Ishte e treta, sepse e para kishte qenë e vitit 1875. Nuk është e nevojshme të hyjmë në hollësitë e rolit të madh që kanë pasur kolonitë shqiptare në Egjipt, mjafton të përmenden disa nga emrat e shquar, si Thimi Mitkoja, Jani Vretoja, Filip Shiroka, Spiro Dineja, Milo Duçi e shumë të tjerë, duke ardhur deri te Andon Zako Çajupi.
Kryesia e Shoqërisë së Aleksandrisë, e cila e quante veten Pleqësia, mbante procesverbale të shkurtra për mbledhjet e saj. Pjesëmarrësit në këto mbledhje dhe çështjet e rrahura prej tyre kanë vlerë të veçantë, po të mbajmë para sysh se jemi vetëm një vit përpara se të ngrihej flamuri i pavarësisë.
Në mbledhjen e datës 18 tetor 1911 pas dreke ishin të pranishëm J. Armodhi, E. Dineja, Ll. Kota, L. Naçi, S. Kolea. Në rendin e ditës ishin 5 pika: miratimi i verbalit të mbledhjes së mëparme, marrja e një rafti për librat, portreti i Skënderbeut, harta e Shqipërisë dhe letra të ndryshme. Për pikën e tretë shkruhet:
Z. L. Naçi tregon se pa në Muzen e Athinës një të parë të Skënderbeut të goditur fort mirë dhe me mjeshtërie të madhe, dhe se u muar vesh me një fotograf nga të vendit për me e fotografuar, punë që kostoi vetëm 25 frënga.
Pleqësia parë dhe pëlqyerë dhe fotografimin i falet nderjes z. L. Naçit për mundimin që bëri, dhe ndau të porositet një kurnezë e mirë për me u mvarur në Qëndrë të Vllazërisë.
Përveç kësaj ndau t’i porositen fotografit t’Athinës 50 ksombla të këtij fotografimi për me i pasur për anëtarët qi ndofta do të duan t’e blejnë. Emri i Leonidha Naçit (1875-1940) nuk është aq i njohur sa i disa rilindësve të tjerë dhe as në ‘Fjalorin enciklopedik shqiptar’ nuk del si emër më vete. Ishte nga Vlora dhe prandaj emrin e tij e mban sot një rrugë atje, ku ka qenë mësues i shkollës së parë shqipe të Muradijes.
Kishte ndjekur studimet në Bukuresht e në Athinë dhe mendohet se ishte mësues edhe në Korfuz në një shkollë tregtare. Është shkruar se nisi të nxirrte gazetën “E Drejta” më 1908, por nuk kam gjetur gjurmë të saj. Ishte delegat i Vlorës (Labërisë) në Kongresin e Manastirit më 1908.
Është interesuar për dorëshkrimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit që më 1894, madje ka shkruar (1937) se e kishte në duar, përpara sesa ta merrte për botim Diogjen Haritoja. Më 1928 do të merrte pjesë në një nga mbledhjet për të ngritur sërish “Komisinë letrare” sipas asaj të dhjetë vjetëve më parë në Shkodër.
Tashti mësojmë se më 1911 kishte vizituar Athinën, siç bënin edhe mjaft shqiptarë të Egjiptit, që shkonin në shumë vende për tregti. Por ai ka vizituar një muze të Athinës dhe ka parë atje një portret të Skënderbeut. Menjëherë ka porositur një fotografi dhe menjëherë ka dashur ta ndajë këtë gjetje me atdhetarët e tjerë në Aleksandri, ku ishte anëtar i “Vllazërisë”.
Pyetja e parë që mbetet për t’u ndriçuar është, se cili ka qenë ky portret. Sipas studiuesit më të njohur në këtë fushë, prof. Ferid Hudhrit, në Athinë gjenden dy portrete të heroit tonë (Shqiptarët në artin botëror. Botimet enciklopedike, 2012, f. 380 dhe 382). I pari ndodhet në Muzeun Historik, por për atë nuk njihet autori.
I dyti ndodhet në Muzeun Benaki dhe është me cilësi artistike, i piktorit të njohur Vasili Skopa. Ma merr mendja se L. Naçi ka parë portretin e parë. Kryesia e shoqërisë ka vendosur që të gjejë një kornizë të mirë dhe ta mbajë në qendrën e saj në Aleksandri. Është e vërtetë, se vendosën që të porosisnin edhe 50 kopje të tjera për t’ua shitur anëtarëve dhe shqiptarëve të tjerë, por shtysa e tyre nuk ka qenë thjesht financiare. Këtë e mbështesin disa anë të tjera.
Për qendrën në Aleksandri po në atë mbledhje është vendosur të porositet një raft biblioteke (vivliothiki) “për të radhitur e ruajtur vivllat, gazetat dhe t’jera sende të Vllazërisë.” Kjo ishte në vazhdë të vendimit të marrë në mbledhjen e mëparshme të 17 shtatorit: “Pleqësija marrurë përpara sysh se më e para dhe më e madheja nevojë për Qëndrën e Vllazërisë është të ketë gjithë vivllat qi janë shtypur gjer më sot ndë gjuhë shqipe ndo për me u kënduar në Qëndrët ndo për me u shitur atdhetarëvet, ndau të shkruhet në Sofje dhe në Bukuresht nga an’ e Vllazërisë për me kërkuar e prurë gjithë sa vivëlla me vleje e me rëndësië gjinden për të shitur në këto dy vise”.
Pa asnjë ngurrim këtë mund ta quajmë përpjekjen e parë konkrete për të ngritur bërthamën e një biblioteke kombëtare për shqiptarët.
Dhe ky pohim vërtetohet qoftë edhe me faktin, se njëri ndër anëtarët e shoqërisë së Aleksandrisë, Sotir Kolea (1872-1945), u thirr më 1928 në Tiranë për të drejtuar pikërisht Bibliotekën Kombëtare. Ishte pikërisht ai, i cili kishte kërkuar të porositej edhe rafti i librave. Ndërkaq, nuk duhet të na shpëtojë, që ai kërkonte raftin edhe për “t’jera sende të Vllazërisë”, të cilat na e çojnë mendjen te interesimi i S. Kolesë më pas edhe për një muze në Tiranë.
Po në atë mbledhje një muaj më parë Pleqësia falënderoi D. E. Mitkon, meqë i dhuroi Qendrës një kopje të librit të njohur të Th. Mitkos, “Bleta shqiptare”. Po edhe më interesant është njoftimi po në atë mbledhje, se i ati i Th. Mitkos, K. Mitkoja dhuroi një pikturë të bërë me dorën e Th. Mitkos.
Nuk jam në gjendje të shtoj diçka tjetër për këtë, por na del si fakt, që Thimi Mitkoja edhe ka provuar dorën në pikturë: Pleqësia uron derën e Mitkonjvet për mbarësijën dhe atdhetarimin e tyre dhe ca më tepër z. E. Mitkon, djathtësi e të cilit i bën nder Shqipërisë.
Së fundi, pika e katërt e tetorit ishte për një hartë të Shqipërisë: Pleqësia marurë përpara sysh nevojën e madhe për një kartë gjeografie të Shqipërisë dhe dëgjuar se z. N. Lakoja që gjendet në Paris, paska hartisur një të tillë kartë ndau t’i shkruhet nga an’ e Vllazërisë për me i kërkuar me pagesë një ksomblë. Nikolla Lakoja ka qenë një ndër botanistët e parë shqiptarë (1891-1962).
Duke u interesuar për përhapjen gjeografike të florës së Shqipërisë, është e natyrshme, që ai prej fillimeve të veta kishte nevojë për një hartë të vendit. Nuk e di se kush ka qenë hartografi i parë shqiptar, ndonëse nuk ka dyshim, që në kohën e Skënderbeut ushtarakët e tij kanë vepruar me harta nëpër duar. Gjithsesi, ndoshta N. Lakoja është ndë të parët në kohët e reja, që “ka hartisur” një hartë të Shqipërisë. Ai ishte në Paris qysh më 1910, kur ka botuar një gramatikë të vogël, 32 faqesh (Shkronjëtore e gjuhës shqip).
Duke i përmbledhur të gjitha të dhënat, përftohet pamja e një vëllazërie shqiptare me peshë atdhetare, me lidhje dhe rrezatim për të gjitha shoqëritë e tjera, në të cilën grumbullohen botimet shqipe si në një bibliotekë kombëtare, duke përfshirë edhe harta e piktura dhe në qendër të të gjithave portreti i Skënderbeut, burim frymëzues parësor i përpjekjeve për lirinë e atdheut.
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com