Një protestë e munguar për kolegun e rrahur

Një protestë e munguar për kolegun e rrahur
Ishim në kohën kur kurba e pushtetit të Berishës po shkonte drejt 2013 pasi kishte bërë Gërdecin, 21 janarin... Në redaksinë tonë, në bodrumet e një pallati ku jemi edhe sot e kësaj dite, bënim Shqiptarja.com, gazetën e përditshme dhe websiten që rritej me shpejtësi në klikime e lexime. Pas rrëmbimit të News24 Gazeta Shqiptare e Balkanweb me para të dyshimta nga ana e pushtetit të djathtë, rihapëm dritaren tonë informative. Mes presioneve e kontrolleve të patrupshme fiskale, padive-kurth nga ministra e hileve të kolegëve, rezistonim me vështirësi.

Në ato vite, për të treguar të vërtetën, ndërsa ndiqnim një Drejtor të atëhershëm Bashkie që personalisht rrihte e keqtrajtonte romët që mblidhnin kanaçe, ndërsa e filmonim e të gjithë shqiptarët mund të shihnin filmimet e pakontestueshme të dhunës së tij ndaj romëve na ndodhi diçka: Një gazetari ynë rrihet keqazi nga disa njerëz para derës së redaksisë. E tmerrshme. Nuk kishim dyshim. Pushteti po hakmerrej për të vërtetat që po tregonim. Përgatitemi për protestë. E Padurueshme, e Papranueshme. Të dalim në protestë të gjithë.

Shumë mirë. Por ashtu nuk ishte. Një tjetër koleg na ndriçoi mendjen: E kanë rrahur se ka ngacmuar gruan e njërit. Eshtë personale. Kemi fakte për këtë. E verifikojmë dhe ishte ashtu. Kolegu që po bërtiste e çirrej se e kishin rrahur për denoncimet e bëra në median tonë, kishte një rast banal ngacmimi. U tërhoqëm, e gëlltitëm atë ngjarje. Ai koleg nuk punon më me ne, është në të tjera media. Mund të shtireshim, të bënim sikur ish-kolegu ishte keqtrajtuar nga pushteti, por nuk e bëmë. Kurrë në punën tonë si gazetarë nuk kemi bërë intriga e thënë pavërtetësi që i sheh me shumicë sot në disa media.

Nuk do ta them emrin e kolegut protagonist të kësaj ngjarjeje sepse nuk do të kishte shumë vlerë. Në media sot ka gazetarë që e bëjnë punën me pasion, por fatkeqësisht përzihen e nuk dallohen nga ata që paguhen apo përdoren nga një farë politike, krimi apo kushdo. Në median sot, për shkak të gjendjes ekonomike, politike dhe financiare në të cilën ndodhet, është e vështirë të seleksionosh gazetarët sipas aftësive e meritave profesionale.

Në të vërtetë gazetar lind, nuk bëhesh. Gazetari lind me disa karakteristika të qarta, të dallueshme për të vërtetën, për drejtësinë, mirësinë e shërbimin ndaj më të brishtëve. Shumë nga operatorët në media e kanë të dukshme dëshirën për të bërë parà apo karrierë në politikë apo në organizata ndërkombëtare ku paguajnë shumë mirë. Shumë nga punonjësit në media, më shumë se dashurues të së vërtetës, të sakrificës, të së drejtës, janë të dashuruar me një vend të rehatshëm e me privilegje personale. Për shumë që kam njohur e kam parë, ka më shumë vlerë fotokopjimi i letrave në një organizatë ndërkombëtare, mbajtja e çantës së shefit, se leximi i dokumenteve e lajmeve për të treguar të vërtetën në Shqipëri. Media sot, ashtu si dhe pushtete të tjera në Shqipëri, është e mbushur me përfitues ordinerë, intrigantë, hileqarë, të pavërtetë, të paditur e sidomos sajues, të gatshëm kurdoherë të krijojnë të pavërteta për të arritur një qëllim që nuk ka lidhje me gazetarinë. Për fat të keq këta individë shpeshherë mbulojnë punën e bukur, të drejtë e të vërtetë të pjesës së pastër të gazetarëve, por kjo nuk duhet të na bëjë të lodhemi, të dorëzohemi.
Kjo që tregova ishte një protestë e munguar në solidaritet me një koleg “të keqtrajtuar”. Bëmë mirë?

E megjithatë, në gazetarinë moderne shqiptare ka vetëm 1 dhe vetëm 1 protestë të madhe të munguar nga të gjithë gazetarët e Shqipërisë deri më tani: Atë kur Fatos Mahmuatj, atëherë gazetar i ABC News u plagos në dorë nga garda e Republikës me 21 janar 2011. Kjo është njolla më e madhe dhe më e turpshme e gazetarisë shqiptare, e shumë gazetarëve që në lojën e pronarit të tyre luajtën me jetën e një kolegu, duke fshehur lajmin, duke e dëbuar nga redaksia, e kërcënuar atë dhe familjen e tij. Pa u bërë kjo mea culpa gjigande, të gjithë bëjnë moral sa për sy e faqe si për gazetarinë, ashtu dhe për misionin e gazetarit në Shqipëri.
 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë