Ndërsa temperaturat globale rriten dhe mungesa e ujit përkeqësohet, një risi nanoinxhinierike nga studiuesit në Australi synon të adresojë të dyja problemet, vetëm me një shtresë boje.
Për shkencëtarët e Universitetit të Sidneit, Chiara Neto dhe Ming Chiu, sfidat në rritje sollën një ide: një veshje për çati që mund të freskojë ndërtesat dhe të mbledhë ujë nga ajri.
Në një botë që po ngrohet, qytetet po shndërrohen në kurthe nxehtësie. Betoni dhe çatitë thithin energjinë e diellit, duke rritur temperaturat dhe duke krijuar atë që njihet si efekti i “ishullit urban të nxehtësisë”, ku qytetet përjetojnë temperatura më të larta.
Kjo është sfida e parë që synon të zgjidhë Dewpoint Innovations. “Boja jonë do të reduktojë ndjeshëm ngarkesën e nxehtësisë që dielli u shkakton qyteteve,” tha Ming Chiu.
Për të arritur këtë efekt, nanomaterialet e projektuara përdorin një proces të quajtur ftohje radiative pasive, i cili reflekton pjesën më të madhe të energjisë së diellit dhe lëshon nxehtësinë përsëri drejt qiellit duke lejuar që sipërfaqet e çative të qëndrojnë më të ftohta se ajri përreth pa përdorur energji.
Boja e Dewpoint arriti të reflektonte deri në 96% dritën e diellit gjatë një prove gjashtëmujore në ambient të hapur, të raportuar në vitin 2025. Ky reflektim do të thotë se përthithet më pak nxehtësi, duke mbajtur sipërfaqet e çative deri në 6 gradë Celsius më të ftohta se ajri përreth dhe duke ulur transferimin e nxehtësisë në ndërtesa.
“Një nga vetitë mahnitëse të një sipërfaqeje që ruan temperaturë më të ulët ndërsa pjesa tjetër e ambientit nxehet, është se ajo nxit edhe kondensimin e lagështisë së ajrit mbi sipërfaqen e saj,” tha Perzaan Mehta, drejtori ekzekutiv i Dewpoint.
Megjithëse ende në fazë zhvillimi, sistemi tregoi në testet e hershme se mund të mbledhë 74 litra ujë në ditë nga një çati prej 200 metrash katrorë. Mehta tha se kjo është afërsisht sasia e ujit që përdoret për një dush pesëminutësh në zona me furnizim më të bollshëm me ujë.
Përtej përdorimit nga njerëzit, teknologjia e ftohjes mund të ndihmojë edhe jetën e egër, tha Chiu, duke reduktuar stresin nga nxehtësia nën strehët e kafshëve dhe duke siguruar ujë gjatë thatësirave.
Edhe bojëra të tjera ultra të bardha dhe shumë reflektuese po zhvillohen për të ndihmuar në ftohjen e ndërtesave dhe uljen e përdorimit të kondicionerëve. Studiuesit po përdorin madje edhe inteligjencën artificiale për të krijuar bojë ftohëse të dizajnuar nga IA e cila mund të bëjë që ndërtesat të qëndrojnë nga 5 deri në 20 gradë Celsius më të freskëta gjatë ekspozimit ndaj diellit në mesditë krahasuar me bojërat tradicionale.
Komente








