Një sugjerim hartuesve të Kodit të ri Penal mbi 'Komplotin' politik, që mos të na fanepsen më praktikat e Sigurimit të Shtetit

Një sugjerim hartuesve të Kodit të ri Penal mbi 'Komplotin' politik, që mos të na fanepsen më praktikat e Sigurimit të Shtetit

Me anë të një nisme të ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë, po hidhen hapat e parë për të hartuar dhe miratuar një Kod të ri Penal. Më datë 27 janar 2021, mbushen plot 26 vjet qyshkur është miratuar Kodi Penal aktual, i cili, deri më sot, ka pësuar plot 20 herë ndryshime të thella.

Në shumicën dërrmuese të neneve, shihet qartë që ato shoqërohen me pjesët sqaruese “shtuar dhe ndryshuar”, çka do të thotë që herë pas here ligjvënësi e ka parë të arsyeshme të ndërhyjë për ta përmirësuar këtë Kod që tashmë duket plot “arna”.

Duke qenë se ende nuk kemi një draft publik paraprak, dua të jap një sugjerim modest, i cili shpresoj që të merret në konsideratë prej grupit të punës që po harton Kodin.

Në Kodin Penal që kemi në fuqi, neni 220 “Komploti” ka këtë përmbajtje: “Marrja e vendimeve dhe krijimi i kushteve materiale nga një grup njerëzish për të kryer atentat dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet”. Ky është një nen që nuk ka pësuar kurrë ndryshim që nga zanafilla e tij.

Po ta lexosh përmbajtjen e këtij neni, vëren se ligjvënësit e dikurshëm e kanë ngushtuar së tepërmi kuptimin e fjalës “Komplot”, duke kufizuar vetëm tek akti i kryerjes së një “atentati”.

Referuar fjalorit të gjuhës shqipe, fjala “Komplot”, ka këtë kuptim: “Marrëveshje e fshehtë, e lidhur në mënyrë të pa besë ndërmjet disa njerëzve ose grupeve për qëllime e veprime të caktuara politike, ushtarake etj. në dëm të shtetit; bashkërendim veprimesh me një tjetër prapa shpinës të dikujt e në mënyrë të pabesë për ta vrarë ose për ta dëmtuar. Bëj a thur një komplot kundër dikujt, kundër shtetit a qeverisë”.

Pra, fjalori ynë e shtrin diapazonin e vetë jo thjesht tek atentati (vrasja) ndaj individit, por edhe tek dëmtimi i tij e, nëpërmjet tij, edhe i të tjerëve për qëllime të caktuara.

Ajo që më shtyu për t’u fokusuar tek ky nen i cunguar, është pikërisht vendimi dhe dënimi i grupit të ashtuquajtur “Babale”, ku shquhej ish-deputeti demokrat Ervin Salianji. Ai e të tjerët u dënuan me burgim nga gjykata e shkallës së parë për veprën penale “Kallëzim i rremë”.

Natyrisht që vetëm tek ky nen mund t’i dënoje, sepse Kodi aktual nuk e merr fare për bazë kuptimin që i jep “Komplotit” fjalori i gjuhës shqipe, që për ironi të fatit, përfshin të gjithë veprimet e grupit “Babale”, qoftë ndaj individit, qoftë ndaj qeverisë.

E gjithë maskarada “Babale” kishte brenda saj gjithçka që thotë fjalori i gjuhës shqipe: “Marrëveshjen e fshehtë, bashkërendimin e veprimeve, pabesinë prapa shpine, veprimet e caktuara me karakter politik, dëmtimin ndaj individit, qeverisë e shtetit”.

Kur them “dëmtim ndaj individit” kam parasysh Agron Xhafën, të cilin donin ta fusnin në burg me një inskenim të shëmtuar, si dhe zotin Fatmir Xhafaj, duke i dëmtuar karrierën politike si ministër i Brendshëm, siç edhe ndodhi sepse dha dorëheqjen ndonëse e dinte që vëllai i tij ishte i pafajshëm.

Gjithashtu, kishte edhe qëllime të caktuara politike ndaj qeverisë dhe shtetit, duke synuar që nëpërmjet diskreditimit të ministrit Xhafaj të goditej qeveria “Rama” dhe mazhoranca parlamentare, pra dy nga shtyllat kryesore të shtetit, parlamenti dhe ekzekutivi. Qëllimi nuk ishte thjesht turpërimi në sytë e popullit, por krijimi i nja shkaku fals për të nxitur protesta antiqeveritare për rrëzimin e mazhorancës nga pushteti.

Vërtet sot ne kemi një vendim gjykate që vërteton të gjithë skemën kriminale të grupit “Babale” duke i dënuar ata me burg, po historia do të shkruhej ndryshe nëse atë ditë Agron Xhafaj do të ndodhej në lokalin e tij. Qe fati i tij i mirë që kur “Babalet” inskenonin një bisedë të rreme pranë lokalit të tij, ai ishte duke udhëtuar disa dhjetëra kilometra larg Vlorës, gjë që i nxori zbuluar komplotistët kundër tij.

Në këto kushte dhe bazuar sa më lart argumentova, i sugjeroj grupit të punës së ministrisë së Drejtësisë, që ta ketë në fokus nenin që bën fjalë për “Komplotin”, duke e zgjeruar fushën e veprimit të tij përtej atentatit/vrasjes.

Neni për “Komplotin”, nisur edhe nga precedenti “Babale”, duhet të jetë shumë i qartë në Kodin e ri Penal dhe me dënime sa më të rrepta burgimi, me qëllim që Salianjët dhe Babalet e tjerë të mos e çojnë më ndërmend të bëjnë akte të tilla që dikur i kemi ndeshur shpesh në praktikat e punës së ish-Sigurimit të Shtetit.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Durresi: 26/11/2020 22:53

    Shume e goditur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë