Një grup pedagogësh kanë dalë sërish këtë të mërkurë në protestë në mbështetje të studentëve. Ata u mblodhën fillimisht para Universitetit Politeknik të Tiranës, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë. Sapo mbërritën para godinës së qeverisë, protestuesit rrëzuan karriget e vendosura edhe sot nga kryeministri Edi Rama, si thirrje për dialog.
Një ditë më parë Kryesia e Sindikatës së Universiteteve shpalli bojkotin e mësimit, ndërsa sindikata akuzon policinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve dhe kërkon hetim të pavarur për ndërhyrjet e efektivëve që prej 13 tetorit.
“Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, thuhet në deklaratë.
Sindikata u ka bërë thirrje rektorëve të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve që i bashkohen bojkotit.
Sindikata e Universiteteve kërkon:
-Ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë;
-Hetimin e pavarur dhe transparent në lidhje me përdorimin e forcës që nga data 13 tetor e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë së atyre që e kanë urdhëruar dhe ushtruar këtë dhunë të pashembullt;
- Trajtimin e ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar;
-Plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve.
Lajmi në përditësim....

Një grup pedagogësh dhe studentë të Universitetit të Korçës kanë bojkotuar mësimin këtë të mërkurë, duke iu bashkuar protestave në mbështetje të kërkesave të studentëve në Tiranë. Ata janë mbledhur fillimisht në ambientet e universitetit, nga ku kanë nisur një marshim paqësor në rrugët e qytetit.
Gjatë marshimit, studentët janë ndalur para gjimnazit “Themistokli Gërmenji”, ku u kanë bërë thirrje gjimnazistëve t'i bashkohen protestës. Ata i janw drejtuar efektivëve me thirrjet “Po bëni terror”.
Nuk ka bojkot të mësimit në universitetet e rretheve, pavarësisht thirrjes së Sindikatës së Universiteteve për ndërprerjen e procesit mësimor në solidaritet me studentët protestues në Tiranë. Në Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Sarandë, pedagogët dhe studentët janë paraqitur normalisht në auditore këtë të mërkurë, pa ndërprerje të procesit mësimor.
Në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, studentët shprehen në mbështetje të protestave në Tiranë, duke kërkuar kushte më të mira në universitete dhe ulje të tarifave të studimit. Megjithatë, ata nuk i janë bashkuar bojkotit dhe nuk kanë organizuar protesta, ndërsa mësimi ka vijuar normalisht.
Edhe në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër nuk ka bojkot. Rektori Jaho Canaj deklaroi se universiteti nuk është pjesë e kësaj lëvizjeje dhe se për sindikatën që ka shpallur bojkotin është njohur për herë të parë dje përmes mediave.
Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, zëvendësrektori Edi Puka konfirmoi se i gjithë stafi pedagogjik është paraqitur në auditore dhe se mësimi ka vijuar normalisht gjatë gjithë ditëve të protestave.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Sarandë, ku nuk ka pasur ndërprerje të mësimit apo protesta të organizuara.








Komente
Komento