TIRANË - Një anije e madhe e mbytur 100 vjet më parë, është zbuluar në thellesine e Jonit në zonën e Karaburunit. Ajo, sipas specialisteve, është përdorur për qëllime ushtarake. Anija e ruajtur mjaft mirë, gjendet në thellësi të madhe dhe duket se është goditur teksa ka qenë në lundrim, thote Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare. Nga fotografitë e realizuara duken qartë mitralozi i vendosur në bash, si dhe oxhaku i anijes avullore. Gjetja e kësaj anije u bë e mundur nga një kërkim i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, në bashkëpunim me specialistet amerikane të hartogafisë navale. Anija mendohet se është e mbytur gjatë Luftës së Parë Botërore, e goditur nga një silurë e nëndetëseve austriake, të cilat patrullonin edhe detin Adriatik nga baza navale austro-hungareze e Kotorit. Relikti është zbuluar në një thellësi 50-60 metra ne zonen e Karaburunit. Ende nuk është bërë identifikimi i saktë i saj edhe pse ka nisur puna për verifikimin e dhe konsultimin e të gjitha anijeve të mbytura në këtë periudhë në këto ujra. Sipas Tares, në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, së bashku me specialistë të fushës, po punon për identifikimin dhe zbardhjen e disa prej tragjedive më të mëdha në dete. Pjesë e këtij projekti ishte edhe filmimi i anijes së koracuar "Regina Margerita" e mbytur në gjirin e Vlorës në vitin 1916. Mbytja e flamurmbajtjes së Flotës Italiane është konsideruar si një nga tragjeditë më të mëdha të kohës. /ATSH/
/Shqiptarja.com











