Ahmet Zogu, Mbret i Shqipërisë (1928-1939), President i Shqipërisë (1925-1928) dhe Kryeministër (1922-1924 dhe 1925-1928) i Shqipërisë do të prehet në Shqipëri 50 vjet pas vdekjes. Ai ishte 44 vjeç kur Shqipëria u pushtua dhe u largua nga vendi, duke u kthyer 72 vjet më vonë, në vendin e kontrasteve të mëdha, të ndarë në mbështetës e kundërshtarë ashtu si në ditët e tij politike. Akti i kthimit të eshtrave të Zog është akt human dhe historik.

Çdo qytetar meriton të prehet në vendin e tij, çdo shtet respekton figurat dominuese të historisë së tij. Përkimi me 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar e bën rikthimin e Mbretit Zog edhe një akt pendese të shtetit, fundin e një padrejtësie historike dhe një reflektim me vlerë qytetare. Natyrisht, përkimi i të gjithë kësaj ngjarje me aktualitetin politik në vend dhe përpjekjen e qeverisë për të zhvendosur nderimet, për të krijuar paralelizma midis Zogut e Qemalit, midis pavarësisë dhe monarkisë, etj, vjen në kontrast të plotë me këto vlera dhe reflekton kulturën e brishtë politike që ende dominon në tokën e shqiponjave.

Nuk ka dyshim se titullari i sotëm i qeverisë është i dashuruar pas modelit të Mbretit Zog si sundimtar absolut, si "lartmadhëri", dhe jo ndaj vetë individit Zog, të cilin e denigroi dhe e ndaloi në përpjekjet për rikthimin e parë më 1993-1995. Kjo dhe interesi i tij për vota elektorale mbretërore më 2013 krijojnë ilaritet e konfuzion, gjithsesi, jashtë tyre, organizimi ceremonial në Paris, pritja ceremonial në Rinas, nderimet në Tiranë dhe fjalimet zyrtare në rivarrim në prani të Presidentit të Shqipërisë dhe Kosovës, janë simetrike me nderimin e një kryetari shteti, ndaj me gjithë interpretimet, janë të justifikueshme.

Ahmet Zogu e meriton një varr në Shqipëri, siç monarkia shqiptare meriton një vlerësim, një muze, një shenjë kujtese dhe reflektimi gati shoqëror. Modeli i tij politik nuk ishte puro demokratik; ai paraqet një bashkim midis shtetarit ballkanas dhe administratorit të aftë, dhe trashëgimia e tij mbetet në kontrast po kaq të thellë, - një politikan që arriti të bënte shtet, një shtet funksional kur shteti nuk kishte ekzistuar, megjithëse për këtë përdori format dhe metodat ballkanike të karrierës dhe sundimit. Për të do të flitet sot e mot, me argumente kritike dhe vlerësuese, me dashuri dhe urrejtje, por asnjë prej këtyre pritshmërive nuk e vë në diskutim nevojën për ta kthyer trupin e tij në Tiranë, për ta varrosur pranë nënës së tij dhe për ta nderuar zyrtarisht për gjithçka ai meriton. Çdo debat tjetër fyes e denigrues, mohues dhe refuzues, nuk lidhet me qytetarinë dhe shkencën, me historinë dhe ndjenjën shtetërore, por me emocione e interesa politike të momentit apo ato të trashëguara nga sistemi selektiv ideologjik i vlerave gjatë periudhës komuniste.

100 vitet e shtetit shqiptar paradoksalisht janë të njëjta si dita e sotme me Ahmet Zogun, një ndarje e thellë pro e kundër, një politikë dhe pushtet që përcakton historinë dhe vlerat, një media që kërkon debatin kontrovers dhe argëtues dhe palë të interesuara që hiqen e sillen si engjëj apo djaj, dhe në fund, një shoqëri e plagëve dhe varreve të hapura shekullore. Nga të gjithë sundimtarët e këtij vendi, vetëm Enver Hoxha e Ramiz Alia vdiqën dhe u varrosën në atdhe, të tjerët u shpërndanë varrezave të botës, disa u rikthyen, disa u harruan, disa u braktisën dhe disa kanë humbur gjurmët. Dhe kur diktatorët e sistemit komunist ka pasur e ka varr, afërmendsh që meritojnë varr në atdhe të gjithë të tjerët, që kanë bërë vepra të mira apo akte politike e shtetërore më pak negative sesa binomi i regjimit komunist. Hoxha e Alia u varrosën me ceremoni zyrtare, njëri në diktaturë dhe tjetri në demokraci. Afërmendsh që nderim zyrtar meritojnë shumë herë më tepër edhe ata burrështetas që krijuan shtetin dhe e drejtuan atë në kohët më të arta të historisë së këtij vendi.

Një bilanc retrospektiv nuk lë aq optimizëm dhe dëshmon se ne po festojmë një 100 vjetor pa praninë humane të shumë prej atyre që mundësuan ditëlindjen tonë shtetërore. Për shembull, dihet se Ismail Qemali dhe Lugij Gurakuqi vdiqën në Itali dhe të dy, vite më vonë, u rivarrosën në Shqipëri. Varri i të parit gjendjet në Vlorë, i të dytit dergjet në mes të mbeturinave në Shkodër, bashkë me Vaso Pashën dhe Migjenin. Edhe Hasan Prishtina u varros me Bajram Currin diku në periferinë verilindore, duke u lënë tërësisht në harresë për 100 vjetorin, siç ndodhi po ashtu me kryeministrin e parë demokrat S.Delvina, adresa e varrit të cilit mezi gjendet në vendlindje. Në tërësi, një e treta e themeluesve të tjerë të shtetit më 1912 nuk kanë ende varre në atdhe, ku bëjnë pjesë edhe emra të njohur si kryeministrat e ardhshëm Mithat Frashëri e Mustafa Merlika. Nuk kanë varr në Shqipëri as Princ Wied që zyrtarisht është kryetari i parë i shtetit shqiptar i njohur nga Fuqitë e Mëdha, siç nuk ka varr në atdhe as dy herë kryeministri i viteve 1914-1918, Turhan Përmeti.

Nuk ka ende varr në atdhe për Eqerem Vlorën apo Tajar Zavalanin, për Kristo Dakon apo Ernest Koliqin, për kryeministrat Fan Noli, Mehdi Frashëri e Rexhep Mitrovica, për udhëheqësit nacionalistë Abaz Kupi e Hasan Dosti, etj. Edhe figura të njohura publike, madje më të njohurat në shekullin shqiptar, aktori Aleksander Moisiu dhe humanistja Nënë Tereza nuk kanë ende një varr në atdhe.
Janë me dhjetëra e qindra figura të tjera me kontribute historike, që ende nuk kanë një varr në atdhe, për të cilin sakrifikuan shumë në jetën e tyre të gjallë. Arsyet janë tre: e para sepse vetë shteti nuk ka një standard vlerësimi, nuk ka plane konkrete nderimi dhe ngjarjet historike, siç janë përvjetorët, i keqpërdor sipas oreksit dhe interesave politike të ditës.

Mjafton të kujtojmë se një vit më parë u tha se janë në bisedimet e fundit për kthimin e Nënë Terezës në atdhe kur vetë India mohoi bisedime e plane të tilla, apo se Nikoll Kaçori, zv/kryeministër në Vlorë 1912, erdhi në Rinas i vetmuar dhe braktisur, në një qese plastike, pa ceremonial dhe nderime, dhe se në meshën për nder të tij u bë fyerje e dytë duke mbajtur fjalime politike, - për të shpjeguar cinizmin dhe diletantizmin me të cilën autoritetet aktuale trajtojnë figurat historike në 100 vjetorin e shtetit. Arsyeja e dytë lidhet me mungesën e kulturës së nderimit, instinkti i mosmirënjohjes zyrtare dhe etikës shtetërore nga ata që vendimmarrjen në shtet nuk e shohin si nder dhe përgjegjësi, por si privilegj dhe burim përfitimi. Në një vend me sistem të përmbysur vlerash, ku elitat janë në kushte mbijetese ekonomike dhe ku figura mediokre, pa formim profesional dhe as politik kanë poste të larta drejtuese në qeveri e parlament, natyrisht që nuk ka ndjesi humane dhe as respekt për memorien historike. Motivi i tretë lidhet me raportin e individëve me klanet familjare që qarkullojnë në drejtimin periodik të qeverive dhe shtetit.

Ato figura politike që kanë lënë pas pinjollë janë rehabilituar sepse këta të fundit kanë interesa direkte për këtë gjë. Ato figura që nuk kanë pas pinjollë, trashëgimtarë dhe familjare, nuk bëjnë pjesë në klanet e politikës dhe kështu, nuk ka nxitje nga poshtë dhe as diktat nga lart për tu marrë në konsideratë. Një krahasim i këtij motivi me emrat e përmendur më lart e provon lehtësisht atë.

Sot Shqipëria do të rezervojë pak metra tokë për ish mbretin e saj. Një akt i vonuar dhe gjysmak. Sepse Shqipëria ka tokë, ka nevojë dhe ka detyrimin të ketë vend edhe për etërit e saj themelues, për rilindësit e saj përfaqësues në politikë, kulturë dhe aktivitet shoqëror. Sa më parë aq më mirë. Lënia pa varr është mallkim, lënia pa atdhe është dramë dhe tragjedi. Dhe ata nuk e meritojnë. 100 vjet nuk mjaftuan për këtë, por 100 vjetori na mjafton për të kuptuar se një vend pa histori dhe respekt për vlerat e saj, nuk ka garanci se do të ketë të ardhme morale, vlera qytetare e shtetërore më të mirë.

(ad.ti/shqiptarja.com)