Mjalti i dhuron natyralisht fuqi organizmit, ai është antioksidant dhe armik i mikrobeve. Nisja e një dite të mbarë dhe të shëndetshme nis me patjetër nga kuzhina.
Mënyra se si dalim nga shtëpia në mëngjes për t’u nisur në punë ndikon në mënyrë të pavetëdijshme në humorin tonë përgjatë gjithë ditës. Nuk është aspak i panjohur fakti që shumica e shqiptarëve dalin nga shtëpia pa ngrënë mëngjes duke i shkaktuar organizmit drobitje dhe dobësi që në nisje të ditës.
Jo vetëm mjekësia popullore por edhe studime të ndryshme vlerësojnë se nisja e ditës duke konsumuar një lugë të vogël me mjaltë është mënyra ideale për t’i dhënë fuqi dhe energji organizmit përgjatë gjithë ditës.
Vlerat e Mjaltit për Organizimin
Mjalti ka një përdorim të gjërë dhe jo vetëm si ëmbëlsues. Përpara shpikjes së antibiotikëve, mjalti përdorej gjërësisht për të trajtuar plagët apo djegiet e lëkurës. Ai është përdorur edhe për të zbutur kollën ose si maskë lëkure. Që në lashtësi, mjalti konsiderohej si një ushqim i rëndësishëm për atletët dhe njerëzit që kryenin aktivitete fizike.
Por nga ana tjetër, nënat e dinë se mjalti është i rrezikshëm për fëmijët nën moshën 1 vjeçare, sepse shkakton botulizëm. Mjalti përmban sasi të vogla proteine, folati, vitamine C dhe vitamina të tjera të rëndësishme. Vlerat më domethënëse të mjaltit vijnë nga mineralet që ai përmban.
Mjalti si një “multivitaminë”
Të dhënat e referuara nga AgroWeb.org për mjaltin provojnë se në 28 gramë mjaltë gjendet 14% e dozës së rekomanduar të manganit (bazuar në nivelin e ushqyerjes prej 2000 kalorish në ditë) dhe 8% të hekurit.
Mangani dhe hekuri janë dy mineralet thelbësore, për të cilat trupi ka nevojë të luftojë sëmundjet dhe të funksionojë mirë. Mjalti është antioksidant, antibakterial dhe armik i mikrobeve.
Ai është i mbushur me vitamina dhe minerale. Nëse do të zgjidhnim një term tjetër për të përshkruar mjaltin, ai me siguri do të ishte “ multivitaminë.” Mjalti mund të përdoret për të forcuar energjinë, sistemin imunitar, pakëson alergjitë, zbut kollën, fytin e lënduar dhe lufton infeksionin./AgroWeb