Qendrat rezidenciale për fëmijët pa kujdes prindëror po transformohen sipas modelit shtëpi-familje. Pas Korçës dhe Vlorës, ky model po zbatohet edhe në Durrës dhe Shkodër, me synimin që fëmijët të rriten në një mjedis sa më të afërt me atë familjar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, vizitoi qendrën rezidenciale për fëmijë në Durrës, ku po zhvillohet procesi i transformimit. Gjatë vizitës, ajo theksoi nevojën për të shtuar shërbimet sociale dhe për t'i përshtatur ato me problematikat e çdo komuniteti.

“Këto lloj projektesh duhet të përshtaten me nevojat e komuniteteve dhe të jenë më të shumta në numër duke adresuar dhe kërkesat e zonave të caktuara. Mund të ketë zona që mund të jenë më evidente problematikat dhe ne mund t'i mbështetim më shumë”, tha Spahiu.

Një tjetër drejtim i reformës është zgjerimi i shërbimeve të specializuara për fëmijët me nevoja të veçanta, përfshirë ata me çrregullime të spektrit të autizmit.

Ministrja vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes institucioneve qendrore, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimin e shërbimeve sociale për fëmijët.

Qendrat e Shërbimeve Mbështetëse për Fëmijën dhe Familjen ofrojnë kujdes alternativ, mbështetje psikologjike, sociale dhe edukative. Qëllimi është të shmanget vendosja e fëmijëve në institucione dhe të ndihmohen familjet që përballen me vështirësi.

Modeli mbështetet nga programi EU4SocialCare, i zbatuar nga UNICEF në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe NISMA ARSIS.

Prej marsit 2026, shërbimi në Durrës financohet nga bashkia, përmes Fondit Social dhe burimeve vendore, për të siguruar vazhdimësinë e tij.Pas Korçës dhe Vlorës, modeli i ri i kujdesit për fëmijët po shtrihet edhe në Durrës dhe Shkodër. Ministrja Spahiu kërkon më shumë shërbime të përshtatura me nevojat e komuniteteve.