Partia Socialiste zhvilloi sot mbledhjen e Kryesisë, ku mori pjesë edhe kryesocialisti Edi Rama. Në mbledhje është diskutuar për procesin zgjedhor brenda në PS, ndërsa më datë 21 mars do të zhvillohet edhe mbledhja e Asamblesë.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi tha se strukturat e PS do të shtrihen edhe në diasporë.
“Proces që është bërë çdo dy vite në PS dhe është proces i reformimit të gjithë strukturës në PS. Është proces që do përfshijë të gjithë forumet e PS dhe do shtrihet në çdo qelizë të PS në gjithë vendin. Në mbledhjen e datës 21 do kemi për diskutime për përfshirjen të të gjithë anëtarëve të PS, në një proces që do t’i hapë rrugën edhe zgjedhjeve të reja, që PS ka kërkuar gjithmonë rifreski. 12 qershori i këtij viti shënon 35-vjetorin dhe gjithë procesi do të kurorëzohet në këtë datë.
Statuti përcakton që zgjedhjet në forumet vendore, drejtuesve lokalë, por edhe më një dimension të ri, që nga zgjedhjet e kaluara e kemi evidentuar të rëndësishëm. Që është partia në diasporë. Do ketë vendimmarrje për shtrirjen e strukturave lokale dhe në degët në diasporë, sigurisht në vendet që kishim numrin më të madh të votave. Kësaj vote në do t’i përgjigjemi me organizim strukturash, krijimin e strukturave kudo që shqiptarët ndjekin, mbështesin votojnë, PS”, tha Klosi.
Në mbledhje ka marrë pjesë edhe Belinda Balluku, për të cilën PS ka vendosur që të mos e lejojë arrestimin.
Lajmi në përditësim...
Deputeti i PS, Blendi Klosi komentoi rastin e Belinda Ballukut dhe vendimin për të mos lejuar arrestimin e saj. Pyetjes së gazetarëve nëse kanë ndryshuar qëndrim në raport me SPAK, Klosi iu përgjigj se PS është ajo që e ideoi reformën në drejtësi dhe do vijojë ta mbështesë. Ai theksoi se në asnjë rast nuk do e bllokojnë hetimin e SPAK, ndërsa pjesa tjetër është një vendimmarrje e Kuvendit.
“Kjo parti e ka shprehur qartazi qëndrimin, në asnjë rast nuk kemi asnjë diskutim sa i përket organeve të drejtësisë së re. Kemi ardhur në pushtet në 2013 me premtimin e reformës në drejtësi, vazhdojmë të mbështesim, ta jetësojmë dhe qëndrojmë të baraslarguar nga drejtësia sa i përket vendimmarrjeve të saj. Ne i qëndrojmë 100% parimit, nuk përfshihemi në asnjë proces hetimor, të tjerat janë raporte që i takojnë Kuvendit, në asnjë rast s’do kemi pengim të hetimi, koment për hetimin”, tha Klosi.
Komente










