Koshere që shtohen, fusha që gumëzhijnë dhe tonelata mjaltë që dalin çdo vit nga puna e qindra bletarëve. Një sektor në rritje, me numrin e koshereve që ka prekur një rekord të ri në vitin 2025, me 645 mijë koshere në total nga 587 mijë koshere që ishin në vitin 2024.

NUMRI I KOSHEREVE
Viti 2023      518.790
Viti 2024    587.296
Viti 2025     644.879

Edhe prodhimi ka regjistruar rritje të konsiderueshme, duke prekur gjithashtu shifra rekord.

Në vitin 2025, u arrit në 6300 tonë mjaltë, nga 5.940 tonë në vitin 2024, apo nga 3200 tonë para një dekade.

PRODHIMI I MJALTIT
Viti 2020       4.599 tonë
Viti 2021       4.835 tonë
Viti 2022       5.391 tonë
Viti 2023       5.633 tonë
Viti 2024       5.940 tonë
Viti 2025       6.299 tonë

Në hartën e prodhimit, Korça mbetet qarku me prodhimin më të lartë të mjaltit me 1.006 tonë, e ndjekur nga Vlora me 855 tonë dhe Elbasani me 825 tonë.

PRODHIMI I MJALTIT SIPAS QARQEVE
Korçë       1.006 tonë
Vlorë           855 tonë
Elbasan      825 tonë
Shkodër     617 tonë
Fier            559 tonë
Tiranë        484 tonë

Por pas kësaj pamjeje “të ëmbël” fshihet një sfidë e fortë për bletërritësit. Edhe pse ka më shumë zgjoje dhe prodhim, një bletërritës sot merr më pak mjaltë nga çdo koshere. Të dhënat INSTAT tregojnë se rendimenti vijon të bjerë vit pas viti, duke zbritur në 10.2 kg për koshere në 2025-ën, ose gati përgjysmuar krahasuar me një dekadë më parë.

Rënia e prodhimit për koshere lidhet me një sërë faktorësh ku kryesore mbetet klima, pasi ndryshimet e papritura të temperaturave apo lagështia ka penguar riprodhimin e bletëve në kohën e duhur. Gjithashtu ndikim negativ ka edhe mungesa e florës së pasur.

Për shkak të interesit në rritje për këtë sektor qeveria rriti këtë vit financimin nga 1 mijë lekë që ishte në 2 mijë lekë për zgjua, për të gjithë ata që kanë më shumë se 25 koshere.

KOSHERE SIPAS QARQEVE
Vlorë         85,512
Korçë        84,785
Elbasan     69,145
Shkodër    58,160
Fier           55,878
Tiranë       53,760