TIRANE - Anëtarët e Këshillit Bashkiak nuk janë njoftuar për mbledhje të këshillit, e as për diskutim në lidhje me kërkesën zyrtare të këshilltarëve të majtë për shkarkimin e Njazi Kosovrastit. Afati i kërkesës së dorëzuar nga koalicioni PS-LSI është 10 ditë pas dorëzimit të saj.

Kërkesa e këshilltarëve të majtë për mbledhje e këshillit bashkiak jashtë rradhe është dorëzuar që në 17 prill dhe afati i fundit për mbledhjen e këshillit është data 27 prill. Sipas ligjit për “Organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga kryetari i këshillit dhe njoftimi për mbledhjen bëhet, si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj.

Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës. Këshilltarët e majtë shprehen se deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për mbledhjen edhe pse për dy ditë përfundon afati i përcaktuar “Deri tani nuk është njoftuar asnjë mbledhje. Sipas ligjit me 1/3 e këshilltarëve dhe me kërkesë të tyre bëhet mbledhje e këshillit bashkiak.

Afati i fundit për mbledhjen e këshillit bashkiak është për dy ditë,pra më datën 27 duhet të mblidhet këshilli bashkiak” shprehet Florian Pullazi, këshilltar i majtë në Bashkinë e Tiranës. “Nuk ka asnjë njoftim për mbledhje të këshillit bashkiak. Kryetari i i këshillit po mban peng këshillin dhe shumicën duke cenuar integritetin e tij personal.

Ai nuk duhet të jete peng i Kryeministrit dhe i kryetarit të bashkisë” shprehet Aldrin Dalipi, kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë në Bahkinë e Tiranës. Këshilltarët e majtë shprehen se edhe nëse mbledhja nuk thërritet nga kryetari i këshillit bashkiak ata do ta bëjnë atë vetë.

“Si ligj duhet të mblidhet sepse është kërkesa e shumicës së këshilltarëve. Nëse nuk thirret mbledhje ne do t’a bëjmë vetë atë dhe do shkarkojmë Njazi Kosovrastin. Mblidhen këshilltarët bashkë me sekretarin e këshillit dhe e bëjnë mbledhjen edhe pa praninë e kryetarit” shprehet Florian Pullazi.

Më tej këshilltari i majtë i Bashkisë së Tiranës shprehet se edhe pa praninë e kryetarit të këshillit mbledhja njihet sepse ajo është bërë nga shumica e këshilltarëve. “Ajo që ne këkojme është pse nuk kanë kthyer përgjigje deri tani. Kjo është edhe një nga arsyet se pse ne duam të shkarkojmë Njazi Kosovrastin, sepse ai asnjëherë nuk e dëgjon zërin e opozitës në Këshillin Bashkiak.

Normalisht brenda 10 ditësh duhet të ishte ktyer edhe përgjigje.” shprehet Pullazi. Në datën 17 prill këshilltarët e PS dhe LSI dorëzuan një kërkesë zyrtare me afat 10 ditor në Bashkinë e Tiranës për mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku kërkonin shkarkimin e kryetarit të këshillit bashkiak Njazi Kosovrasti.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)