Ai është ndër të paktët orëndreqës të mbetur në qytetin e Fierit. Shyqyri Bofe e trashëgoi zanatin nga i ati kur ishte në klasën e parë dhe e ushtron ende, edhe pse ka dalë në pension.

"Babanë e kam pasur orëndreqës dhe pas tij kam mësuar dhe unë. Në klasë të tetë arrita që i bëja orat më mirë nga babai im. Tek kjo punë nuk ke lodhje fizike, por ke lodhje mendore dhe nga sytë, se je duke punuar tërë ditën me mikroskop në sy. Njeriu që mësohet me punë, nuk rri dot pa punë. Derisa të kem mundësinë që e ndjej veten që punoj, nuk do shkëputem. E ke profesion që të mban gjallë, nuk të lë që të mërzitesh. Kur merresh me punë, harron gjërat e tjera, pra të lodh dhe të çlodh.",  tregon usta Shyqo.

Me durim dhe përkushtim, ai ka riparuar ora nga më të thjeshtat deri te ato me vlerë mijëra euro. Falë profesionalizmit që ka treguar, të gjithë në Fier ia besojnë atij orat luksoze që kërkojnë kujdes të veçantë.

"Unë s'kam nevojë fare për kompjuterin se e njoh direkt orën. Një orë e shtrenjtë është skeleti flori gjithmonë, zakonisht 18 karat dhe vihen gurë diamanti. Nuk i marr atë çmim që do e rregullojë në një vend tjetër. Jashtë i marrin 20% të vlerës së orës. Psh. tek ora që kushtonte 27 mijë euro i kam marrë 100 mijë lekë të vjetra. Në një vend tjetër do i merrnin 3-4 mijë euro.", shprehet mes të tjerash.

Përveç zanatit të orëndreqësit, Shyqyriu tregon se ka punuar si saldator, axhustator, madje ka qenë pjesëmarrës nëpër dasma dhe gëzime familjare si muzikant.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.