Foto gjatë aktivitetit
Tiranë, 24 Janar / ATSH/-Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi një takim shkencor-social kushtuar Dora D'Istrias, me temë "Një pasdite me Dora D'Istria-Muza europiane e lirisë".
Në aktivitetetin për të përkujtuar princeshën rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika, morën pjesë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Z. Melsi Labi, Kryetarja e Shoqatës "Elena Gjika" në Tiranë, Znj. Rajna Kovaçi, nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar Z. Dorian Koçi, nxënës të shkollës "Dora D'Istria" në Tiranë dhe dashamirës të personalitetit të Rilindjes Kombëtare Elena Gjika.
Drejtori i MHK Melsi Labi, e çeli aktivitetin duke mbajtur kumtesën "Dora D'istria (Elena Gjika) në krijimtarinë e Dhimitër Kamardës".
Drejtori i MHK Melsi Labi gjatë fjalës
"Në shtegëtimin e jetës së saj, Elena Gjika në muajin mars të vitit 1865, kur gjendej në Livorno, u njoh me Dhimitër Kamardën, dhe nga Livorno Elena Gjika u ka dërguar letra të shumta Thimi Mitkos, Zef Jubanit, Dhimitër Kamardës, Jeronim de Radës etj" u shpreh Labi në Fjalën e tijë.
"Dhimitër Kamarda i ka kushtuar Elena Gjikës dy libra "Fyletia arbërore" që u botua në Livorno, në vitin 1867 dhe "Shqiptarët për Dora d'Istrian", që u botua më 1870 dhe në parathëniet e të dy librave Dhimitër Kamarda flet me superlativa për Elena Gjikën" vijoi Labi në fjlën e tijë duke shtuar se "Duke folur për princeshën rumune me origjinë shqiptare, Kamarda thotë "Ajo kishte mirësinë e engjëllit, hiret e fisnikërisë, të cilat e bënin një krijesë të veçantë".
"Elena Gjika ishte një historiane, filologe dhe etnologe me njohuri të thella dhe Dhimitër Kamarda e ka quajtur Dora D'Istrian "Unazë qytetërimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit" theksoi përveç të tjerash drejtori i MHK Meli Labi.
Nxësit duke recituar poezinë
Më tej fjalën e mori Znj. Rajna Kovaçi, e cila referoi temën "Dora D'istria, marathonomake e barazisë gjinore". Pas fjalës që mbajti Z. Labi dhe Znj. Kovaçi, nxënës nga shkolla Dora D'Istria, në Tiranë, recituan një poezi kushtuar Elena Gjikës dhe gjuhës shqipe.
Më pas aktiviteti vijoi me fjalën e nëndrejtorit të muzeut Dorjan Koçi, i cili mbajti kumtesën "Identitete të lëvizshme. Rasti i Dora D'istrias në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare" dhe me kumtesën e kuratorit të Pavijonit të Rilindjes në muze Z. Sali Kadria, i cili referoi temën "Dora D'istria (Elena Gjika). Çështja Kombëtare Shqiptare".
Gjhatë aktivitetit u prezantua për të pranishmit edhe një pikturë e Penës së Argjendtë, dhuruar Dora D'Istrias nga 300 vajza shkodrane, marrë nga Arkivi i Shtetit posaçërisht për këtë aktivitet.
Në sallë pati edhe një diskutim ku të pranishmit folën për figurën e Elena Gjikës, si një studiuese me vlera të mëdha për Shqipërinë e shqiptarët.
Aktiviteti përfundoi me shfaqjen e një dokumentari, i cili fliste për veprën e Dora D'Istrias dhe për jetesën e saj në Firenze, e veprën që ajo ka lënë në bibliotekat e atij qyteti.
/k.m/ /a.g/