Një tjetër lagje në kryeqytet, kësaj here në zonën e “Don Boskos”, po merr një pamje të re, me infrastrukturë rrugore, ambiente çlodhëse dhe argëtuese, si dhe shërbime cilësore për qytetarët. Bëhet fjalë për bllokun e banimit në rrugën “Eshref Frashëri”, ku falë investimeve të Bashkisë së Tiranës, e gjithë hapësira ka marrë një pamje të re.
Ndërkohë që një pjesë e qytetarëve kanë nisur pushimet për këtë sezon veror, punonjësit e Mirëmbajtjes së Rrugëve kanë vijuar punën për rehabilitimin e zonës, me shtrimin e trotuareve, vendosjen e stolave, ndriçimin dhe gjelbërimin.
Po kaq cilësor dhe e rëndësishëm për banorët e zonës, është investimi për këndin e ri të lodrave për fëmijët, i cili ndërthuret së miri me infrastrukturën në rrugën “Eshref Frashëri”.
Sakaq, Bashkia e Tiranës po vijon punën edhe në zona të tjera në kryeqytet për t’iu mundësuar qytetarëve hapësira sa më komode, çlodhëse dhe me standarde.