashuri për shqiptarët, që e sollën këngëtarin e madh, në skenën shqiptare, të parin këngëtar perëndimor, në vitin 1989, që mgriti peshë zemrat e tyre të lënduara nga regjimi komunist, ishte "Liberta" e të madhit Al Bano, që çeli portën e lirisë dhe të demokracisë në Shqipëri.
Dashuria shqiptare për këngën e tij, zë fill nga fëmija i posralindur që pagëzohet me emrin Albano dhe deri tek Presidenti i Republikës, që njeh dhe këndon këngët e tij. Është kjo dashuri që e bën Al Banon të shprehet publikisht në intervistat e tij se: "Shqipërinë nuk mund ta harroj kurrë" se Shqipëria është "vaksina" që më shoqëron në jetë", se "Një pjesë e shpirtit tim, është shqiptar. Kjo është zgjedhja ime".
Miqësia dhe dashuria për Shqipërinë nuk është thjeshtë e një familjeje puljeze me një vend mik, por shkon më tej. Është Karmelo Karrisi, fshatari nga Pulja, që kreu misionin e kundërt që i kish caktuar Musolini dhe ushtria e tij për ta pushtuar këtë vend. Ai largoi nga duart pushkën dhe farkëtoi paqen, dashurinë për tokën dhe njerëzit e saj. Kjo dashuri nuk mbeti tek Karmelo dhe tek i biri, që do të bëhej një simbol i këngës italiane. Ajo do të përcillej edhe në brezin e tretë. Këngëtari do t'i vinte emrin Albano djalit të tij të fundit, duke përjetësuar jo vetëm emrin dhe famën e tij, por tok me to edhe Shëipërinë. Ndoshta kjo foshnjë, do të përcjellë edhe një shekull tjetër me pasardhësin e tij, famën e gjyshit, këngëtarit të famshëm Al Bano Karrisit dhe bashkë me të emrin e Shqipërisë fqinje..

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin