Kurioziteti e ka shtyrë drejt botës së pafundme të krijimtarisë. Me vullnet dhe dëshirë për të mësuar çdo ditë, Rei Mulla po ndërton versionin më të mirë të vetes.
“Jam piktor autodidakt. Të gjithë artin tim e kam zhvilluar vet, duke qenë se bëhem shumë kurioz që të ndjek rrugë të reja. Kam qenë pjesëmarrës në shumë panaire që janë organizuar në qytetin e Durrësit dhe gjithashtu kam hapur ekspozitën time të parë personale.
Arti nuk ka rregulla, nuk ka kufij, nuk ka limite. Këto janë momente relaksimi dhe qetësimi për mua të cilat më frymëzojnë dhe më zhvillojnë sa më shumë imagjinatën.”, tregon Rei Mulla teksa në ambientin e tij të punës na prezanton disa prej punimeve si string art, quilling, origami, arti me pika dhe spirali.
Është vetëm 15 vjeç, por i ka idetë e qarta për sipërmarrjen e tij të re, e cila po shkon në rrugën e duhur falë mbështetjes së prindërve, artdashësve dhe këmbënguljes së të riut.
“Jam ndjerë shumë mirë kur fillova të fitoja disa shuma simbolike monetare në fillimet e mia, gjë që kanë ardhur në rritje sepse ishin një motivim shumë i madh nga të gjithë ata që e vlerësonin dhe e blinin artin tim.
Mbështetja ime më e madhe ka qenë familja ime, sidomos prindërit e mi, jo vetëm nga ana materiale apo monetare, por edhe nga ana shpirtërore. Çdo punim dhe çdo teknikë kërkon shumë disiplinë, shumë vullnet dhe shumë përkushtim.”, shprehet i riu nga Durrësi.
Së fundmi, Rei po punon për botimin e librit të tij të parë historik, një kapitull i ri për adoleshentin i cili nuk resht së mësuari dhe punuari çdo ditë.
“Përveç pasionit në art, kam një pasion shumë të madh në letërsi. Aktualisht jam duke punuar për një libër, i cili flet për historinë e shqiptarëve që nga periudha ilire e deri në ditët e sotme. Ky libër erdhi si një pasion i imi që kam për historinë dhe sidomos për atë të shqiptarëve duke qënë se është një histori e mbushur me dhimbje, sakrifica, gjak, por edhe fitore të panumërta. Uroj që ky libër t’i shërbejë jo vetëm moshatarëve të mi, por të gjithë lexuesve që të mësojnë diçka më shumë për historinë e kombit të tyre.”, shprehet Rei në lidhje me iniciativën e tij më të re.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente









