Në Gjykatën e Elbasanit u zhvillua sot seanca për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masave të sigurisë për 14 të arrestuarit gjatë kësaj jave në një lokal pranë segmentit rrugor Elbasan–Ish-Metalurgji, në fshatin Katund i Ri.

Gjykata vendosi që të lërë në qelli 6 nga të arrestuarit, ndërsa la në detyrim paraqitje 7 të tjetër, përfshirë edhe ish-deputetin Bujar Muça.

Ndërsa 17-vjeçari që ra në prangat e policisë është lënë pa masë sigurie.

Masat e vendosura nga gjykata janë:

Akil Kërtusha, 49 vjeç – arrest me burg
Ergys Tusha, 39 vjeç – arrest në shtëpi
Ervin Cani, 36 vjeç – detyrim paraqitje
Egi Caushi, 32 vjeç – arrest me burg
Maksim Suçi, 47 vjeç – arrest me burg
Ansen Mullai, 25 vjeç – arrest në shtëpi
Stefan Memelli, 46 vjeç – arrest me burg
Bujar Muça, 53 vjeç (sipërmarrës) – detyrim paraqitje
Jurges Mullai, 30 vjeç – detyrim paraqitje
Blerim Heta – detyrim paraqitje
Taulant Zykollari, 52 vjeç – detyrim paraqitje
Arjan Dada, 49 vjeç – detyrim paraqitje
Endri Dada, 29 vjeç – detyrim paraqitje

Arrestimet u realizuan si rezultat i një operacioni policor të koduar “Fast”, i cili u zhvillua nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Operacioni u organizua pas administrimit të informacioneve operative nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën e Posaçme Operacionale. Gjatë ndërhyrjes në ambientet e një lokali në pronësi të Taulant Zykollarit, blutë gjetën 14 persona me banim në Elbasan, Tiranë, dhe vetëm njëri në Itali. Të gjithë u prangosën. Asnjë nuk mundi të ikë edhe pse disa kundërshtuan forcat e policisë, përfshirë Bujar Muça, ish-deputet i PDIU-së. 53-vjeçari përfundoi në pranga për kundërshtim të punonjësit të policisë. 

Po ashtu, një nga personat e arrestuar është edhe miku i Emiljano Shullazit.  Vetëm 3 personave nga grupi që ndodheshin në lokal, iu gjetën armë. Endri Doda 43 vjeç, Ervin Cani 35 vjeç dhe Akil Kertusha 39 vjeç mbanin secili nga 1 pistoletë pa leje.

Klientëve jo të zakonshëm të lokalit, iu bë edhe kontroll në banesa.

Në disa apartamente policia thotë se gjeti doreza neuroparalizuese apo elektroshok, 4 radio si të policisë, jelek me mbishkrimin “Policia”, send në formë pistolete, sinjalizues në formë pistolete, thikë, shkop metalik, shuma parash, 4 automjete dhe 13 celularë të cilët pritet të ekspertohen.

Në mesin e të arrestuarve është edhe pronari i lokalit Tauland Zykollari, bashkë me djalin e tij të mitur, 17 vjeç. DVR e bar-restorantit ku policia ndërhyri befasisht u sekuestrua, pamjet e të cilave po këqyren nga hetuesit. 

Policia ka dyshime se takimi i këtij grupi personash në lokal nuk ishte rastësor, disa prej të cilëve edhe me precedentë të mëparshëm penal.