TIRANE - Më 7 maj 2012, ish-Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Aldo Bumçi, është përballur me replikat e ashpra të deputetëve, pasi shpalli projektin për dhënien me qira të Monumenteve të Kulturës. Përballja erdhi në një seancë dëgjimore drejtuar nga Valentina Leskaj. Në seancën dëgjimore të një viti më parë, dolën kundër kësaj liste, jo vetëm deputetët e PS-së, por edhe dy deputetë të PD-së, Mark Marku dhe Raimoda Bulku.

Deputetë e PS-së, Fatmir Toçi e Fidel Ylli, thanë se “dhënia e monumenteve private është akt kriminal”. Ndërsa Deputetja e PD-së, Bulku, u shpreh “të mos bëhet si me Kalanë e Petrelës që vjen era gjellë”. Disa nga pyetjet më të mprehta që kanë ndezur edhe më shumë rrethin e debateve kanë qenë ajo që ngriti deputeti i PS-së, z. Fidel Ylli, i cili i ka shtruar një pyetje konkrete Bumçit “Sa leje për hotele e restorante janë dhënë?” dhe cilat janë kriteret që ka MTKRS-ja dhe cilat janë kontrollet, ndërsa ka shtuar në këto pyetje edhe “se çfarë masash ka marrë kjo ministri për bizneset që kanë devijuar nga projekti”.


 Deputeti i PD-së, Mark Marku, ka paraqitur një nga pyetjet më problematike për zbatimet konkrete të derisotme të dhënies me qira të monumenteve: “Në çfarë raporti jepen objekte me qira për një sistem shërbimesh si objekt kulturore pa e dëmtuar destinacionin e objektit?.” Duke përmendur mes fakteve të devijimit të monumenteve edhe rastin e Kalasë së Petrelës, deputeti Marku tha se “ajo nuk është më një kala, por është lokal-restorant”. Ironia më e thekshme për këtë akt ka qenë e deputetes nga Shkodra, Paulina Hoxha, e cila tha: “Nëse malazezët privatizojnë Rozafën, si ta lëmë flamurin e tyre mbi Kala”.

(sg/shqiptarja.com)