Një leksion për bashkëkombasit: Shtëpia ka hijen e të zotit

Një leksion për bashkëkombasit: Shtëpia ka hijen e të zotit

“E ardhmja varet nga ç’bëjmë në të tashmen!” 

Gandhi

Çdo ndryshim që ndodh rreth nesh, sado i vogël apo i madh qoftë, na jep përherë të tjera mundësi dhe na krijon shanse të reja në rrugëtimin tonë. Unë nuk e di a e pyesni ju veten për gjërat që bëni apo për ato që ju ndodhin, por  unë e bëj shpesh, duke kërkuar gjithmonë thelbin e asaj që ndodh apo arsyen pse ndodhi.

Kohët e fundit kam lexuar me shumë vëmendje titujt e gazetave: “Vendimi i Hollandës për rikthimin e vizave për Shqipërinë”, “Hollanda votoi rikthimin e vizave për Shqipërinë”, “Ndëshkim i rëndë për Shqiperinë”, “Parlamenti i Hollandës voton rikthimin e vizave për shqiptarët” e me radhë. Komentet janë nga më të ndryshmet. Asgjë për t’u habitur. Gjithsecili ka opinionin e vet dhe të tilla lajme  i përdor për qëllime personale. Tek e fundit kjo është politika. Por,  të  jetë e vërtetë që hollandezët nuk na duan?!  Të jetë e vërtetë, që ne, me rreth 2800 shqiptarë të regjistruar në Hollandë, të kemi çorientuar një kombësi prej 17 milion banorësh? Të kemi arritur t’u  marrim drogën, prostitucionin, kontrabandën e njerëzve? Të jemi  ne kolonizatorët e rinj, në vend atyre të vjetërve,  hollandezëve dikur?

Në 2018-n, 0.02 % e veprave penale në Hollandë janë  shkaktuar prej shqiptarëve. Me sa duket, përbëjnë një problem vërtet i madh,  përderisa  99.98 %-shja e mbetur nuk  përmendet aspak. E tëra kjo, më kujtoi në fakt kohën e fëmijërisë dhe, ç’është e vërteta, më bëri të buzagazesha.  Çoku bënim ndonjë zënkë në shkollë a në lagje, dhe kujt ja nxirrnim inatin do pyesni ju. Atij më të voglit,  më të dobtit.  Kështu dhe hollandezët. Me siguri nuk e kanë me ne.

Duke votuar kësisoj në Parlament, përpiqen të zbusin ndoshta tensionet e tyre të brendshme  dhe, me këtë rast, populistët i dhanë një sinjal të rëndësishëm Europës.

Por të kthehemi tek ne, tek vetja jonë.

Çuditerisht, ne si komb, jemi ende në fazën që përpiqemi të mbrohemi, të shfajësohemi, t’u vërtetojmë të tjerëve që nuk jemi ashtu siç na mendojnë apo na komentojnë.  

Sami Frashëri shkruante: “Shqiptarët gjithnjë për botën, kurrë për vehte”, Faik Konica thoshte: “Shqiptarët e kanë të keqen nga vetja”, Rexhep Qosja vazhdonte: “ Ne jemi kundra vetes”. Dhe s’e kanë pasur gabim.

Ne kemi qenë, historikisht, të përçarë: në periudhën e Skënderbeut të ndarë në principata, gjatë periudhës otomane të ndarë në vilajete, në komunizëm na ndau lufta e klasave, sot jemi të ndarë në të majtë e të djathtë, e kështu  me radhë.  Ne, si njerëz,  shquhemi si qejflinj historish (të vëreta a të sajuara qofshin)  dhe u besojme atyre më shumë se realiteti, shifrat dhe  rezultatet.

Sot, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq ekonomik, në të cilin të krijohet përshtypja sikur nuk ka rrugëdalje, sikur njerëzit duan të ikin të gjithë nga ky vend, sikur çdo gjë vetëm nxin e sterron. Në këtë udhëkryq, ka udhë të njohura e të panjohura. Njerëzit që duan sigurinë, pa diskutim zgjedhin rrugët e njohura. Guximtarët, vizionarët, ëndërrimtarët guxojnë dhe zgjedhin edhe të panjohurat.

Po të analizojmë me vëmendje rastet konkrete të atyre që largohen apo duan të largohen nga Shqipëria, dalim lehtë në përfundimin se ata kërkojnë, mendojnë, shpresojnë apo fantazojnë, se diku tjetër, kollaj apo vështirë, do gjejnë mundësinë për një jetë më të mirë, ku do kenë siguri ekonomike, shëndetësore, ligjore dhe mundësinë per t’u shkolluar. Kështu që, s’ke pse bën ndonjë studim të veçantë, por… fillo e puno në këto katër sektore: shëndetësi, drejtësi, arsim dhe  ekonomi.

E meqë jam në fushën time si ekonomist, po përqendrohem për pak aty.

Rreth vitit 1750 bota filloi të njihet me revolucionet industriale në Angli, ku nisi kalimi nga puna me dorë në punën me makineri. Si rezultat i tyre, filloi edhe ndryshimi mes shtresave të popullsisë. Këto revolucione u përhapen në Evropë rreth shekullit XIX. Po t’i grupojmë, sot në botë njihen tri revolucione kryesore industriale: 1) prodhimi i gizës dhe makinat me avull; 2) prodhimi i metaleve, elektricitetit, turbinave dhe motorët e djegies; 3) kompjuterizimi, komunikacioni dhe globalizimi.

Ne si komb, nga cilat syresh jemi prekur?

Fatkeqësisht kemi kaluar nga feudalizmi në socializëm, dhe më pas në kaosin anarkik  te tranzicionit, ku po përpëlitemi ende.

Unë në fakt, mendoj se kjo që po na ndodh sot si komb, nuk është aspak negative.

Kaosi krijon mundësira.

Në kaos ndodhin ndryshimet. Imagjinoni, sot, kudo flitet për ne, për shqiptarët. Reklamë pa pagesë!

A nuk është kjo një mundësi që duhet ta shfrytëzojmë?!

Në këtë botë të re, ku të gjithë e duan inovacionin, edhe pse nuk kanë me qejf ndryshimin,  duhet të kërkojmë mundësi të tjera. Vetëm zgjedhja e rrugëve të reja të ndryshon, të transformon, të jep mundësi, të jep energji për të ndërtuar diçka të re.

E shkuara na ka dhënë eksperiencën dhe kujtimet, që sigurisht kanë vlerën e tyre, po s’mund të na udhëheqin në ndërtimin e së ardhmes. Për të ardhmen duhen kërkuar rrugë të reja, ndoshta edhe të pashkelura ndonjëherë.

Shihini shifrat ekonomike, krahasojini me ku kemi qenë dhe ku jemi. Është e qartë se është punuar dhe po punohet,  por nëse ne si shqiptarë s’jemi ende në  gjendje të dëgjojmë, të kuptojmë, të debatojmë, të dialogojmë, të këshillohemi, nuk kemi çfarë presim nga bota që na rrethon. Ajo që duhet të bëjmë, është të mos trokasim dyerve të mbyllura, por të fillojmë me dyert që na janë hapur.

Tani, më tepër se kurrë, për ne shqiptarët është koha e një analize të thellësishme ekonomike, e cila duhet të përfshijë disa pika:

  1. Ku ndodhemi dhe ku mund te pozicionohemi ne, si shqiptarë,  në këtë histori të ekonomisë industriale?
  2. Çfarë problematikash kemi sot?
  3. Cilët sektorë kanë shans për të ardhmen, në një treg të kufizuar, me një fuqi punëtore prej rreth 1 milion njerëzish?

Le të guxojmë t’i përmbledhim problematikat që kemi, duke e parë realitetin në sy, dhe t’i themi ato troç:

-          ekonomia është ende shumë e dobët

-          mungon një model i qartë ekonomie kombëtare

-          legjislacioni nuk e  mbështet biznesin

-          lufta kundër informalitetit është ende e pamjaftueshme

-          investitorët e huaj qëndrojnë larg

Të gjesh formula standarde për zhvillimin e ekonomisë është e pamundur. Nëse kjo do ishte kaq e thjeshtë, dikush do kishte arritur ta parashikonte krizën financiare të 2008-s,  që ndihet ende edhe sot.

Ekonomistët nuk bëjnë gjë tjetër vetëm përmbledhin në shifra atë që ka ndodhur.

Me atë që përshkruajnë,  s’bëjnë gjë tjetër  veçse përpiqen të na tregojnë sa inteligjentë janë në këtë botë  të mefshtë.  

Pyetja jonë sot është: Si dhe Ku fillon transformimi ? Kush eshte “Veza e Kolombit” eshte kaq shume e veshtire per tu identifikuar ne Ekonomine Shqiptare?

Për Shqipërinë, me potencialin njerezor intelektual qe posedon “Veza e Kolombit “ eshtë fare e thjeshte: Qeveria duhet të punojë për të plotësuar/vënë në funksion maksimal objektivat e mëposhtme, të cilat do te çojnë në vlerësimin e ekonomisë shqiptare si ekonomi “ favorizuese për të bërë biznes” :

·         sa kollaj mund të nisësh, regjistrosh, fillosh një biznes;

·         sa kohë të duhet për të marrë lejen e ndërtimit, zhvillimit të biznesit;

·         sa lehtësisht mund ta lidhësh me energjinë elektrike;

·         sa praktike janë procedurat e regjistrimit të pronës;

·         sa fuqi punëtore ke në dispozicion dhe ç’shkollim  kanë;

·         sa operacionale e funksionale janë mënyrat e kreditimit apo financimit;

·         sa optimal eshte sistemi i taksave;

·         sa funksionale eshte politika e mbrojtjes te pronave dhe  investitorëve;

·         sa e thjeshtë është tregtia përtej kufijve (eksport/importi);

·         sa zbatohen dhe respekohen kontratat;

·         zgjidhja financiare e paaftësisë paguese;

Le të marrim shembull nga demokracia apo ekonomia hollandeze.

Sipas tyre, praktika është kryesorja, teoria e ndjekë pas. Ata e kanë ndërtuar më së miri shtëpinë e vet, sipas mënyrës së tyre natyrisht.  

Neve na duhet ta ndërtojmë  tonën, padyshim sipas mënyrës sonë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën