Një shoqëri që trimëron hajdutët!

Një shoqëri që trimëron hajdutët!

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza

Nuk dua t’i bashkohem zhurmës dhe habisë për të shkuarën e një gjyqtari, apo disa aktorëve, por natyrisht dëmit që ka bërë guximi që ka kultivuar shoqëria jonë, për njerëzit e inkriminuar. Ajo që i ka ndodhur gjyqtarit Thanza, nëse besojmë versionin e tij, është diçka që u ka ndodhur shumë shqiptarëve të tjerë të rëndomtë. Edhe ata kanë vjedhur dhe janë kapur. Kanë bërë dhe dënimin dhe kanë parë punën e tyre.

Edhe ajo që u ka ndodhur dy kineastëve që kanë abuzuar me fondet publike nuk është ndonjë ngjarje e rrallë. Shumica e zyrtarëve tanë tentojnë t’i vjedhin paratë publike dhe shpesh ja dalin me sukses. Shoqëria jonë nuk ka qenë dhe nuk është ende një shoqëri që e refuzon korrupsionin. Përkundrazi, disa figura mitike të shoqërisë, bile dhe historike, janë thjeshtë hajdutë të famshëm dhe të adhuruar si të tillë. Pikërisht se është kështu, ne kemi sot këto lajme.

Gjyqtari Thanza mund ta kishte mbyllur jetën si një shqiptar i zakonshëm, nga ata që tentojnë të vjedhin, kapen e ikin, shikojnë punën e tyre. Por ne i kemi krijuar mundësinë që ai të guxojë. Ai ka parë se të tjerë që kanë vjedhur, kanë ecur në politikë, në gjyqësor, në karrierë, si nëpunsa, kanë ecur si hajdutë të dënuar në shoqëri civile, në poste publike dhe pastaj rehabilitohen duke dalë para Teatrit për të na bërë budallenj.

Ai thjesht ka bërë si ata dhe jo si shqiptarët e zakonshëm që shikojnë hallin e tyre. Por detaji më i rëndësishëm në karrierën e Thanzës është reforma në drejtësi. Ajo e kishte parashikuar këtë tip gjyqtari dhe bëri amnisti për ta. U tha të gjithëve që kushdo që e ndjen veten të pasigurtë, mund të japë dorëheqje dhe nuk do të ketë veting për ta. Dukej e padrejtë, por ishte amnisti e thellë për këdo që donte ta kuptonte, se po përfundonte së paku në drejtësi, epoka e njerëzve me probleme.

Lajmi real nuk është zbulimi i dosjes së Thanzës në Itali, por fakti se sa pak e kanë besuar reformën në drejtësi, gjyqtarët tanë. Vetëm dhjetë prej tyre dhanë dorëheqje brenda afatit, kurse të tjerët kanë guxuar të vazhdojnë. Thanza ishte një prej tyre. Ai as që e ka besuar fare reformën dhe gjithnjë ka menduar se ka një mënyrë, se si t’i ikësh përgjegjësisë për të shkuarën.

Ky është sondazhi më real që mund t’i bëjmë reformës në këto momente dhe besimit që ka ngjallur ajo. Së paku gjyqtarët nuk e kanë besuar. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për tipa të shoqërisë civile, që japin leksione për abuzime para Tetarit, që sa herë kanë pas shans të vjedhin edhe si qytetarë, edhe si zyrtarë, kanë bërë namin. Edhe dy kineastët që janë dënuar për përvetësim fondesh nga gjykata jonë.

Tani gjithë ata që po i përdorin politikisht, po përpiqen t’i mbrojnë si njerëz që po linçohen, por në fakt ky linçimi real i tyre është pikërishtë përdorimi që po u bëhet nga ata që i mbrojnë. Kjo është një shenjë që opozita po përdor njerëz që kanë probleme me të shkuarën e tyre dhe janë të detyruar t’i rrijnë besnik një kauze politike, pasi ajo mund t’i amnistojë si heronj. Dhe në historinë tone, kemi plot hajdutë që janë bërë heronj për shkak të kontributeve politike.

Ka mes tyre dhe ish- komunistë, apo partizanë, që nga vrasës filluan të quhen atentatorë, dhe po ashtu “demokratë” të orëve të para, hajdutë xhepash. Këta janë pjesë e kësaj tradite dhe nuk është se kanë faj për çfarë ndodh me ta. Problemi është se kur del në betejë dhe kërkon të sulmosh e të bësh pis me çdo mjet kundërshtarin, duhet të jesh njeri i lirë. Dhe nëse ka njerëz që fëlliqin kauzën e opozitës, nëse ajo ekziston, janë tipa të tillë, pasi ata thjesht duken si njerëz që nuk kanë zgjidhje tjetër, apo të ardhme tjetër, veçse përdorimit politik. Dhe të mendosh që kauza kryesore e tyre tashmë nuk është më Teatri, por lufta kundër korrupsionit, situata bëhet edhe më banale.

Por e përbashkëta e gjithë kësaj histerie, është se njerëzit e inkriminuar besojnë më pak tek drejtësia, se njerëzit e lire, dhe janë më të guximshëm se ata. Natyrisht askush nuk ka pse ndëshkohet gjithë jetën për të shkuarën e tij, për një vjedhje apo abuzim, por askush nuk ka të drejtë të shembë besimin për një drejtësi më të mire, duke sfiduar si hajdutë me përvojë. Thanza më trishton më shumë si njeri që ka guxuar të kalojë Vettingun, kur e ka ditur se çfarë ka bërë, se sa me atë që ka bërë.

Njësoj si këta aktorët, apo tipa që janë vetëcaktuar shoqëri civile, që flasin për mundësinë e vjedhjes së parave publike, si ekspertë të kësaj fushe, për shkak të përvojës së tyre si hajdutë. Me prova gjykate. Një shoqëri që tenton t’i justifikojë ata, për shkak të nevojës që ka për t’i përdorur politikisht sot, është një shoqëri frikacake, që shpreson se guximi do t’i vijë nga ata që nuk kanë çfarë humbasin.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Borsellino: 11/07/2018 09:05

    Nje rezyme shume e qarte dhe e drejte e situates disa vjecare ne kete vend! Shpresojme qe me reduktimin e nivelit korruptiv ne gjyqesor te filloje dhe ndergjegjesimi i njerezve te ketij sistemi duke kuptuar cila eshte detyra e tyre dhe sa e rendesishme eshte realizimi i saj me profesionalizem.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kapshticë/ 5 ditët  e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat

Kapshticë/ 5 ditët e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat