Ngjyra, muzikë dhe gëzim përcollën paraditen e kësaj të shtune katër stinët e vitit, të cilat u bënë bashkë në shfaqjen “Një letër për stinët” në skenën e Teatrit të Metropolit në Tiranë. Me lojëra, këngë dhe kërcime, fëmijët zbulojnë pse çdo stinë është unike dhe si natyra funksionon në harmoni. Sipas regjisores dhe aktorëve, shfaqja është një histori e ndjeshme dhe argëtuese që i mëson të vegjëlve rëndësinë e bashkëpunimit dhe ciklit të jetës.
“Është një shfaqje që përfshin disa komponentë së bashku. Ne i mëshojmë më shumë pjesës së kreativitetit dhe edukimit. Është një shfaqje, e cila flet për bashkëpunimin dhe se si katër stinët humbasin nënën kohë dhe koha është e rëndësishme. Ne do të shikojmë përpjekjet e tyre për të kuptuar se falë bashkëpunimit ata arrijnë që t’ia dalin.”, - shpjegon regjisorja e “Një letër për stinët”, Klesta Shero.
Një element interesant i shfaqjes është interaktiviteti i aktorëve me fëmijët, duke i bërë dhe ata pjesë të asaj që përcillet, jo vetëm si publik.

“Sot është premiera e shfaqjes ‘Një letër për stinët’ dhe që nga emri kuptohet që kjo shfaqje ka të bëjë me stinët e vitit. Shfaqja është bashkëpunuese dhe që sjell mesazh të bukur me fëmijët.", - thotë aktorja Luisa Dinellari, që në shfaqje interpreton Verën.
“ Çdo stinë përfaqëson elementët e vet. Janë katër stinë dhe secila tregon karakteristikat e saj, mesazhi që japim është të bashkëpunojmë gjithmonë me njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje për çdo situatë që na sjell jeta. Muzika, kënga, kostumet janë elemente me rëndësi. Janë marrë gjërat më të bukura të të gjithave. Shumë ngjyra, muzikë të bukur që tërheq vëmendjen e fëmijëve. Kjo përveç i afron edhe i edukon dhe zhvillon imagjinatën e fëmijëve.”, - vijon aktorja Sara Koçi.
Krahas Koçit dhe Dinellarit, në shfaqje interpretojnë edhe aktorët Silva Brahimataj dhe Mario Bali. Konsulente edukative e shfaqjes është Sonila Kapidani, ndërsa as/regjisore Klea Konomi. Shfaqja do të vijë për të vegjlit edhe këtë të diel dhe disa fundjava në vijim.
B.G/E.H/Shqiptarja.comKomente

