Një gropë financiare apo premtime të PD për efekt elektoral?

Një gropë financiare apo premtime të PD për efekt elektoral?

Lulzim Basha

Më së fundmi edhe PD hartoi një program elektoral në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit dhe kjo natyrisht është për t’u përgëzuar. Së pari sepse pak kaq vitesh PD hyn si rrugën intitucionale të një gare elektorale që ka kohë që i ka braktisur, dhe  ku natyrshëm duhet të ballafaqohen ide e jo opozitë çadrash. Tashmë çdo ekspert i ekonomisë të paktën ka një material konkret mbi të cilën mund të bëjë analizën e këtij produkti nëse është mbështetet mbi premtime të realizueshme apo mbi baza deklaratash populiste për efekt votash.

Në fakt kritikat e ekspertëve nuk munguan që në shpalosjen e parë të tyre. Premtimi për ulje të taksave duke nisur që nga ajo për tatimin, në rritjen e pagave për mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë, rritja e pensioneve apo dhe idea e pagesës shtesë mujore për fëmijët e sapo lindur, duken joshëse për sytë e votuesve, por aspak bindëse për ekspertët e ekonomisë se mund të realizohen. Sipas tyre, këto inisiativa së bashku me premtime te tjera që shpall PD, do të krijonin një gropë financiare prej 600 milionë euro që vitin e parë të qeverisjes.

Dhe PD është ende e paqartë se si do të nxirren këto para që do të shpërndahen. Nëse pretendohet ulja e taksave skema e rishpërndarjes në këtë formë drejt bisnesit dhe qytetarit duket aspak e realizueshme. Madje përkundrazi, një aventurë e mirëfilltë ekonomike që mund ta çojë vendin në një krizë më të thellë. Kështu, sipas ekspertëve, nëse PD kur doli në opozitë la një gropë financiare prej me mbi 300 milionë eurosh që u rikuperuan nga qeverisja socialiste, nëse zbatohet ky plan ekonomik rrezikon që vetëm prej këtyre ideve, e pa shtuar ndonjë dështim tjetër që mund të ndodhë, do të krijojë një gropë te re financiare prej mbi 1 miliard e 200 milion euro në fund të mandatit, nëse PD vjen në pushtet. Llogaritë behën vetë se ku çon kjo situatë…

Ndërsa prezantohej programi ekonomik i PD në konferencën e shtypit, Lulëzim Basha disa herë u mundua të shprehë se këto nuk janë premtime por plan pune i PD në pushtet. Gjithësesi ajo çfarë ra në sy ishte se pikërisht Basha, që mëton vendin për kryeministër, e kish përthithur fare pak këtë program, aq sa në pyetjet e gazetarëve u deshën të bëheshin ndërhyrjet e ekspertëve të PD si Tabaku dhe Teliti.

Është normale që një kryetar partie a kryeministër të rrethohet nga ekspertë që bëjnë programe a hartojnë reforma, por nëse këto projekte nuk të frymëzojnë së brendshmi e të krijojnë bindjen për rrugën që ndjek, këto nuk janë tipare lideri, e aq më pak të një kryeministri të ardhshëm që deklaron se do bëjë transformim të thellë.

Gjithësesi, duke vijuar linjën e tyre çfarë u deklarua lidhur me programin që nxori PD, nuk mund të mos vëresh dhe aspekte të tjera. Në botë ndiqen dy lloj modelesh ekonomike, njëri që kërkon të krijojë një shtet të fortë nëpërmjet taksave, dhe modeli tjetër që ul fuqinë e shtetit dhe tenton të rrisë bisnesin nëpërmjet uljes së taksave.

Në rastin konkret PD sipas asaj që shpall synon uljen e taksave dhe forcimin e bisnesit e të fuqisë blerëse. Nëse shkon me këtë ide, atëhere së pari duhet të falenderojë maxhorancën e sotme socialiste se ka forcuar shtetin nëpërmjet taksave, nëse ka ndërmend t’i rishpërndajë këto vlera. Dhe këtu bie ndesh me deklaratat e saj për rënien ekonomike. Ndryshe duhet të tregojë se me çfarë “çelësi magjik “ edhe do të ringrejë financat, edhe do ngrejë ekonominë, edhe do ulë taksat, edhe që do të rishpërndaje më rritje rrogash, edhe që ky nuk do të jetë dështim. Veç nëse e gjitha kjo është për efekt elektoral dhe që s’ka asnjë projekt konkret qeverisjeje.

Sipas ekspertëve, FMN dhe Banka Botërore kanë këshilluar që të mos ketë ulje të taksave. Kjo si për efekt të rritjes ekonomike ku duhet ende një shtet i fortë për të ndërhyrë, ashtu dhe për vetë dëmet që ka sjellë pandemia në ekonominë tonë.

Në qoftë kështu, dhe marrim në konsideratë se PD fiton zgjedhjet, atëherë kur qevria e re do të ulet në tryezë me partnerët dhe FMN, lista prej 16 pikash që ka paraqitur PD për ekonominë mund të katandiset e shumta në 5-6 pika të realizueshme, pasi ato që do të kenë të bëjnë me ulje të taksave apo të rritjeve jashtë standartit të pagave do të skartohen si të detyrueshme nga ekspertët e FMN.

Ndësa pyetet se do të gjenden paratë për të kryer këto operacione financiare që ndikojnë shumë në shifra në buxhetin e shtetit, nga ekspertët e PD që kanë hartuar programin theksohet se këto para do të gjenden duke prishur kontratat koncesionare.

Pa hyrë në detajet se ndryshe nga sa thuhet për forcim të bisnesit ndërkohë që kështu goditet ai bisnes që lëvron shuma prej miliona e dhjetëra mniliona eurosh, të bën përshtypje lehtësia se si prishja e tyre pa dëme kolaterale gjykatash quhet si akt i kryer. Së pari sepse një proces gjyqësor pas prishjes së tyre mund të zgjasë vite të tëra e që gjatë kësaj kohë nuk futet asnjë kokërr leku në këto projekte ekonomike. Së dyti, jo rrallë herë, gjykatat të brendshme apo dhe të huaja, kanë dënuar qeverinë për prishje të kontratës dhe ku shteti detyrohet të paguajë shifra të kripura, në këtë mënyrë në vend të vesh vetulla, nxjerr sytë, e bashkë më to dhe premtimet që ke bërë por dhe financat e shtetit. Sipas PD pretendohet se kjo mund të paraprihet dhe miratimin në kuvend të një pakete antimafia, porse konsiderimi i këtyre kontratave si “mafioze”, vetëm se ke dëshirë t’i anullosh mund të çojë në ndërlikime të tjera ligjore, që ose do të bëjnë qesharake qeverinë e PD nesër, ose duhet ta quajmë qesharak si premtim të PD sot.

Së fundmi, pa hyrë në detaje shifrash, të cilat u përket ekspertëve të ekonomisë të merren, më bën përshtypje një element që na prek të gjithëve dhe që mund të përbëjë rrezik alarmant. PD deklaron se ndërsa rrit pagën minimale në 360 mije lekë të vjetra, ul taksën e sigurimeve shoqërore në 18%. Kjo me logjikën se bisnesi nuk dëmtohet nga rritja e pagës pasi i është ulur kontributi i sigurimeve shoqërore që do të paguajë për punonjësin.

Harrohet pra se ky lek i hequr nga ulja i merret direkt qytetarit që do të shërbejnë nesër për pensionin e tij. Nëse preket në këtë mënyrë drastike skema e pensioneve vetëm për efekt elektoral, kjo mund të çojë që pas disa kohësh i gjithë sistemi të hidhët në erë dhe që shteti nuk do të ketë fonde përkatëse për të paguar pensionistët. Nëse ndodh kjo ka vetëm një rrugë, që shteti të rrisë moshën për marrjen e pensionit të qytetarëve. E kjo na prek të gjithëve pasi në këtë mënyrë për të përfituar pension do të duhet të arrijmë 70 vjeç në rastin më të mirë.

Në të gjitha rastet, në një shikim të thjeshtë, ku premtimet mund të çojnë në gropë të frikshme financiare dhe ky projekt rezulton ose si një aventurë ekonomike ose si premtime ndjellëse por boshe për efekt elektoral, vijueshmëria për ta marrë seriozisht programin e PD do të ishte miopi. Madje dhe papërgjegjshmëri pasi dhënia e besimit tek efektet populiste mund të shkaktojë nesër kolaps të ekonomisë. Në të mirë të interesit të gjithësecilit, duke shfryrë këtë tollombac premtimesh të PD për fushatë, më mirë le të pranojmë se opozita, për fat të keq, ende nuk qenka gati për qeverisje. Nuk kemi pse futemi në aventurë.

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja