Shtylla e semaforë të thyer, biznese të dëmtuara, copa xhami e kosha mbeturinash të djegur nëpër rrugë. Pas protestës së djeshme, shenjat e asaj çfarë ka ndodhur një natë më parë janë ende të dukshme në shumë zona të kryeqytetit, pavarësisht se punonjësit e Bashkisë kanë pastruar dhe vijojnë të sistemojnë një pjesë të atyre gjërave që u dëmtuan.
Zona rrotull Ministrisë së Arsimit në rrugën e Durrësit prej ku protesta zuri fill është sigurisht një nga më të prekurat.
Edhe pse situata ngjan e qetë dhe kangjellat janë larguar, megjithatë shenjat janë të dukshme dhe me sy të lirë vërehen qindra copa gurësh dhe xhama të thyer brenda oborrit të Ministrisë.
Në këtë zonë është dëmtuar edhe një prej filialeve të një banke private, të cilës i është thyer bankomati.
Shenja të dukshme të dëmtimeve gjenden dhe në zona të tjera të kryeqytetit, të cilat mbrëmë u kthyen në një teatër të skenave të dhunës
Bashkisë së Tiranës i është thyer xhami i një prej dyerve në krah të Xhamisë, i janë dëmtuar dritare dhe është thyer një kamera sigurie.
Te Pazari i Ri janë të shumta materialet e djegura e të thyera dhe në ajër ndihet ende aroma e tymit.
Edhe në zonën në afërsi të rrugës së Barrikadave, pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka kosha të djegur, shtylla të thyera dhe madje edhe dëmtim të një biznesi privat, ku në një kantier ndërtimi, protestuesit nuk kanë kursyer as tabelat e vendosura dhe kanë thyer xhamin e një makine pune që ndodhej atje.





Komente
Komento