Kur ora më e errët trokiti në agimin e ndritshëm të 7 tetorit 2023, “Zoti Siguri”, siç tregojnë njerëzit që e rrethonin, u lëkund, pothuajse i paaftë për të reaguar. Të paktën gjatë 48 orëve të para, i traumatizuar si pjesa tjetër e vendit nga masakra. Kështu e gjeti Joe Biden kur arriti të fliste me të: gjatë telefonatës, kryeministri i përsëriste presidentit të atëhershëm amerikan se sulmi i Hamasit ishte preludi i një sulmi apokaliptik kundër shtetit hebre.

Mbledhja e provave

Benjamin Netanyahut nuk iu desh shumë kohë për ta marrë veten dhe për të rimarrë kontrollin e narrativës, një aftësi që e kishte zhvilluar në Shtetet e Bashkuara dhe gjatë viteve si ambasador në Kombet e Bashkuara, në fillimet e karrierës së tij politike.

Kryeministri, siç ka rindërtuar ngjarjet gazeta Yedioth Ahronoth, urdhëroi këshilltarët të nisnin menjëherë mbledhjen e provave. Ai ishte i vetëdijshëm se dështimi më i rëndë i sigurisë dhe masakra më e përgjakshme në historinë e Izraelit rrezikonin të çonin në ngritjen e një komisioni hetimor.

Në të kaluarën, kishte qenë vetë ai që e kishte kërkuar me zë të lartë një komision të tillë nga bankat e opozitës. Kjo kishte ndodhur pas konfliktit 34-ditor me Hezbollahun libanez, në verën e vitit 2006, kur nën hetim ishte vënë puna e qeverisë së drejtuar nga Ehud Olmert.

Gjatë këtyre tre viteve, Netanyahu ka kundërshtuar çdo hetim. “Jemi në luftë”, ka qenë përgjigjja e tij. Një luftë e përhershme që është kthyer në doktrinën e tij.

Rregulla të rrepta

Bibi, siç e thërrasin, dyshohet se u kishte dhënë këshilltarëve urdhër të ndiqnin rregulla të sakta.

Mbledhjet e këshillit të sigurisë u zhvendosën, në ato momente të para kaosi, në qendrën nëntokësore të komandës në Kirya, selia qendrore e forcave të armatosura në periferi të Tel Avivit.

Vendi ishte më i sigurt, por hapësira ishte e ngushtë dhe të gjithë të pranishmit mund të dëgjonin edhe pëshpëritjet.

Rojet në hyrje ishin ato që mbronin kryeministrin dhe morën një detyrë shtesë: të kontrollonin këdo që merrte pjesë në mbledhje.

Edhe Herzi Halevi, në atë kohë shef i Shtabit të Përgjithshëm, duhej të linte telefonin celular. Agjentët madje i kërkuan të tregonte se çfarë kishte brenda këllëfit ku mbante syzet e leximit.

Në atë moment, gjenerali, i zemëruar, u kujtoi se kush ishte i zoti i shtëpisë dhe i kërcënoi se do t'i nxirrte jashtë me ndihmën e ushtarëve.

Qëllimi i Netanyahut, siç shpjegon gazeta më e shitur në vend, ishte të shmangte regjistrimin e diskutimeve për luftën. Ai u kërkoi ndihmësve të mblidhnin të gjitha transkriptet.

Ronen Bar, ish-kreu i shërbimeve të brendshme të inteligjencës, e akuzon kryeministrin, në padinë për shpifje të ngritur kundër tij, se nga këto dokumente Netanyahu ka zgjedhur të bëjë publike vetëm ato që mund ta shfajësonin, duke përzgjedhur ndërkohë pjesët më të dëmshme për drejtuesit e sigurisë.

Manovra që kanë rezultuar të efektshme, të paktën duke gjykuar nga rezultatet e zgjedhjeve: partia e tij Likud ka humbur mbështetje, por ka mbetur forca e parë politike.

Mbështetësit e tij nuk e kanë konsideruar përgjegjës, përgjegjësi që ai vetë nuk ka dashur kurrë ta marrë përsipër, për gabimet strategjike që qëndronin pas masakrave të kryera nga terroristët e Hamasit.

Ata kanë pranuar versionin e “Mbretit”, siç duket se vazhdojnë ta konsiderojnë, sipas të cilit, nëse do ta kishin zgjuar në orën 06:29, kur nisi sulmi, ose që në sinjalet e para të alarmit gjatë natës, historia do të kishte marrë një rrjedhë tjetër.

Është rishkrimi i tij i ngjarjeve, ashtu si në autobiografinë Bibi: Historia ime, ku këtë herë fjala “histori” shkruhet me shkronjë të vogël.

Tani Netanyahu deklaron: “Do të pengojmë krijimin e një qeverie të rrezikshme me partitë arabe”.

Është i njëjti slogan që e përsëriste vazhdimisht gjatë fushatës elektorale: “Ose e djathta, ose Palestina”.

Truket e Netanjahut

Mbështetësit më besnikë e lartësojnë dhe e quajnë “Magjistari”, sepse është i aftë të nxjerrë një lepur nga kapela pikërisht kur të gjithë e konsiderojnë të mbaruar politikisht, të negociojë me këdo, të premtojë dhe të bindë, për të mbajtur më pas pak nga premtimet.

I fiksuar pas detajeve dhe kontrollit që kur ishte politikan i ri, ai përcaktonte edhe temperaturën në sallën e mbledhjeve, duke e ulur pothuajse deri në të ftohtë ngrirës.

Në atë kohë, ende duhej të kapërcente traumën e daljeve të para publike, kur djersitej tepër dhe kundërshtarët shpesh i tregonin njollat e djersës nën sqetulla, mbi pëlhurën blu të këmishave, si shenjë dobësie dhe nervash që nuk i rezistonin presionit.

Tani është ai më i qëndrueshmi në negociata, më dinaku në krijimin e aleancave që e mbajnë në pushtet.

Do të përpiqet ta bëjë sërish, nëse presidenti Isaac Herzog vendos t'i japë mandatin./CorrieredellaSera