Produktet bio nuk janë vetëm për t’u konsumuar. Alketa Muharremi ka zgjedhur të përfshijë vajin e ullirit, bimët mjekësore dhe qumështin e gomaricës në formulimet e saj. Prej 5 vitesh, krijon në punishten e saj në Vlorë sapunë artizanalë, kremra dhe pomada pa kimikate.

"Në fëmijëri kisha dëgjuar që sapunët bëhen me dhjam derri dhe më ka bërë një përshtypje të jashtëzakonshme. Qe një moment, në Youtube kam parë krijimin e një sapuni dhe vendosa ta krijoj në kuzhinën e shtëpisë me vaj ulliri. Doli shumë i mirë se ndoshta nuk do t'a kisha vazhduar rrugëtimin tim.", tregon vlonjatja.

"Duke qenë se formimi im akademik është Ekonomi-Financë, në hapat e parë më ka ndihmuar shumë babai im i cili në profesion është inxhinier kimist. Pastaj avash- avash ia mora dorës duke lexuar, duke u informuar dhe ndjekur kurse online me instruktorë të huaj. 28 janë formulimet e mia duke përfshirë sapunët, pomadat dhe kremrat, por në fillim e kam nisur me formula të gatshme që i gjeja në internet", thotë Alketa për fillimet e saj në këtë rrugëtim aspak të lehtë.

Pasioni e shtyn të punojë fort dhe të sjellë formulime të reja sipas specifikave të lëkurës.

"T'a krijosh diçka nga zero, nga një vaj i thjeshtë apo një bimë e mbledhur në kopsht është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Unë nuk resht kurrë së krijuari, së lexuari dhe futjes së bimëve të ndryshme në formulimet e mia. Nuk e quaj punë sepse nisi si pasion", shprehet ndër të tjera.

Sipas saj në industrinë e kozmetikës ka abuzime nga mungesa e informacionit dhe tendenca e sipërmarrësve për të fituar, ndaj duhet bërë kujdes për produktet që blihen në treg. Për emisionin "Një nga ne" tregon sesi mund t'i bëni sapunët dhe kremrat në kushte shtëpie për të pasur larës pa kimikate, pa paraben dhe 100% natyral.

Emisioni "Një nga ne" transmetohet çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.