TIRANË- Një defekt në një shtyllë elektrike bëri që një pjesë e madhe e Tiranës të mbeste pa energji elektrike për gati 1 orë e gjysmë, në zona si Ali Demi, Fresku, ish-Uzina Autotraktorëve, Brryli, Astiri dhe Yzberishti.

Defekti bëri që energjia elektrike të shkëputej edhe në një prej pavioneve të QSUT-së, ku përfshihet Reanimacioni Qendror, Imazheria dhe Spitali Ditor. Nuk dihet se sa gjatë qëndroi Reanimacioni pa drita, një repart i një rëndësie tejet të veçantë, por në media flitet se dritat munguan për rreth gjysmë ore. Vetë QSUT doli me një deklaratë për mediat për situatën e krijuar, ku pranon se mungesa e energjisë elektrike ishte e përkohshme, por nuk specifikon se sa kohë qëndroi ky repart pa drita.

QSUT pretendon se gjeneratori u aktivizua dhe në asnjë moment nuk u cënua jeta e pacientëve. Edhe OST, që njoftoi riparimin e defektit, nuk e sqaron në deklaratë se sa kohë u desh që të kthehej energjia elektrike në pavionin e QSUT-së, por shkruan se "institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash."

"Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve", thuhet në deklaratë.

OSHEE njoftoi se shkak për mungesën e energjisë elektrike ishte një avari në linjën 110kV të OST që furnizon me energji disa nënstacione.

"Është shfaqur avari në linjën 110kV të OST që furnizon me energji disa nënstacione, kryesisht zona rreth Ali Demit, Fresku, ish-Uzina Autotraktorëve, Brryli", thuhej në njoftimin e OSHEE-së, ndërsa ishte OST që rreth orës 10:40 të 19 janarit deklaroi se defekti u riparua. Sipas OST-së, energjia elektrike u kthye për 30 minuta, ndonëse qytetarët pranë redaksisë së Report Tv raportuan për mungesë energjie elektrike nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në 22:30, pra për 1 orë e gjysmë. 

"Institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash, ndërsa në disa zona të tjera furnizimi u rikthye brenda rreth 30 minutash.

Në orën 22:09, riparimi i defektit përfundoi dhe linja u rikthye në punë, duke garantuar furnizimin e plotë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.", deklaroi OST.

Ndërprerja e energjisë elektrike 'preku' edhe ndeshjen Dinamo-Vllaznia. Pjesa e dytë e ndeshjes nisi me 40 minuta vonesë në "Air Albania".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:58
QSUT mbeti pa energji elektrike, psikiatri Demi: Krim institucional, të bëhet hetim dhe të largohen drejtuesit përgjegjës

Foto: Neli Demi

Psikiatri i njohur, Neli Demi ka reaguar pasi QSUT mbeti pa energji elektrike pas defektit në një linjë të OST-së. Neli Demi shkruan se në një vend normal reanimacioni nuk mbetet kurrë pa drita dhe kjo sipas tij nuk është defekt, por krim institucional.

Demi shkruan se ky  nuk është problem teknik, por është problem përgjegjësie penale, administrative dhe morale.

Demi e mbyll postimin e tij duke thënë se duhet hetim i pavarur dhe publik, auditim urgjent i sistemeve UPS dhe gjeneratorëve, publikim i menjëhershëm i protokolleve të sigurisë, dhe largim i drejtuesve përgjegjës, pa justifikime dhe pa vonesa.

Postimi i plotë

Fakti që reanimacioni, urgjenca dhe shërbime jetike në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza kanë mbetur pa energji elektrike është krim institucional, jo “defekt teknik”.

Kjo është vijë e kuqe e kaluar.

Në asnjë vend normal:

 • reanimacioni

 • terapia intensive

 • sallat e operacionit

NUK MBETEN PA ENERGJI. KURRË.

As për sekonda. As për minuta. As “rastësisht”.

Nëse pacientët janë nxjerrë në korridore, kjo do të thotë se:

 • sistemet rezervë nuk ekzistojnë realisht,

 • ose janë jashtë funksioni,

 • ose nuk janë testuar kurrë,

 • ose drejtuesit nuk kanë besim te to.

Secila prej këtyre do ishte një dështim kriminal në menaxhimin e shërbimeve jetike.

Mos na flisni për:

 • linja 110 kV,

 • OSHEE,

 • avari të papritura,

 • “ishte për pak minuta”.

Në mjekësi “pak minuta” vrasin.

Në reanimacion sekondat vrasin.

Nëse sot nuk ka viktima, kjo nuk është sukses i sistemit, por fat i verbër.

Dhe një shtet që mbështetet te fati për të mbrojtur jetën e qytetarëve nuk është shtet, është rrezik publik.

Ky nuk është problem teknik.

Ky është problem përgjegjësie penale, administrative dhe morale.

Duhet

 • hetim i pavarur dhe publik,

 • auditim urgjent i sistemeve UPS dhe gjeneratorëve,

 • publikim i menjëhershëm i protokolleve të sigurisë,

 • dhe largim i drejtuesve përgjegjës, pa justifikime dhe pa vonesa.

Reanimacioni nuk është shërbim “i rëndësishëm”.

Është kufiri i fundit mes jetës dhe vdekjes.

Kush e ka lënë atë kufi pa energji,

ka dështuar në detyrën më bazike të shtetit: mbrojtjen e jetës njerëzore.

Dhe për këtë duhet dhënë llogari.

Ora 22:50
Një pjesë e Tiranës mbeti pa drita, OST: Defekti u rregullua, rikthehet furnizimi me energji elektrike

1768860056_ost.jpg

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) deklaroi se një pjesë e kryeqytetit mbeti pa energji elektrike, për shkak se  rreth orës 20:30, u stakua linja 110 kV “Tirana 1 – Uzina Traktori”.

Përmes një reagimi, OST deklaroi se defekti ishte në shtyllën 48/4, i shkaktuar nga një hark i hapur.

Institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash, ndërsa në disa zona të tjera furnizimi u rikthye brenda rreth 30 minutash, ndërsa në orën 22:09, riparimi i defektit përfundoi dhe linja u rikthye në punë, duke garantuar furnizimin e plotë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.

Njoftimi i OST

“DEKLARATË PËR SHTYP”

Sot në mbrëmje, rreth orës 20:30, u stakua linja 110 kV “Tirana 1 – Uzina Traktori” e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Brigadat e OST-së, në gatishmëri të plotë, identifikuan menjëherë defektin në shtyllën 48/4, i shkaktuar nga një hark i hapur.

Ndërkohë, nënstacioni Traktora dhe konsumatorët e rëndësishëm u furnizuan me energji elektrike me ngarkesë të kufizuar, në bashkëpunim me OSHEE-në, përmes linjës 110 kV “Elbasan – Ibë – Farkë”.

Menjëherë pas identifikimit të defektit, brigadat e linjave në terren morën masat për riparimin e tij. Paralelisht, grupet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes manovruan linjat rezervë përmes skemave unazë, me qëllim minimizimin e ndikimit te konsumatorët.

Institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash, ndërsa në disa zona të tjera furnizimi u rikthye brenda rreth 30 minutash.

Në orën 22:09, riparimi i defektit përfundoi dhe linja u rikthye në punë, duke garantuar furnizimin e plotë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.

 

Ora 22:46
Ndërprerja e energjisë elektrike, QSUT: Ishte e përkohshme, u aktivizuan gjeneratorët, nuk u cenua jeta e pacientëve

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka reaguar lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike në një repart të saj.

Përmes një njoftimi, QSUT bën me dije se ndërprerja ndodhi për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2.

Sipas QSUT, ndërprerja e energjisë ishte e përkohshme pasi u aktivizuan gjeneratorët dhe se aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht.

Njoftimi i QSUT

*Informacion për qytetarët*

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informon se sot në mbrëmje, për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.

Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.

Menjëherë, ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme.

QSUT siguron qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve.

QSUT ka ngritur menjehere grupin e punës për verifikimin e situatës.

 

Ora 22:34
Pa energji elektrike një repart i QSUT, Lapaj: Miliona euro për koncesione, por nuk sigurojmë dot dritat në spitalin kryesor të vendit

1766319006_adriatiklapaj.jpg

Kreu i ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj ka reaguar pasi ndërprerja e energjisë elektrike në disa zona të Tiranës, ka prekur edhe një repart në QSUT.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lapaj e cilëson shokues faktin që të mbetet pa energji elektrike një repart, ku janë pavione të tëra që kanë reaminacion.

Sipas Lapajt, janë dhënë miliona euro për konçensione, por nuk ka drita në spitalin kryesor të vendit.

“QSUT është spitali qendror i vendit. Aty kryhen ndërhyrjet mjekësore më të vështira në vend. Janë pavione të tëra që kanë reanimacion. Është thjesht shokuese se si mund të ikin dritat aty! Nuk ka fare rëndësi arsyeja përse nuk ka drita, dritat aty thjesht nuk mund të mungojnë. Spitali si ai kanë linja të dyfishta, gjenerator e me radhë. Thjesht nuk mund të fiken dritat aty! Është fatale!

8 milion euro në vit për konçesionin e Chek up-it;

100 milion euro për konçesionin e sterilizimit;

Si ka mundësi që ka miliona euro për konçesione, por nuk sigurojmë dot dritat në spitalin kryesor të vendit?”, shkruan Lapaj.

R.C/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tekniku: 20/01/2026 10:16

    Mashtrime, e para e punes po te ishte problem nje hark i hapur, te pushohen nga puna skuadrat e mirmbajtjes dhe kontrollit, gje qe nuk esht e vertete, problemi ishte mos funksionmi i nje gjeneneratori qe sherben si backup nenje nst ne rast problemi ne trasformatoret vetjak e si pasoje deshtoi dhe sistemi DC qe mban gjall nenstacionin. Ost duhet reformuar, vetem hajdut mban ne listen e pagave. E ju gazetar hetoni mos rrini vetem duke shkruajtur pallavrat qe ju serviren

    Përgjigju
  • Jordan Misja: 20/01/2026 09:28

    Ska drita rruga jorda misja bulevardi i ri ka 3 ore. nuk jep njeri shpegime. shtet kartoni

    Përgjigju
  • lani: 20/01/2026 08:47

    Turp. te largohen punonjesit qe duhet te siguroheshin per punen e gjeneratorve

    Përgjigju
  • Investime: 19/01/2026 23:43

    Duhet te investohen ne paisje moderne ne energjitike sepse Jane akoma me pasisje te komunizmit te viteve 60’

    Përgjigju
  • ylli: 19/01/2026 23:35

    DREJT EUROPES ME 200 KM. NE ORE.....

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 20/01/2026 09:18

      Po çfar te rregullohet me perpara , o popull a ju erdhi mire kur i shkateruat te gjitha si me token , uzina dhe fabrika , si melevizjen e lire si me arsimin shendetesine , ushtrine si genjenit veten me ushqimet qe prodhonit e te tjera e te tjera .Tani i kerkoni se keshtu u thote saliu .Keto jane difekte qe edhe mund te ndodhin nga keqberesit qe kerkojne te baltosin qeverine .Arsyetoni o te mallkuar se hajer nuk keni per te bere

  • Sondazhi i ditës: 6 Shkurt, 23:06

    Kushtetuesja rrëzon Ramën dhe Balluku pezullohet, jeni dakord me vendimin?