Një përqafim

Një përqafim
Një mik i huaj doli i prekur dhe i mrekulluar nga baleti Zhizel në Teatrin Kombëtar të Teatrit dhe Operas. “Jam i befasuar, më tha, - një shoqëri kaq e ashpër në të përditshmen, të realizojë në skenë një delikatesë, një elegancë dhe ëmbëlsi të tillë...” Kur fliste, ishte i emocionuar me sytë e shndritshëm nga pak lot.

Ashtu si gjithë njerëzimi, edhe ne shqiptarët kemi anën tonë të bukur, të ëmbël, të mirë, por të themi të vërtetën, pak bëjmë për ta nxjerrë në dukje, në pah. Që pas viteve ’90 duket sikur kemi ngritur llogoren personale dhe pas saj vetëm qëllojmë, shajmë, sulmojmë. Pak vetë janë në mbrojtje, në paqe, në qetësi, të shijojnë ekzistencën, fatin që kemi të jemi dëshmitarë të një shansi të bukur: Jetën, si qënie me ndërgjegje.

Sot në kalendar është një ditë e veçantë, festohet Shën Valentini, por  kjo mjafton për të vënë shumë vetë në inat. Kanë ngritur llogoren e tyre që pagdhirë në Facebook, Twitter,  e çdo mjet tjetër komunikimi, për të vënë në lojë, kë vendos të shprehë një mendim dashurie, një përqafim, një shenjë për të dashurit që e rrethojnë. “Nuk duhet të festohet vetëm një ditë, - bërtasin, - duhet të dashurohet gjithë vitin”, sikur ndonjë dorë e mistershme pengon njerëzit ta bëjnë një gjë të tillë. E pra, mendoj se mes nesh ka shumë njerëz që bezdisen të dashurojnë e të shprehin dashurinë edhe në një ditë të vetme, mendoni sa akull ka mes nesh. Jetojmë në Mesdhe, por shumë duket sikur janë në Antarktidë.

Sot unë do të inkurajoja këdo për një përqafim të thellë. Një përqafim nga ato që bëjnë të takohen dy zemra drejtpërdrejtë e bëjnë të shkrihet çdo akull mes njerëzve. Njerëz të ndriçuar të filozofisë orientale dhe budiste i atribuojnë përqafimit deri efekte shëruese. Përqafimi bashkon dy energji dhe ndez flakën në shpirt që shumë njerëz e kanë të shuar.

Këtë bënte dhe Shën Valentini i vërtetë: pajtonte një çift që ishte grindur, shëronte me dashuri, inkurajonte përqafimin, jo ngritjen e llogoreve prej akulli…
Për ne është e domosdoshme të tregojmë dashurinë, për ata që nuk e bëjnë kurdo, Shën Valentini mund të jetë një fillim.





 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Reshjet e dëborës zbardhin Elbasanin dhe Voskopojën

FOTO/ Reshjet e dëborës zbardhin Elbasanin dhe Voskopojën