Ismail Kadare do të nderohet me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti. Lajmi është dhënë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila e vlerëson shkrimtarin si një ndër poetët dhe novelistët më të njohur shqiptarë.
Mes të tjerash, ambasada thekson se Festivali Neustadt i Letërsisë është një nga ngjarjet më të mëdha të letërsisë botërore.
"Kemi kënaqësinë të njoftojmë se shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare do të nderohet me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti. Si një nga ngjarjet më të mëdha të letërsisë botërore, Festivali Neustadt i Letërsisë është një festim i librave dhe kulturës ndërkombëtare, sponsorizuar nga World Literature Today dhe organizuar nga Universiteti i Oklahomës. Këtë vit, ngjarja do të zhvillohet virtualisht dhe do të jetë pa pagesë për të gjitha ata që regjistrohen. Ju ftojmë të bashkoheni me ne dhe të shohim me krenari poetin dhe novelistin më të njohur të Shqipërisë teksa nderohet për arritjet e tij", shkruan Ambasada Amerikane.
Ismail Kadare është një shkrimtar i njohur botërisht dhe mjaft i vlerësuar, ndërsa ka qenë disa herë kandidat për çmimin Nobel të Letërsisë.