Duhen kushte të veçanta që të lindë një si Albin Kurti. E keni vënë re, në Tiranë mungon një njeri i zgjuar, i ndriçuar që del pa interes mbi përgjumësinë e masave dhe nuk bëhet palë me kompromiset që shpesh, - në disa raste sepse detyrohet, por në disa raste sepse nuk shikon e dëgjon – bën pushteti.
Të më falin bashkëatdhetarët në Shqipëri, por një si Albin Kurti ne nuk e kemi. Të paktën deri tani. Një individ të lirë që nuk mund të dakordësohet pikësëpari me arrogancën e politikës kur është nën peliçen e pushtetit, më tej, me shkeljet që bëhen në kurriz të qytetarëve, duhet ta kërkojmë me qiri.
Që ne këtej nga Tirana të kishim ndonjë produkt “rebelimi” ndaj pushteteve, duhej të ndërhynin për vite e vite e me mijëra euro sponsorizim të projekteve Soros, Usaid etj. që të paktën me pagesë, të rritej e të rritet ndërgjegjesimi dhe revolta ndaj gjërave që nuk shkojnë mirë. Pa pagesa të majme në Tiranë nuk ka asgjë kundër. Ose, ndërgjegjësimi vjen nga ndonjë individ që pasi ka krijuar baza të forta materiale me detyra në pushtetet e mëparshme, pasi ka krijuar atë rehati, nis e të flaës për të vërteta, që edhe pse të lindura nga plehu, prapë vlejnë për një shoqëri.
Qofsha e gabuar, por gjithmonë kam perceptuar se bashkëatdhetarët tanë në Kosovë kanë një ndjenjë më të lartë të Shtetit. Ata respektojnë më shumë rregullat, por edhe pretendojnë më shumë se ne. Dashurojnë dhe kultivojnë artin dhe të bukurën si një nevojë për ushqim dhe jo si një imponim që pastaj nuk arrijnë as ta kuptojnë.
Më vjen të qesh kur më vijnë në mëndje “rebelët” tanë, produkte të programeve të mirëpaguara. Të paguar për t’u rebeluar. Trishtim. Këto janë si ato lulet plastike që në fillim kishin mbushur gjithë vendin, ndërsa tani i përdorim vetëm në varreza.
Ka shumë arsye për të qenë sot në krah të Albin Kurtit: pikësëpari sepse është unik dhe produkt i një ndërgjegjësimi të natyrshëm të shqiptarëve të Kosovës; pastaj, sepse të rinjtë shqiptarë nuk kanë pika referimi të shëndetshme veç tij. Studentët që protestojnë kundër Reformës për Arsim janë filiza tepër të brishtë që kërkojnë ushqim shpirtëror që në Tiranë nuk kanë shanse ta gjejnë.
Albin Kurti mban në vetvete genin shqiptar të rebelimit dhe të mosnënshtrimit ndaj pushtetit. Duhet ta ruajmë tamam si ato vlerat e rralla të mbrojtura nga Unesco.