SHBA/ Një javë e vështirë për Shtëpinë e Bardhë

SHBA/ Një javë e vështirë për Shtëpinë e Bardhë

Joe Biden

Avokati i Joe Bidenit tha të enjten se dokumente të tjera të klasifikuara janë gjetur në shtëpinë e presidentit në Delauer. Në fillim të javës, u njoftua se dokumente sekrete nga administrata Obama-Biden ishin gjetur në nëntor në një institut kërkimor në Uashington, të cilin zoti Biden e kishte përdorur si zyrë pasi shërbeu si nënpresident. Të enjten, Prokurori i Përgjithshëm amerikan emëroi një prokuror të posaçëm për të hetuar këtë çështje.

Shtëpia e Bardhë nuk pati një javë të lehtë, pas publikimit të lajmit se në nëntor janë gjetur dokumente të klasifikuara në zyrat e një instituti kërkimor në Uashington, ku Presidenti Joe Biden kishte një zyrë pasi mbaroi mandatin si nënpresident. Një ditë më parë Shtëpia e Bardhë njoftoi se dokumente të tjera janë gjetur në rezidencën e zotit Biden në Delauer. Presidenti demokrat tha në një konferencë se ishin vetë avokatët e tij që i kishin gjetur dhe dorëzuar dokumentet sekrete.

“Siç thashë në fillim të javës, njerëzit e dinë se unë i marr seriozisht dokumentet e klasifikuara dhe siç thashë gjithashtu, ne po bashkëpunojmë plotësisht me hetimin e Departamentit të Drejtësisë”, tha zoti Biden.

Reagimet e udhëheqësve republikanë ishin të menjëhershme. Ata thanë se demokratët reaguan ashpër ndaj ish-presidentit Donald Trump, ndërsa FBI po kontrollonte shtëpinë e tij “Mar-a-Lago” në Florida dhe po merrte dokumentet e klasifikuara prej saj… kjo ndodhi pas largimit të zotit Trump nga presidenca. Kryetari i sapozgjedhur republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy tha se:

“Kemi dikë që është në detyrë për më shumë se 40 vite. Kemi dikë që thoshte në emisione televizive se ishte shumë i shqetësuar për dokumentet që kishte mbajtur Presidenti Trump, ndërsa tani ne e kuptojmë se ai si nënpresident mbajti dokumente për vite dhe në vende të ndryshme”, tha zoti McCarthy.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Merrick Garland emëroi një prokuror të posaçëm për të hetuar këtë çështje.

“Emërimi tregon përkushtimin e departamentit të drejtësisë për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë ,veçanërisht në çështje të ndjeshme dhe për marrjen e vendimeve bazuar vetëm në fakte dhe ligj”, tha ai.

Gazetari i Agjencisë së lajmeve Associated Press, Eric Tucker thotë se ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm, meqenëse Departamenti i Drejtësisë po kryen gjithashtu një hetim mbi dokumentet e klasifikuara që janë gjetur në pronën e ish-presidentit Trump.

"Departamenti i Drejtësisë po heton prej muajsh krimet e mundshme që përfshijnë mbajtjen e afërsisht 300 dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e ish-presidentit Trump. Hetimet po vazhdojnë. Një juri e madhe në Uashington po dëgjon dëshmitë ndërsa ne flasim”, tha ai.

Gazetari gjithashtu vuri në dukje dallimet në hetimet ndaj presidentit aktual dhe ish-presidentit, përfshirë faktin se avokatët personalë të Presidentit Biden i dorëzuan dokumentet tek Departamenti i Drejtësisë, ndërsa dokumentet në rezidencën e zotit Trump u zbuluan nga autoritetet. Ish-presidenti Trump po hetohet edhe për mundësinë e kryerjes së një vepre penale duke mos dorëzuar materialet e klasifikuara, veçanërisht pas kërkesave të përsëritura të Arkivit Kombëtar dhe një thirrjeje për të dëshmuar nga Departamenti i Drejtësisë.

“Departamenti i Drejtësisë në rastin e zotit Trump thotë se po heton pengimin e mundshëm të drejtësisë. Ne nuk kemi dëgjuar që të ketë pretendime të ngjashme lidhur me Shtëpinë e Bardhë dhe Joe Bidenin”, thotë ai.

Ligji amerikan thotë se dokumentet e klafisikuara nga presidenca duhet të mbahen në Arkivin Kombëtar dhe jo diku tjetër./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!