Margen, ju jeni vendosur prej kohësh në Nju Jork. A e patët ndjesinë apo perceptimin se një gjë e madhe pritej të ndodhte?
Ne e morëm vesh nëpërmjet sensibilizimit të vazhdueshëm në media. Nuk e morëm shumë seriozisht sepse e njëjta gjë ndodhi edhe për uraganin Irene, por efekti nuk ishte i njëjtë. Ky pritej të ishte një ndër uraganet më të fuqishme që prekte Lindjen e Amerikës dhe njoftimet në media kishin filluar që prej disa ditësh. Njëkohësisht u bënë edhe njoftime zyrtare për të qëndruar në shtëpi apo për të shkuar në qendra të sigurta nëse banoje në zona që prekeshin më shumë nga Sandy.
Po ti vetë, gjendeshe në shtëpi kur filloi stuhia?
Jo vetëm unë, por të gjithë ishin udhëzuar të qëndronin në shtëpi. Nuk ishte asgjë e papritur. Rrugët ishin të boshatisura. Një ditë përpara se të mbërrinte uragani, supermarketet ishin mbushur plot me njerëz duke blerë ushqime për të mbijetuar në rast se restorantet dhe marketet e ushqimit do të ishin të mbyllura për disa ditë.
Ke pasur komunikim me shqiptarë të tjerë të cilët janë gjendur në vështirësi apo në zemër të ciklonit?
Në përgjithësi shqiptarët me të cilët unë komunikoj, më kanë thënë se kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike për disa orë ose për një ditë, sepse shumë transformatorë u dëmtuan nga përmbytjet. Por ne shqiptarët i morëm me shumë sportivitet, aq më tepër që vizitojmë kaq shpesh Shqipërinë saqë e njohim shumë mirë këtë fenomen. Rreth orës 11.30 të natës në datën 29 tetor pati një shpërthim të madh, ku një ndër transformatorët bazë në Manhatan shpërtheu dhe u përfshi nga flakët. Banesa ime ishte rreth 1 km larg, por u pa qartë që një shkëndijë blu e theksuar dhe më pas një zhurmë shumë e fortë. Një spital në qendër të Manhatanit që furnizohej direkt nga ky transformator u detyrua të evakuonte gjatë natës 215 pacientë që ishin duke u kuruar atje.
Me se merresh në Nju Jork Margen?
Unë punoj tregtar në bursë në sektorin e bursës për kompaninë Societe Generale. Kjo ishte hera e parë që në vitin 1888 që bursa e Nju Jorkut u mbyll për dy ditë për shkak të motit të keq. Investitorët janë të shqetësuar sepse akoma nuk dihet sesi është luhatur vlera e investimeve të tyre për shkak të uraganit Sandy. Bursa rihapet përsëri në datën 31 tetor (pra dje) dhe nuk pritet të ketë luhatje të mëdha. Megjithatë, asgjë nuk dihet në varësi të reagimit të lojtarëve të bursës.
Në këtë moment keni ndonjë shqetësim?
Unë dhe 5 milionë banorë që qëndrojnë në zonën e Nju Jorkut duke përfshirë rrethinat janë pa energji elektrike. Autoritetet thonë se do tu duhet ndoshta edhe 4 ditë për të normalizuar situatën.
Jeni lidhur me familjarët në shtëpi në Tiranë? Çfarë thonë? Nëna, babai? A keni mundur të flisni në telefon?
Patjetër ata janë shumë të shqetësuar. Por kemi pasur kontakte të vazhdueshme telefonike. Fatmirësisht jetoj në zonën verilindore të Manhatanit dhe kishte më pak ndikim nga uragani duke qenë disi larg nga lumenjtë që rrethojnë Manhatanin. Por pjesët më lindore, perëndimore dhe jugore të Manhatanit që janë më afër lumenjve përjetuan përmbytje të mëdha. Autostradat dhe rrugët kyçe kanë dalë jashtë funksionimit. Stacionet e trenit dhe tunelet u mbuluan komplet me ujë. Siç ju thashë edhe pse kisha vështirësi të komunikoja me prindërit arrija të lidhesha me ta. Të dy më duan njësoj por po ashtu të dy kishin merak. Mami e shprehte më shumë por babai ishte më i rezervuar. Ishin po ashtu kurioz përpara se të vinte uragani për të kuptuar se cfarë bëhej me kaq bujë në mediat amerikane. E si përfundim, duhet të ta them më troç që shqiptarët këtu kur u mblodhëm në kafe ramë dakord që 1997 në Shqipëri ishte shumë më keq. Meqënëse ne të gjithë jemi mbijetues të 1997 në Shqipëri kjo na dha si një ndjenjë sigurie në aftësitë tona mbijetuese në raste të jashtëzakonshme. E vetmja gjë që menduam më parë e na ngeli merak ishte se si nuk e menduam më mirë që përpara, që të ishim mbledhur në një shtëpi dhe të kalonim të gjithë bashkë si shoqëri gjithë këtë histori, me muhabet, pije e humor. Megjithatë përdorëm edhe mediat sociale, si facebook, apo edhe skype për të komunikuar githandej ç'po ndodhte dhe si po qëndronim në neë york.
Do të thuash që nuk pate frikë fare?
Patjetër që po, sidomos gjatë mesnatës së të hënës duke u gdhirë e martë. Kurrë nuk kisha dëgjuar ndonjë gjë të tillë. Ishte koha kur ishte edhe intesiteti më i lartë i uraganit. Dëgjoja zhurmën e madhe të erës dhe rreshjet e shumta. Poshtë pallatit shifja pemët e rëna dhe rrugët boshe. Forcat e policisë dhe zjarrfikëset nuk dolën në qarkullim deri mëngjesin e ditës së martë. Te një pallat pesëkatësh në zonën perëndimore të Manhatan u rrëzua komplet miri i pallatit duke ekspozuar të gjitha shtëpitë në brendësi me gjithë banorët. Nuk pati të vdekur por ishte një skenë e çuditshme.
(Intervista u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com)
(eç/shqiptarja.com)