Një koncert, një qytet, një tabu
Mbresa nga suksesi i Hushit në Kavajë

Një koncert, një qytet, një tabu <br />Mbresa nga suksesi i Hushit në Kavajë
Nuk do ta besoja kurrë se do të isha nisur drejt qytetit të Kavajës për të dëgjuar tenorin me famë botërore që do të jepte një koncert "Hushi & friends" në…Kavajë. Tani që e shkruaj më vjen pak turp me veten që kam qenë paragjyuese e tipit "Në Kavajë të dëgjohet një recital i tillë në qendër të qytetit? Aty ku njerëzit janë shumë fetarë? Aty ku kryetari i bashkisë nxjerr urdhër ku thuhet se gjobiten të gjithë ata që do të kalojnë me kuaj dhe karroca në qendër të qytetit? E mbani mend filmin "Koncert në vitin 36" besoj…Ja kështu duke menduar për Kavajën isha edhe unë.
Tabutë e mia u thyen mbrëmjen e së premtes në orën 21.00, kur isha veshur sikur do shkoja në opera… por në Kavajë. Mendova se koncerti do të bëhej në sallën kulturore të qytetit, por aty skena ishte vendosur në sheshin kryesor të qytetit, dhe unë e gjeta veten, ulur në rreshtin e dytë të karrigeve për të dëgjuar.
"E di Anila? As nuk do ta besoja që do të rikthehesha në qytetin tim të lindjes për të bërë një koncert të tillë" më thotë shumë sinqerisht zoti Hushi mëngjezin e djeshëm ndërsa pinim kafenë e mëngjesit. E kush do ta besonte, i them unë. Madje e kisha parë tenorin e famshëm në skenën e Pallatit të Kongreseve, por që të këndonte para kavajsve, jo se kisha imagjinuar. Pranë tij është bashkëshortja Kristina. Që në jetën e Agim Hushit është një personazh sa i rëndsishëm, aq i domosdoshëm.
"E takuam kryetarin e Bashkisë së Kavajës në Kinë", më tregon ajo me sinqeritet. Ai ishte ftuar nga autoritetet atje (dhe këtu mora vesh se Elvis Rroshi ka binjakëzuar bashkinë dhe shumë shpejt do të përfitojë një fond shumë të majmë për të rregulluar disa nga rrugët e qytetit. Them i majmë sepse vështirë që të tilla projekte të miratohen.) Kristina më tregon që në axhendën e kryetarit të Bashkisë ishte planifikuar të ndiqte një nga performancat e tenorit në skenat kineze, të cilat sic më thotë Kristina, janë të mbushura përherë plot dhe tenori e ka gjithë kohën e zënë atje. "U ulëm pas koncertit. Elvisi ishte impresionuar. Dhe i thotë Agimit: Agim, do ta bëjmë këtë koncert në Kavajë. Në sheshin kryesor të qytetit. Ti do të vish ta bëjmë" i kish thënë para një muaji Elvis Rroshi tenorit të fashëm në Kinë. Sigurisht që tenori kishte dyshimet e tij. E kishte folur më pas me Kristinën, sic flet për cdo gjë. "Pranoje Agim, ti e di që nuk do të realizohet" i kishte thënë Kristina si për të hequr një barrë për tenorin me famë botërore por i lindur në Kavajë. Epo fjala e dhënë, fjalë e mbajtur. Nuk e besonte Kristina dhe Agimi, por e besonte kreu i bashkisë Elvis Rroshi.
Dhe ja ku erdhi dita. 6 korrik, sheshi i Kavajës kishte filluar të mbushej. S'kam sesi ta fsheh faktin se unë u habita. Madje pyeta më vonë për këtë edhe vetë tenorin e famshëm duke i thënë: Shumë e vështirë që pjesët operistike të performohen në Tiranë, jo më në Kavajë. Unë e kisha këtë dyshim. Pse ju jo? Iu drejtova zotit Hushi.
"Anila, a e di ti se që nga viti 1936 me koncertin e Tefta Tashko Kocos, ky është koncerti i dytë që bëhet në një format të tillë në Kavajë?" U skuqa që nuk e kisha bërë unë këtë pyetje, përgjigja erdhi vetvetiu, sepse tenori e dinte vetë këtë gjë. Tani, imagjinoni filmin e famshëm "koncert në vitin 36" dhe shikoni diferencën, ndryshimin, realitetin dhe …pse jo edhe zhgënjimi mund të mendohej. Elvis Rroshin, kryetarin e bashkisë së Kavajës nuk e zinte vendi. Ankth, tension, e pyes se ç' kishte. Me frikë të madhe nëse sheshi do të mbushej apo jo. Tenori nga ana e tij e kishte ndarë mendjen: vetëm pjesë operistike. Tani imagjinoni mentalitetin në kavajë: një qytet që ka bërë qef pa fund edhe në kohën e monizmit, ku parku kryesor i qytetit mbushej me çifte që kërcenin nën tingujt e një orkestre të qytetit që performonte për ta, por me këngë tironse, apo të Shqipërisë së mesme.
Dyshimet u zhdukën në orën 21.00 kur koncerti do të fillonte. Mbi katër mijë vetë në shesh. Në krah të kryetarit të bashkisë ishte ambasadori kinez, pak më tutje, ish presidenti Alfred Moisiu, krah tij deputeti Dash Peza, por edhe kryetarë bashkie, si ai i divjakës e Përmetit, ishte edhe Petro Koçi, ulur krahë meje. Publiku pas ndërsa ktheva kokën shumë i zjarrtë. Qytetari i Kavajës që thërritej në të gjitha skenat botërore, qytetar i Kavajës kishte ardhur bash e në shesh për të performuar për bashkëqytetarët e tij, duke iu rikthyer edhe kujtimeve të dikurshme të qytetit.
"Dhe tani thotë spikerja, me vendim të këshillit bashkiak Agim Hushi shpallet qytetar Nderi i Kavajës". Kryetari i bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi ngjitet në skenë. Me shiritin vënë ngjitet në skenë duke prezantuar në mënyrën e tij tenorin, dhe duke i dorëzuar cmimin. E pas kësaj, koncerti vijoi për gati dy orë. Asnjë këngë shqiptare, vetëm pjesë operistike. Gjithcka dhe çdo pjesë shoqërohej me duartrokititje dhe shumë shpesh edhe "bravo". Fishekzjarrët canë qiellin në fund të performimit për më shumë se pesë minuta. Kavaja ishte në festë. Ndoshta ishte thyer një tabu…
Por si u arrit deri këtu?
Agim Hushi më rrëfen se në vitin 1991 në TOB po performonte operan "Toska". I afrohet ambasadori hollandez dhe i thotë se kishte një zë të jashtëzakonshëm. Kjo fjalë, do të ndryshonte më pas gjithë rrjedhën e jetës së tij dhe karrierën e tij. Ambasadori i ofron një konkurrim në Budapest për të parë për më lart. Nëse do ta arrinte, do të ishte "ok". Agimi atë natë sipas Kristinës, nuk vuri gjumë në sy. Niset për në Budapest, konkurron dhe rezulton në vendin e parë në audicion. Kristina rrëfen: "më mori në telefon dhe më thotë se duhet të bëhesha gati për në Budapest. Isha në qiell të shtatë. Fillova të interesohesha për të shitur shtëpinë dhe gjithcka tjetër për të siguruar lekët për biletat e avionit" tregon Kristina. "Jo Kristin, e kundërshton Agimi. Ti nuk e mban mend kur unë u ktheva për përvjetorin e martesës".
Dhe Agimi rrëfen se ishte nisur dhe iu gjend Kristinës në derë të shtëpisë për të festuar përvejtorin e martesës. "Kristina nuk më thotë asgjë por kur më sheh në derë më thotë: më ke gënjyer? Nuk e fitove bursën?" Tavolina përfshihet nga batutat dhe nga të qeshurat tani pas 21 vitesh ndërsa kristina thotë se kishte menduar se në Budapest duhet të shiste gjëra me grep e kishte filluar punën. U nisën nga Tirana me katër dollarë amerikanë, por atje i priste një bursë prej 800 dollarësh. "vuajtjet tona financiare, morën fund" thotë Kristina. Dhe kjo ka ndodhur për gjithë këto vite. Budapesti mbaroi shumë shpejt dhe Agim Hushi fiton një kontratë shumë të majme në Australi. Shitën shpi e gjithcka tjetët në Budapest për të filluar një jetë të re. "Mbaj mend se kur kam luajtur për herë të parë atje, një flamur gjigand shqiptar u hap në sallë në fund të performancës sime. Por shqiptarët atje mendonin se shqiptari do të luante pjesën e një karrocieri apo portieri. Por kurrë nuk ua merrte mendja se do të ishte tenori kryesor. Dhe qëlloi që e morën vesh në fund të operas. Atëherë shpalosën edhe flamurin, ishte shumë emocionuese" tregon Agim Hushi për eksperiencën e tij. "Nuk mund ta harroj vitin 1997. S'kam qenë në Shqipëri, por ndërmjet pjesëve në kohën që performoja, në dhomën time, pra të tenorit kryesor, kishin futur një gazetë. Në atë gazetë, në faqen e parë, ishin ngjarjet e Shqipërisë. Në foto, të rinj e fëmijë me kallash në dorë. Ishte shumë e vështirë". Ky lloj persekutimi i ka ndodhur dhe në Australi, kur një koment i një gazete kryesore ishte se "shqiptarët pushtojnë skenat australiane' dhe foto nga ngjarjet e vitit 1997. Ishte totalisht raciste. E kërkova botuesin e kësaj gazete. Dhe i thashë se krahasimi që unë si tenor, isha ndër më kryesorët aty, nuk kishte lidhje me krahasimin e gjetur. Botuesit kërkuan falje", tregon Agim Hushi. E pas kësaj Vjena, e tani, kontratat në Kinë, e mandej, rikthimi në Kavajë….
E për cudi, në të njëjtën ditë që Agim Hushi jepte koncertin e tij në Kavajë, qytetin e lindjes, në Vorë, një tjetër aktivitet organizohej nën kujdesin e kryeministrit Sali Berisha.
Nuk do ta mendoja kurrë që Agim Hushi si tenor do të kishte kaq sukses në Kavajë. Ashtu sikurse nuk do ta mendoja dot që ky qytet thyen barriera dhe tabu. Por ja që kjo ndodhi. Dhe me sukses. Vetë Agim Hushi sot largohet nga Shqipëria. Dhe me një sinqeritet krejt si prej fëmije më thotë: se besoje ti, se besoja as unë, por ja që ndodhi. Dhe jo vetëm Agim Hushi, por edhe Manjola Nallbani, shoqe e tij e artit sikurse e tha. Por si qershia mbi tortë, një drejtues orkestre i ardhur direkt nga Vjena për këtë event, maestro Andrea Pablic, austriak me origjinë boshnjake që punoi pa u lodhur për gjithë eventin.
Gjëra të bukura po ndodhin në Kavajë…

(ab/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin